6 gjëra jo profesionale që mund të jeni duke i bërë në punë

29 Jun, 2020

6 gjëra jo profesionale që mund të jeni duke i bërë në punë
	 	 

Shumë njerëz kur punojnë për një kohë të gjatë në një vend pune, fillojnë dhe e ndjejnë një lloj rehatie dhe detyrat e punës ndonjëherë i marrin me më pak seriozitet. Pavarësisht kohës sa keni qenë në një kompani apo vend pune është shumë e rëndësishme që ta ruani profesionalizmin.

Ju mund të mos e vëreni se jeni duke bërë diçka jo profesionale dhe punëdhënësit apo kolegët të mos ua thonë. Sidoqoftë, këtu janë disa sjellje të cilat mund t’ju bëjnë të dukeni jo profesional në punë.

Vini në punë me vonesë

Për shumë njerëz, arritja me vonesë në punë apo edhe në takime mund të mos jetë një problem i madh, mirëpo është diçka që vërehet. Vonesat njëherë në shumë ditë, janë deri dikund të justifikueshme. Mirëpo, tentoni të mos shndërroheni në personin që të gjithë e njohin sikur ai që vonohet. Mundohuni ta menaxhoni më mirë kohën, të largoheni nga shtëpia disa minuta më herët për të arritur në kohë për takimet e mëngjesit.

Ankoheni shpesh

Ngarkesa në punë mund t'ju bëjë të mendoni se si shumë gjëra mund të mos jenë duke shkuar shumë mirë në vendin e punës. Një gjë e tillë është më së normale dhe shumicës mund t’ju ketë ndodhur. Sidoqoftë, mos lejoni që ngarkesa e punës t’ju çojë në ankesa tek kolegët. Në të tilla raste, profesionale është të njoftoni menaxherin apo punëdhënësin tuaj rreth shqetësimeve që keni.

I ndërprisni të tjerët

Të gjithë duan të ndjehen të përfshirë, të jenë pjesë e ekipit dhe të japin mendimin e tyre. Mirëpo, askujt nuk i pëlqen të ndërpritet gjatë kohës sa është duke folur. Profesionale në këtë rast është ta lini kolegun/en ta përfundojë fjalinë e pastaj të jepni mendimin tuaj.

Injoroni gjërat “e vogla”

30 minutat e para të mëngjesit rekomandohet të ndahen për gjëra të cilat mund të mendoni që janë të vogla, si p.sh ta organizoni desktopin, e-mailin, t’i ktheni emails të cilat presin përgjigje e shumë të tjera. Këto mund të mos jenë prioritete për shumë njerëz mirëpo janë shumë të rëndësishme në një vend pune.

Bëni thashetheme

Thashetheme ka pothuajse në çdo vend pune dhe ndonjëherë mund të jetë e vështirë të evitohen. Negativiteti në punë nuk ju çon asgjëkundi. Kështu që, largohuni kur e shihni se biseda po kalon në negativitet dhe po flitet për persona të tjerë që nuk janë prezent.

Premtoni shumë dhe realizoni pak

Një ndër gjërat e tjera që konsiderohet jo profesionale në punë është angazhimi për një punë dhe mos përfundimi i saj në kohë. Një gjë e tillë tregon besueshmëri të dobët dhe nëse vazhdoni ta bëni atë, njerëzit do të fillojnë të dyshojnë në aftësitë tuaja.

Fillo Kuizin
Testojeni veten, mësoni më shumë dhe argëtohuni në të njejtën kohë nëpërmjet kuizeve që ofrojmë ne për ju.
  • Cili mot nuk është kërcënues për uljen dhe ngritjen e avionëve?
    A
    Vetëtima
    B
    Shiu i lehtë
    C
    Reshjet e borës
  • Në cilin vend afrikan ka më shumë reshje?
    A
    Zimbabve
    B
    Kamerun
    C
    Burkina Faso
    D
    Sudan
  • Në cilin shtet ishte ajri më i ndotur gjatë vitit 2019?
    A
    Kinë
    B
    Japoni
    C
    Indi
    D
    Kosovë
  • Cila nga këto përshkruan se sa avull është në ajër?
    A
    Lagështia
    B
    Temperatura
    C
    Asnjëra
  • Çfarë instrumenti përdoret për të matur reshjet?
    A
    Barometri
    B
    Pluviometri
    C
    Anemometri
  • Si quhen retë e bardha dhe të "gëzofta" që shihen vetmas por edhe në grupe?
    A
    Cumulus
    B
    Cirrus
    C
    Stratus
  • Ku ndodhën përmbytjet e lumit të verdhë të vitit 1887 që mbyten 2 milionë njerëz?
    A
    Austro Hungari
    B
    Meksikë
    C
    Kinë
    D
    Irlandë
  • Çka ka në jonosferë?
    A
    Më shumë oksigjen
    B
    Grimca me ngarkesë pozitive dhe negative
    C
    Asgjë
  • Cili simbol përdoret në hartën e motit për të treguar një front të ftohtë?
    A
    Simboli i reve
    B
    Një vijë e lakuar e kuqe me gjysmë rrathë
    C
    Një vijë e lakuar blu me trekëndësha
  • Cilën zonë kohore e përdorin meteorologët për të raportuar të dhënat e tyre?
    A
    UTC
    B
    PST
    C
    CST
1
/
10
ARTIKUJ TË NGJASHËM
3 hapa se si ta përmirësoni vetë-diciplinën në punë
Vetë-diciplina është aftësia për t'i rezistuar impulseve, për të mbajtur fokusin, si dhe aftësia për t'i parashikuar projektet deri në përfundim. Në përgjithësi, punonjësit bëjnë manovrime gjatë menaxhimit të përgjegjësive. Në kuadër të këtyre përgjegjësive përfshihet edhe menaxhimi i të tjerëve, delegimi i punës, përfshirja në zgjidhjen e problemeve ose mosmarrëveshjeve gjatë procesit të punës. Vetë-diciplina kategorizohet nga këmbëngulja dhe vullneti që keni në vend pune, si dhe vëmendja që i kushtoni një detyre derisa ta përfundoni atë me sukses. Punonjësit të cilët janë të vetë-diciplinuar nuk shpërqendrohen lehtë. Ata mund të ruajnë përqendrimin përkundër pengesave që mund t’i kenë nga të tjerët. Vetë-diciplina në punë ju ndihmon që të jeni të përkushtuar në tërësi në detyrat përkatëse që mund t’i keni. Prandaj, është e nevojshme ta praktikoni vetë-diciplinën. Këtë mund ta bëni fillimisht duke vlerësuar nivelin e vetë-diciplinës që keni, si dhe duke ja parashtruar vetes disa pyetje si në vijim: *Cilat janë objektivat ditore që po ja caktoj vetes?*A kam ndërmarrë hapa për t’i shmangur shpërqendrimet që ngadalësojnë progresin e punës?*A po i jap vetes kohë të mjaftueshme për përfundimin e detyrave?*Cilat shprehi i kam përvetësuar deri më tani? Akademi Pune ju informon se si përmes 3 hapave mund ta përmirësoni diciplinën tuaj në vendin e punës: Rikujtoni rregullat e motivimit. Ka disa këshilla rreth motivimit dhe përcaktimit të synimeve që mund t'ju ndihmojnë të përmirësoni këmbënguljen tuaj në punë. Së pari, aty ku është e mundur, vendosni qëllimet tuaja. Përmbushja e qëllimeve ditore që ja përcaktoni vetes, qoftë ato të vogla apo të mëdha, ju ndihmon në ngritjen e motivimit tuaj. Nëse keni një qëllim që ju tërheqë dhe motivon, do ta keni më të lehtë ta drejtoni vëmendjen tuaj drejt arritjes së atij qëllimi. Kur përfundoni me sukses qëllimet që keni, sigurohuni që të ndani kohë për të shpërblyer përpjekjet tuaja. Kësisoj, ju vetë-motivoheni për punën e kryer, si dhe ndiheni më i gatshëm për qëllimet e radhës. Evitoni shpërqendrimet. Si shumë aftësi të tjera, vetë-diciplina përmirësohet më së miri me anë të praktikës së vazhdueshme pasi që është shprehi që përvetësohet. Një nga format më të mira për realizim të objektivave, është evitimi i shpërqendrimeve që ju pengojnë gjatë procesit të punës. Për të filluar procesin e evitimit të shpërqendrimeve, gjatë orarit të punës kujtoni momentet kur jeni shpërqendruar gjatë kryerjes së një detyre, si dhe shkruani diku se cilat ishin ato shpërqendrime. Ato mund te jenë si p.sh telefoni juaj, mesazhet qe merrni nga jashte apo diçka e ngjajshme. Prandaj, identifikimi i tyre ju ndihmon të vendosni se si t’i evitoni ato. Mos harroni, për të ndryshuar mënyrën se si punoni ju duhet kohë, prandaj duhet të keni durim përderisa evitoni shpërqendrimet nga dita juaj e punës. Mendoni mirë para se të merrni vendime. Vendimet që merrni për detyra të caktuara në punë, qoftë ato ditore apo javore, ndikojnë në punën tuaj drejtpërdrejt. Hulimtimet tregojnë se vendimmarrja nuk është gjë e lehtë. Prandaj, është e rëndësishme analiza që bëni para se t’i merrni ato vendime. Durimi që shfaqni gjatë vendimmarrjes ju ndihmon shumë në përmirësimin e vetë-diciplinës. /AkademiPune  
Lexo më shumë
Njihuni me Fjolla Rracin, “zërin” e personave me nevoja të veçanta
“Kam dëshirë të punoj fort, ta tejkaloj veten e tanishme e të arrij të bëhem versioni më i mirë i vetes në të ardhmen, duke i shërbyer shoqërisë, e sidomos atyre që kanë zë e nuk dëgjohen” - Fjolla Rraci Gjërat e vogla, shpeshherë na bëjnë të ndihemi të mëdhenj, aq më tepër kur të njëjtat dhurohen me kujdes dhe dashuri. Tash e sa vite, është personi më i dashur për njerëzit me nevoja të veçanta. Puna e saj në pranimin dhe avancimin e këtyre personave në shoqëri kudo në botë, është ajo që e ndërton dhe plotëson çdo ditë. Për të gjithë ata që e njohin, Fjolla Rraci shihet gati gjithmonë në shoqërinë e njerëzve me nevoja të veçanta. Në përditshmëri e në rrjete sociale, ajo nuk rresht së ngrituri çështje me rëndësi për ta. Ajo është përherë aty, për ta, me ta. Puna dhe angazhimi i saj kanë rritur shpresën për një pranim dinjitoz të personave me nevoja të veçanta në shoqërinë kosovare dhe më gjerë. Roli i saj në inkuadrimin e këtyre personave në shoqëri është vërtetë i madh. Ky angazhim madje ka arritur edhe të depërtojë përtej oqeanit atlantik, në vendin ku mundësitë janë shumëfish më të mëdha se tek ne. Ndonëse përfaqëson një natyrë të butë, ajo nuk ndalon së treguari edhe anën e saj luftarake kur vjen puna tek integrimi i njerëzve me nevoja të veçanta. Por si nisi i gjithë ky rrugëtim i Fjollës? Në një intervistë për AkademiPune, ajo foli më shumë rreth angazhimit të saj disa vjeçar për personat me nevoja të veçanta. “Nuk kam një datë të saktë se kur kam filluar të merrem me punë vullnetare por e di që ka qenë periudha e adoleshencës, atëherë kur fillon edhe i sheh më shumë paragjykimet e të tjerëve, pastaj sheh që nuk dëshiron të bëhësh pjesë e tyre. E duke mos u bërë pjesë e tyre, bëhesh pjesë e grupit që paragjykohet dhe në mënyre vullnetare ndihmon ata”, tregon fillimisht Fjolla. Për Fjollën, çdo moment, çdo rrethanë është e vlefshme për të rritur sadopak vetëdijën mbi integrimin në shoqëri të personave me nevoja të veçanta.   “Është shumë e vështirë për ta vlerësuar veten dhe rolin tim në shoqëri, por e di që me mendje e zemër jam munduar që çdokush që më është afruar e me këdo që kam shkëmbyer të paktën dy - tri fjalë të jenë fjalë për vetëdijësimin dhe gjithëpërfshirjen e personave me nevoja të veçanta në shoqëri. Jam munduar që në shkollat që kam punuar të mirë-informoj nxënësit dhe mësimdhënësit e të krijoj një ambient gjithëpërfshirës për nxënësit me nevoja të veçanta që asistoja atë kohë” Të jetuarit me personat me nevoja të veçanta, Fjolla thotë se e ka bërë të përjetojë dy emocione shumë të ndryshme; se sa e dashur dhe e vrazhdë është bota. E dashur nga ajo që njeriu merr prej personave me nevoja të veçanta dhe e vrazhdë nga ajo që rrethi ofron. “Është përtej të pashpjegueshmes sa paragjykuese, diskriminuese dhe jo njerëzore mund të jetë bota dhe njerëzit pa nevoja te veçanta”, thotë Fjolla. Një ndër dëshirat e saj është krijimi i programeve për punë vullnetare në shkollat në Kosovë, në mënyrë që të gjithë të informohen njësoj rreth të gjitha shtresave shoqërore, çka sipas saj mungon shumë. “Nëse mësohemi ta duam tjetrin për atë që është e duke mos e përqeshur ose gjykuar për atë që është e ashtu siç është, bota do të ishte vend akoma më i jetueshëm” Në punën e saj të përditshme, Fjolla punon kryesisht me personat me Sindromën Down dhe ata me autizëm. Së fundmi, në Times Square u shfaq fotografia e pesëvjeçarit Beni Godeni bashkë me Fjollën e cila më herët kishte qenë kujdestarja e tij. Fotografia u përzgjodh në mesin e 100 fotografive më të mira në konkursin e përvjetshëm të Shoqatës Ndërkombëtare të Sindromes Down. “Në momentin kur është përzgjedhur fotoja e Benit, e jona e përbashkët, të shfaqet në Times Square ka qenë një ndjesi shumë e mirë ama jo arritja ime më e madhe, ka qenë shumë e rëndësishme sepse është diskutuar shumë e në momentin që diskutohet Beni flitet edhe për sindomen Down, e sa më shumë që flitet aq më e zëshme bëhet kjo pjesë e shoqërisë e aq më shumë informohen të tjerët.” Fjolla Rraci momentalisht jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo vazhdon edhe atje angazhimin e saj për personat me nevojat e veçanta. 
Lexo më shumë
Si ta gjeni punëdhënësin për të cilin dëshironi të punoni?
Çdo fillim i ri ka ka edhe sfida të reja. Një prej sfidave me të cilën përballen njerëzit në mbarë botën është edhe marrëdhënia e punës, duke nisur nga një intervistë e thjeshtë e deri tek fillimi i punës. Mirëpo, po aq sa mund të jetë sfiduese dhe e rëndësishme përzgjedhja e kandidatëve potencialë për një pozitë konkrete nga ana e punëdhënësve, po aq sfidues dhe i rëndësishëm është edhe vendimi i punëkërkuesit për t’u bërë pjesë e një kompanie. Në produktivitetin e punës dukshëm ndikon edhe hierarkia brenda kompanisë, rëndësia e ndarjes së duhur të detyrave dhe përshtatja e duhur me menaxherët apo mbikqyrësit. Kjo, ngase përafrimi i ideve në menaxhimin dhe realizimin e detyrave specifike shpesh mund të jetë çelësi i çdo suksesi gjatë një marrëdhënie të punës. Studimet thonë se të paktën 75% e arsyeve pse punëtorët largohen nga kompanitë është për shkak të punëdhënësve ose menaxherëve të këqinj. Kështu që, para se të pranohet një ofertë pune, duhet të analizohet gjithashtu edhe se si ka mundësi të zhvillohet marrëdhënia me punëdhënësin ose me menaxherin. Të punohet për një punëdhënës të mirë ose të keq ka shumë rëndësi se si dikush ndjehet për punën ose për kompaninë ku punon. Se si mund të zhvillohen ngjarjet apo raportet me dikë është e pamundur ta dimë, mirëpo një hulumtim i vogël rreth kompanisë apo punëdhënësit mund të tregojë sadopak nëse një marrëdhënie pune mund të zhvillohet si duhet. Arion Rizaj, drejtor i dy kompanive të njohura në Kosovë, HumanPower dhe KosovaJob, thotë se të gjithë duam dhe mundohemi që kohën kryesisht ta kalojmë me njerëz me të cilët kemi gjëra dhe qëllime të përbashkëta, në mënyrë që të ecim tutje në jetë, kësisoj edhe punëdhënësi duhet të jetë dikush me të cilin punëtorët kanë diçka të përbashkët. “Në një paralele të ngjashme, të gjesh punëdhënësin për të cilin dëshiron të punosh, do të thotë që si i punësuar ta japësh maksimumin nga vetja jote dhe mbi të gjitha të jesh e të mbetesh vetëvetja! Kjo na hap dyert që edhe qëllimet tona personale, t’i arrijmë bashkarisht me kompaninë dhe të ndjehemi të lumtur për suksesin e përbashkët. Të ndjehesh i lumtur në një vend pune, do të thotë ta kryesh punën me pasion dhe me ndërgjegje, të mendosh në mënyrë kreative dhe t’i pranosh sfidat. Kjo na ndihmon të zhvillohemi si individë dhe ta përjetojmë vendin e punës si shtëpinë tonë”, shpjegoi Arion Rizaj. Për ta gjetur punëdhënësin për të cilin do të punonit më shumë dëshirë, duhet  t’i analizoni disa gjëra. 1.Hulumtoni rreth punëdhënësit. Sikurse punëdhënësi juaj që dëshiron të informohet më shumë lidhur më kualifikimet apo referencat tuaja, interesohuni po njësoj edhe ju rreth punëdhënësit potencial. Do t'iu ndihmonte shumë nëse njihni dikë që ka punuar me atë punëdhënës që të mund të merrni më shumë informacione lidhur më përvojat e tij. 2. Bëni pyetje në intervistë. Për ta kuptuar nëse punëdhënësi është i duhuri për ju ose jo, e mira do të ishte nëse shtroni edhe disa pyetje gjatë intervistës. Ju mund të bëni pyetje të cilat ua lejojnë të merrni më shumë informacione rreth punëdhënësit dhe si rrjedhojë të kuptoni nëse pikëpamjet tuaja ndeshen me ato të tij. “Duke i bërë pyetje punëdhënësit tuaj potencial, ju do të mund të kuptoni rreth pikëpamjeve të tij sadopak, kjo do t’iu ndihmojë ta keni më të qartë nëse ajo mundësi pune është e mirë për ju ose jo. Nëse qysh në fillim arrini të kuptoni  diçka rreth punëdhënësit, nuk do të ketë vend për mosmarrëveshje në të ardhmen”, shtoi Rizaj. Mund të bëni pyetje si: Si e stimuloni bashkëpunimin brenda ekipit? Si i motivoni punëtorët?  3. Hulumtoni në rrjetet sociale. Një tjetër mundësi  e mirë për të mësuar më shumë rreth punëdhënësit potencial, janë rrjetet sociale. Duke e parë se çka dikush poston në rrjete sociale si Facebook, Twitter dhe LinkedIn, sadopak mund të arrini te paramendoni se si do të ishte të punoni për të. Kjo mund t’ua lehtësojë marrjen e vendimit për punën .
Lexo më shumë
Si të jeni produktivë edhe kur punoni nga shtëpia?
Rrethanat e ndryshme, qofshin ato të njohura apo të papritura, mund të ndikojnë rrjedhën normale të jetës sonë. Si rezultat i këtyre rrethanave, edhe veprimtaria e rregullt e punës ndonjëherë duhet të realizohet jashtë ambientit të punës, çka ndryshe njihet edhe si puna nga shtëpia. Mirëpo, sa efektive është puna nga shtëpia? Në një studim të realizuar kohëve të fundit nga ConnectSolutions, 77% e të anketuarve thanë se janë më produktivë kur punojnë nga distanca, krahasuar me punën në një ambient zyre. Ndërkaq, në një tjetër anketim, 82% e të anketuarve raportuan se ndjeheshin më të lumtur kur punonin nga distanca. Ani pse në vështrim të parë, realizimi i punës nga shtëpia mund të duket edhe si diçka e vështirë dhe shpesh e pamundur, ka edhe shumë mënyra se si punonjësit të jenë të fokusuar dhe mjaft produktiv. AkademiPune, ju sjellë disa këshilla për të lehtësuar përshtatjen tuaj edhe kur punoni nga distanca. Caktoni një orar të rregullt Puna nga shtëpia, vjen me shumë fleksibilitet. Mirëpo, ky fleksibilitet mund të ndikojë negativisht tek produktiviteti i punëtorit. Nëse nuk i caktoni vetes një orar të rregullt edhe kur punoni nga shtëpia, ju mund të përfundoni duke punuar ndoshta gjatë gjithë ditës, t'i përfundoni punët vonë, apo edhe të punoni përsëri gjatë orëve të vona. Prandaj, vendosni se kur do të punoni dhe kur jo. Gjeni një vend të përshtatshëm për të punuar Në mënyrë që të shmangni shpërqëndrimet dhe të jeni produktivë edhe kur punoni nga shtëpia, mundohuni të gjeni një vend të veçantë ku nuk keni komunikim me anëtarët e tjerë të familjes. Nëse nuk e keni një dhomë të veçantë ku nuk ju pengon askush, gjeni një hapësirë ku të paktën mund të jeni më të fokusuar. Mos e zhvendosni vëmendjen në gjëra të tjera Kur nuk mendoni për gjërat e tjera rreth shtëpisë, ju do të mund të përqëndroheni më shumë, kësisoj të rrisni edhe produktivitetin tuaj. Te gjitha detyrat / gjërat e tjera që nuk lidhen me punë, mund t'i përfundoni jashtë orarit të punës, siç do ta bënit zakonisht. Nëse është e mundur, rrini me një orar të rregullt në hapësirën ku keni vendosur të punoni dhe respektoni të njejtat orë, sikur të punonit në zyrë. Sigurohuni që pajisjet e telekomunikimit të jenë në rregull Që të jeni në koordinim me anëtarët e tjerë të ekipit dhe në dispozicion për thirrje me video apo konferenca, kontrolloni vazhdimisht pajisjet e telekomunikimit. Gjithashtu, planifikoni të bisedoni në baza të rregullta me pjesën tjetër të stafit, në mënyrë që të shkëmbeni ide, sepse një gjë e tillë do t’ju mbajë më produktivë. Parandaloni ndërhyrjet Ndonjëherë, miqtë, familjarët apo njerëzit përreth mund të mos e kuptojnë punën nga shtëpia. Prandaj, është shumë e rëndësishme të mos lejoni ndërprerje në punë, sepse ndërprerjet mund të ndikojnë që ju të humbni fokusin, të mbeteni vonë në përfundimin e detyrave apo edhe të keni nevojë për kohë shtesë. Kësisoj, fillimisht informoni njerëzit përreth që jeni në orar të punës dhe keni nevojë për qetësi dhe përqëndrim.  Në fund të ditës, largoni mjetet elektronike Pas një dite pune, largoni pajisjet elektronike që të relaksoheni. Në këtë mënyrë do të jeni produktivë edhe ditën tjetër. /AkademiPune.
Lexo më shumë
KosovaJob është rrjeti më i madh i punësimit në Kosovë, i çertifikuar nga Bureao Veritas me ISO 9001: 2015 për Menaxhimin e Cilësisë.