Teknologjia mund të cilësohet si e arritura më e madhe e mendjes dhe punës së njeriut. Ajo është bërë pjesë shumë e rëndësishme dhe e pandashme e jetës sonë, duke mundësuar që shumicën e punëve t’i kryejmë më shpejt dhe më lehtë.
Përfshirja në teknologji e të rinjve në Kosovë nuk është e vogël. Shumë të rinj nga Kosova, tashmë kanë arritur të themelojnë organizata që për fokus kanë teknologjinë e informacionit. Një prej tyre, është edhe “Open Data Kosovo”, organizatë kjo e cila ka për synim të përçojë tek të rinjtë rëndësinë e teknologjisë së informacionit në rritjen e transparencës dhe zgjidhjen e problemeve të ndryshme brenda shoqërisë.
Open Data Kosovo ofron një numër projektesh shumë efikase dhe inovative. Secili prej këtyre projekteve ofron zgjidhje digjitale shumë frytdhënëse. Si rrjedhojë, ndikimi që organizata bën në shoqëri përmes projekteve të saj është shumë i theksuar.
Paulina Behluli, Project Coordinator në Open Data Kosovo, në një intervistë për Akademi Pune, rrëfen për rrugëtimin e organizatës, projekteve të realizuara, sfidave dhe përparësive, si dhe për planet e organizatës për të ardhmen.
“Një projekt shumë efikas, sidomos në këtë periudhë, të cilin do ta veçoja është “Edukim i Hapur TIK për Punësimin e të Rinjëve” - kursori.org, një platformë në gjuhën shqipe që përfshin tri kurse online për programim. Në momentin që përfundohen kurset, ju duhet të keni fituar njohuri për ta krijuar një website të thjeshtë dhe jo vetëm, në kursin e tretë përgatiteni edhe për sigurinë e webfaqeve dhe arkitekturën e sistemeve. Kjo zgjidhje digjitale, e zhvilluar shumë profesionalisht është e krijuar sipas standardeve botërore“, tregon fillimisht Paulina Behluli.
Gjatë pandemisë COVID-19 e cila ka muaj që ka kapluar të gjithë botën, zgjidhja për të menaxhuar procese të ndryshme kanë qenë sistemet online. E projekti “Kursori” pati një ndikim mjaft pozitiv, posaçërisht gjatë pandemisë.
”Pamë që edukimi online pati rritje dhe kërkesë të madhe. Kësisoj, vendosem t’i hapim kurset për të gjithë, ngase kurset fillimisht ishin falas vetëm për përfituesit e projektit të cilët kanë ardhur nga krahinat në Shqipëri. Përfituesit kanë qenë nga Laçi, Miloti, Goreja, Mamurrasi dhe shkollat profesionale në Lezhë, si dhe dy universitete në Kosovë, universiteti i Prizrenit dhe ai i Pejës”.
Hapja e këtyre kurseve solli rreth 2 mijë përdorues të rinj që u regjistruan në këtë platformë. Paulina tregoi se ky projekt u financua nga Bashkimi Evropian, zyra në Shqipëri, dhe përpos qëllimit për ndikim lokal ishte synim edhe ndikimi në bashkëpunim ndërkufitar, e në këtë rast në bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Sfidat dhe sukseset e Open Data Kosovo
Se sa të suksesshme janë projektet që kjo organizatë ofron, e tregon edhe numri i të punësuarve pas trajnimeve të ODK-së. Kompanitë e ndryshme që kanë punësuar këta të rinj kanë deklaruar se janë ndarë shumë të kënaqur me personat që kanë punësuar. Vetëm nga projekti “Tech4Policy” janë punësuar mbi 40 persona.
Një ndër qëllimet e organizatës Open Data Kosovo, është edhe përqëndrimi në komuna me më pak qasje në projekte të ndryshme në Kosovë. Sipas Paulina Behlulit, kjo kryesisht ndodhë për shkak se përfitues më të shpeshtë të projekteve janë qytetet më të mëdha.
Ky fakt, bëri që ODK të ofrojë një tjetër zgjidhje digjitale në tri komuna më të vogla: Klinë (klina.eduperformanca.org/), Viti (vitia.eduperformanca.org/) dhe Kamenicë (kamenica.eduperformanca.org/) . Është fjala për platformën “ EDUPerformanca“. Kjo zgjidhje digjitale e zhvilluar nga përfituesit e projektit Tech4Policy ka për qëllim vlerësimin e mbarëvajtjes mësimore në shkollat e mesme në tri komunat përfituese.
“Zhvillimi i aftësive tek të rinjtë në fushën e TIK, e sidomos të rinjtë nga komunat me më pak qasje në projekte të tilla, na bën që të fokusohemi e të ofrojmë qasje të barabarta në krijime inovative.“
“EDUPerformanca“ është një platformë e cila mundëson që edhe nxënësit të vlerësojnë mbarëvajtjen mësimore dhe të krijohen të dhëna për audiencën e gjerë, nga të cilat mund të mësohet më shumë rreth zhvillimeve në këto shkolla. Kjo zgjidhje digjitale pritet të zgjerohet edhe në komuna të tjera.
“Është një pikë të cilën të gjithë e vlerësojnë më së shumti, edhe ne, edhe donatorët, e kjo është qëndrueshmëria e projektit. Është shumë e rëndësishme që kur një projekt fillon, ai projekt të vazhdojë edhe pas përfundimit të financimit. Ndonëse është një sfidë e madhe sepse duhet të sigurohen edhe të ardhura për stafin, kjo është për të mirën e shoqërisë. Për ne si ODK, të gjitha sfidat, qoftë individuale, qoftë kolektive, janë të kalueshme kur diçka është për të mirën e shoqërisë.”
Tri shtyllat kryesore të Open Data Kosovo
Open Data Kosovo mbështetet në tri shtylla kryesore: ngritjen e kapaciteteve të të rinjve në fushën e TIK-ut, bashkëpunimin me institucionet për hapjen e të dhënave, krijimin e një komuniteti të qasshëm në teknologji dhe përshtatjen me teknologjitë e reja. Sipas Paulina Behlulit, të tri këto shtylla shoqërohen edhe me sfida gjatë proceseve të punës.
“Për secilën shtyllë ka sfida. Një ndër sifdat që e hasim më shpesh është ndërrimi i stafit nëpër institucionet me të cilat bashkëpunojmë. Është sfidë sepse nëse stafi i tyre ndërrohet vazhdimisht, ne duhet të nisim bashkëpunim nga fillimi. Gjithsesi bashkëpunimi me stafin permanent ka ndihmuar në këtë aspekt, duke qenë se ata kanë shërbyer si urë lidhëse me anëtarët e rinj të institucioneve. Duhet bashkëpunim i ngushtë me institucionet publike për të arritur zhvillim pozitiv në shoqërinë tonë.”
Duke u bërë një urë lidhëse mes institucioneve dhe tregut të punës, Open Data Kosovo synon që të rinjve t’ju ofrojë përvetësim të aftësive të domosdosshme të cilat i kërkon tregu i sotëm i punës, në mënyrë që të mos kenë nevojë të paguajnë shtesë për trajnime apo punëtori. Në të njëjtën kohë, as kompanitë të mos humbin javë e muaj për t’i trajnuar këta të rinj.
Një këshillë për të rinjtë
Krejt në fund, Paulina Behluli dha një mesazh për të rinjtë që janë përfshirë apo do të përfshihen në tregun e punës. Ajo tha se nëpërmjet përvojave që merren jashtë Kosovës, të rinjtë kosovarë mund të investojnë dhe ta bëjnë këtë shtet më të mirë.
“Ka gjithmonë nevojë për të rinj që punojnë në kompani vendore, sepse nëse të gjithë të rinjt fokusohen në tregun e jashtëm, kompanitë e brendshme falimentojnë. Sidoqoftë, e mira që vjen prej punës në tregun e jashtëm është se ju mësoheni me standardet botërore e pastaj të njëjtat mund t’i sillni në tregun në Kosovë. Si rrjedhojë, mund të themeloni kompani të juaja apo të punoni bazuar në përvojat që keni marrë nga tregu i jashtëm. Këshillë e imja është të mos demoralizohemi si të rinj, të investojmë energjinë në vendin tonë, dhe t’i kthejmë përvojat nga jashtë në shtetin e Kosovës”, përfundoi Paulina Behluli.
Open Data Kosovo (ODK) është organizatë e themeluar në vitin 2014. Përmes projekteve të saj, ka ndikuar dukshëm në rritjen e transparencës publike, nëpërmjet përdorimit të teknologjisë informative. Së fundmi, “Open Data Kosovo” përfaqësuar nga Blerta Thaçi, Dafina Olluri dhe Blinera Meta, u bë pjesë e listës “30 nën 30 vjeç” të revistës së njohur “Forbes”.