Themelimi i një biznesi në çfarëdo fushe, përpos parave kërkon edhe shumë hulumtim, angazhim dhe kohë. E krijimi i një biznesi në fushën e gastronomisë kërkon përvetësim të shumë aftësive por jo gjithmonë një diplomë apo shkollim në gastronomi.
Bizneset e suksesshme në gastronomi nuk janë të pakta në Kosovë. Në hallkën e zingjirit të këtyre bizneseve, vend të veçantë zë Sach Pizza, një emër familjar për të gjithë kosovarët.
Në një intervistë për AkademiPune, njëri ndër themeluesit e Sach Pizza, Petrit Sinani, foli rreth themelimit të këtij brendi dhe sfidave me të cilat u ballafaqua gjatë këtij rrugëtimi. Ndonëse fillimet e këtij biznesi nuk ishin të lehta, dëshira për të ofruar diçka të re për tregun kosovar nuk e la të ndalonte.
“Idenë për të themeluar një biznes të ri si Sach Pizza e kisha qysh në vitin 2009. Unë së bashku me Shpend Thaqin, me të cilin jemi edhe bashkëpronarë të këtij biznesi e konsideruam hapjen e një biznesi që për bazë kishte picën dhe si koncept kryesor ishte që të ofrojmë shërbimin “delivery” në qytet. Kjo ishe pra idea primare”, tregon fillimisht Petriti.
Të angazhuar në profesione të tjera dhe pa njohuri në gastronomi, Petriti bashkë me Shpendin vendosën sidoqoftë të nisin këtë rrugëtim. Për ta, marrja e rreziqeve të tilla ishte diçka që do t’ju shpërblehej më vonë.
“Unë kam studiuar për administratë publike dhe diplomaci ndërkombëtare në Shtul, ndërsa Shpendi ka studiuar në AUK dhe ishte i angazhuar po ashtu në tjetër profesion. Gjatë angazhimeve të tjera që kishim, na erdhi edhe kjo ide për të nisur diçka nga vetja".
Fillimet e para të biznesit
Shumica e bizneseve nisin fillimisht në hapësira më të vogla dhe me më pak kapacitete. Edhe Sach Pizza punën e nisi në një lokal të vogël në një bodrum, jo më i madh se 20 m² dhe gjithsej kishte 4 tavolina.
Në prill të vitit 2009, Petriti 23 vjeçar dhe Shpendi 21 u përfshinë në botën e biznesit, duke hapur picerinë e tyre të parë. Sach Pizza, një biznes që nuk erdhi si trashëgimi familjare por nga dy të rinj pa përvojë në gastronomi por me vullnet dhe përkushtim për punë, sot është një ndër bizneset që lulëzon në tregun kosovar.
“Filluam me një punë të jashtëzakonshme dhe të palodhshme, me orar të stërzgjatur nga 7 në mëngjes deri në 3 të mëngjesit, orar ky që ende sot vlen dhe punohet me ndërrime te pika jonë e parë. Punën kryesore e kishim “delivery”, që ishte targeti ynë pasi asokohe në vendin tonë nuk ofrohej në masë të madhe. Edhe pse lokali i parë nuk kishte hapësirë aq të madhe, ai vizitohej vazhdimisht nga figura të njohura artistike dhe sportive pasi që ne ishim të përkushtuar në shërbim sa më cilësor për të gjithë klientët që na vizitonin”.
Me kalimin e kohës, biznesi i tyre filloi të rritej dhe kërkesat nga klientët shtoheshin vazhdimisht. Këtë rritje, Petriti dhe Shpendi e kishin parë si mundësi të mirë për ta zgjeruar biznesin dhe kësisoj vendosën ta hapin edhe një pikë tjetër.
“Hapin e radhës e kemi bërë pas dy viteve kur edhe u hap qendra tregtare në Kosovë Albi Mall. Aty ka qenë lëvizja jonë e dytë që i ka dhënë mundësi biznesit tonë të zgjerohet si brend. Me prezencën e Sach Pizza në Albi Mall, ne filluam të afirmohemi për njerëzit se kush jemi dhe çka ofrojmë. Picerinë që tashmë veç e kishim në qendër të Prishtinës, e njihte i gjithë qyteti dhe pastaj me pikën e dytë donim që brendin tonë ta promovojmë edhe në qytete tjera të Kosovës”.
E suksesi me Sach Pizza, të dy ndërmarrësve të rinj ua shtoi vullnetin e dëshirën për të ndërmarrë një hap të ri, themelimin e Sach Caffe. Ky i fundit, një koncept më ndryshe, solli një tjetër sukses për Petritin dhe Shpendin.
“Në vitin 2015, pas vizitave të ndryshme që kishim jashtë vendit, vendosëm që ta sjellim një brend të ri edhe në vendin tonë dhe kësisoj vendosëm ta hapim Sach Caffe që është koncept tjetër si tip i “coffee shop” për dallim nga Sach Pizza, por që të dyja operojnë nën një kulm. Pas suksesit që kemi pasur me pikën e parë kemi hapur edhe pika tjera”.
Ndërmarrësia në Kosovë; sfidat dhe vështirësitë
Të bërit biznes dhe të qenurit ndërmarrës në Kosovë, sipas Petritit nuk është aspak e lehtë, duke marrë parasysh sistemin ekonomik dhe sistemin politik që nuk ofron përkrahje të mjaftueshme për bizneset. Fillimin e karrierës si ndërmarrës, Petriti e konsideron si fazën më të vështirë.
“Ka qenë një rrugëtim i gjatë dhe shumë i vështirë pasi që këtë biznes e kemi realizuar me fuqinë tonë personale, pra gjithçka e kemi filluar si dy të rinj, me huazime nga shokët, me ndihmën e familjes dhe bankës me një kredi modeste dhe pa ndihma shtesë apo grante. Përmenda edhe më herët se rritja jonë ishte organike, nuk ka qenë rritje artificiale me fonde nga jashtë apo çfarëdo lloj fondacioni por gjithmonë me punë dhe angazhim”.
Shtrirja e bizneseve edhe në vendet fqinje
Kur një biznes rezulton i suksesshëm, janë dy gjëra që e shoqërojnë: zgjerimi dhe shtrirja e bizneseve në vende të ndryshme. Ata vendosën që këtë bines ta shtrijnë edhe jashtë Kosovës. Pikat e Sach Pizza tashmë gjenden edhe në shtetin e Maqedonisë.
“Ne veçse e kemi thyer akullin, duke dalë jashtë Kosovës pasi që kemi pikat tona edhe në Maqedoni të cilat i kemi hapur vitin e kaluar. I kemi hapur të dyja brendet në Tetovë dhe janë pritur mjaft mirë. Tash ka filluar hapja e pikës së dytë në Gostivar. Po ashtu, kemi plane të shtrihemi edhe në Shkup, si dhe jemi në negociata të vazhdueshme në gjetjen e partnerëve në Shqipëri pasi që konsiderojmë që ka potencial shumë të madh që brendet tona të shtrihen edhe atje”.
Sa i përket nivelit lokal, për periudhën 2020-2021 Petriti theksoi se planifikojnë të shtrihen në të gjitha qendrat e mëdha. Ata tashmë i kanë të hapura pikat në Prizren dhe Lipjan. Në Ferizaj do hapin lokalin brenda muajit, si dhe kanë plane të shtrihen edhe në Gjilan dhe Pejë, qytete këto që njihen si qendra në zonat e tyre.
Ndërkaq rreth zgjerimit të bizneseve edhe jashtë Kosovës, ai tregoi se është konsultuar edhe me ekspertë të ndryshëm jashtë Kosovës në mënyrë që të nisë depërtimin edhe në vende tjera.
“Në Kosovë, “Sachi” operon dhe menaxhohet nga ne, ndërsa jashtë Kosovës do të funksionojë me partneritet në “franchise” pra me licencë. Është një punë e cila është përgatitur me ekspertë të ndryshëm dhe i kemi të gatshme të gjitha dokumentacionet e nevojshme me përvojat e brendeve shumë të njohura botërore të cilat na kanë ndihmuar në përgatitjen e sistemit “franchise” se si mund të funksionojmë dhe të korrim sukses edhe jashtë vendit”.
Së fundmi, Shpendi dhe Petriti investuan në një brend të ri të quajtur “Frix”, brend ky i cili përbëhet edhe nga aksionarë të tjerë. Ai thotë se ky brend ka një rrugëtim të gjatë pasi pretendojnë që të shtrihen në qytete të Kosovës, po ashtu edhe jashtë saj.
Nëpërmjet bizneseve të tij, Petrit Sinani ka arritur të bëj ndikimin e vet në zbutjen e papunësisë në Kosovë. Bizneset që ai udhëheqë janë ndër të paktat në vend që kanë ofruar mundësi të barabarta punësimi për të dyja gjinitë.
“Ajo që vlen të ceket në të dyja brendet tona kemi të punësuar mbi 200 punëtorë. Një segment tjetër pozitiv është se prej këtyre punëtorëve 43% janë të gjinisë femërore. Mendoj që ja vlen të përmendet se ju kemi dhënë hapësirë të madhe gjinisë femërore në çdo pozitë, si në pozita menaxheriale, administrative si dhe pozita tjera që ofron kompania”.
E periudha e izolimit si pasojë e pandemisë Covid-19 i ndikoi pothuajse të gjitha bizneset anëmbanë botës. Sa i përket situatës së krijuar, Petriti thotë se nuk u dëmtuan si biznese duke qenë se formën e shërbimit “delivery” e kishin aplikuar që nga fillimet e tyre.
“Gjatë pandemisë, rrjetet sociale kanë ndikuar pozitivisht pasi që ka pasur rritje të shitjes sepse gjithçka ka funksionuar online gjatë asaj kohe sa ishim të izoluar. Për ne ishte përparësi e madhe që kishim përvojë shumëvjeçare në ofrimin e shërbimit “delivery” dhe nuk kemi hasur në probleme sa i përket kësaj forme të shërbimit” shtoi ai.
Krejt në fund, ai pati edhe një këshillë për të rinjtë që kanë dëshirë të merren me biznes. “Rininë do ta këshilloja që të punojnë sa më shumë, t’i caktojnë vetes qëllimet dhe objektivat që duan t’i arrijnë. Ta bëjnë punën që ata e ndjejnë dhe e duan. Në momentin që i keni këto elemente dhe qëndroni mbrapa tyre, atëherë edhe suksesi është i garantuar” përfundoi ai.