Edhe pse nuk ka ndonjë terminologji universale ose përkufizim për të përshkruar kulturën e një vendi pune, disa gjëra që e përshktuajnë atë janë angazhimi i punonjësve, ekuilibri i punës dhe jetës, mundësitë për bashkëpunim dhe rritje, udhëheqja efektive dhe benefitet që ofron kompania për stafin e saj. Gjithashtu, ka edhe komponente tjera si mirëbesimi, marrëdhëniet ndërmjet punonjësve si dhe zhvillimi profesional.
Për të mësuar më shumë për kulturën dhe vlerat e një kompanie ju duhet t’i filloni kërkimet tuaja herët. Madje, ju mund të filloni të mësoni për kulturën e një kompanie përpara se të aplikoni për punë. Hulumtimet që bëni ju ndihmojnë të dini se në cilën lloj të kulturës së punës ju do të mund të performoni më së miri dhe cila përputhet me bindjet dhe vlerat tuaja.
Ekzitojnë disa mënyra për të zbuluar kulturën e një kompanie. Disa prej tyre janë:
Komunikimet e tyre të shkruara
Gjasat janë të pakta që ju të flisni me kompaninë para se të paraqitni kërkesën tuaj. Por, mund të grumbulloni mjaft informacione në lidhje me kulturën dhe qëndrimin e tyre duke hedhur një vështrim në komunikimet e tyre të shkruara.
Si një punëkërkues, vizita e faqes së internetit të kompanisë është detyra juaj e parë. Shihni se çfarë thonë ata për kulturën e tyre? Cilat janë vlerat e tyre të deklaruara? Çka theksojnë rreth ekuilibrit midis punës dhe jetës, bashkëpunimit, avansimit dhe zhvillimit? Të gjitha këto mund t’ju japin një pasqyrim se si ata e paraqesin veten dhe vlerat e tyre.
Hulumtoni rrjetet sociale
Rrjetet sociale janë burime ideale informacioni nëse doni të merrni më shumë informata për një kompani. Prandaj, hulumtoni llogaritë e tyre dhe shikoni se çfarë mund të gjeni. A kanë një faqe në Facebook apo instagram që e përdorin për njoftimet e ndërmarrjes ose për lëshimin e produkteve të reja? Gjithashtu, shikoni edhe për komente që mund të kenë lënë klientët apo ndonjë bashkëpunëtor në lidhje me produktet dhe shërbimet që ofron kompania.
Nëse një kompani poston mjaft shpesh në rrjete sociale, kjo do t'ju njoftojë më shumë rreth kulturës së tyre dhe mjedisit të përgjithshëm të punës.
Krijoni lidhje
Pasi ta hulumtoni faqen e internetit të kompanisë, burimi juaj i ardhshëm më i vlefshëm janë njerëzit që punojnë atje (ose që kanë punuar atje kohët e fundit). Faqet e kompanisë në LinkedIn mund të përmbajnë shumë të dhëna, duke përfshirë një listë të të gjithë punonjësve që punojnë atje të cilët mund t'i kontaktoni dhe t'i pyesni më shumë rreth vendit të punës. Edhe pse jo çdo kompani ka të plotësuara të gjitha informacionet në faqen e tyre të LinkedIn, mirëpo ja vlen t'i hidhni një sy për të parë informata që mund të jenë të nevojshme për ju.
Çka duhet të bëni nëse kultura e kompanisë nuk ju përshtatet?
Nëse pas të gjitha kërkimeve të mundshme keni ardhur në përfundim se kompania nuk është zgjidhja juaj ideale sa i përket kulturës, cili është hapi juaj i radhës?
Varet nga ju nëse doni të vazhdoni tutje me aplikimin apo jo. Por, hapi i parë për të vendosur se si të vazhdoni nga ku jeni tani është përcaktimi saktësisht se sa e rëndësishme është kultura e kompanisë për ju. A ka gjëra që vlerësoni më shumë se sa kultura - siç është vetë puna, paga ose përfitimet? Apo është ambienti juaj i punës mjaft me rëndësi në listën tuaj?
Gjasat që ju të gjeni një kompani ose punë që është plotësisht e përsosur janë të pakta. Por, qëllimi juaj duhet të jetë shqyrtimi i sa më shumë opsioneve në listën tuaj. Në fund të fundit, gjetja e një kulture dhe një pozite që përputhet me nevojat tuaja është mjaft e rëndësishme dhe shton vullnetin tuaj që të shkoni në atë vend pune./AkademiPune