Cilat janë gabimet më të shpeshta në një CV?

11 Gusht '20

Cilat janë gabimet më të shpeshta në një CV?
	 	 

Një CV duhet të duket profesionale në mënyrë që ta fitoni vendin e punës të cilin jeni duke e synuar. Nëse keni dërguar shumë aplikacione të punës por asnjëherë nuk jeni ftuar për ndonjë intervistë apo përzgjedhur për vendin e punës, atëherë ka gjasa që mund të keni bërë gabime në CV-në tuaj.

Një CV e cila përmban gabime, mund të tregojë mungesë të vëmendjes ndaj detajeve dhe profesionalizmit, të dyja këto cilësi shumë të kërkuara nga të gjithë punëdhënësit. Prandaj, kur përgatitni një CV profesionale, sigurohuni që të keni parasysh pikat e mëposhtme:

Zgjedhni formatin e duhur

CV-ja kronologjike është formati më i zakonshëm që përdoret viteve të fundit, ndonëse nuk është gjithmonë opsioni më i mirë. Ndonjëherë, varësisht nga pozita e punës për të cilën po aplikoni është mirë ta ndryshoni formatin e CV-së. P.sh nëse aplikoni për një pozitë pune si animator, një CV video e animuar mund të tregojë më mirë aftësitë e juaja, krahasuar me një CV tradicionale.

Shmangni gabimet drejtshkrimore

Kur përgatitni CV, ndër gjërat e para që duhet t’i keni parasysh është ta kontrolloni atë për gabime drejtshkrimi. Gabimet drejtshkrimore janë të dukshme dhe punëdhënësit do të lexojnë midis rreshtave. Ata do të mund të nxjerrin përfundime si: ky kandidat nuk di të shkruajë apo është i pakujdesshëm.

Mos u përqëndroni në detyrat e punës por në arritje

Personat që do t’ju punësojnë nuk fokusohen shumë në detyrat e punës që keni pasur në punët e kaluara. Në bazë të pozitës së punës, ata mund të dinë se çka keni punuar. Prandaj, mos e mbushni CV me detaje të panevojshme. E rëndësishme për punëdhënësin është ajo çka ju keni arritur të bëni në punët tuaja të ndryshme. Sasia e arritjeve tuaja me numra u tregon punëdhënësve se sa të mirë jeni në atë që bëni, dhe mund të jenë ato arritje që ndihmojnë në vendimin për t’ju marrë në punë.

Mos përdorni klishe

Largoni klishetë si “mësoj shpejt” , “jam shumë punëtor/e” dhe të tjera, sepse konsiderohen si të tepërta dhe të pakuptimta. Në fakt, më mirë do të ishte nëse ofroni shembuj që tregojnë se ju mësoni shpejtë dhe se sa punëtor i mirë jeni. Përjashtim mund të bëni vetëm nëse në shpalljen e punës janë cekur këto si kritere, atëherë mund t’i përfshini.

Kontrolloni mirë kontaktet që keni cekur në CV

CV-ja juaj mund të jetë shumë profesionale dhe punëdhënësi është i gatshëm t'ju konsiderojë juve për rolin që ofrohet. Mirëpo, ju keni dhënë kontakte të gabuara dhe nuk mund të arrijnë t'ju kontaktojnë. Prandaj, për të mos i humbur mundësitë, kontrolloni disa herë kontaktet që keni cekur në CV. 

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2022 - KosovaJob LLC