Arsim Mehmeti, kuzhinieri me mbi 30 vite përvojë pune

18 Jun, 2020

Arsim Mehmeti, kuzhinieri me mbi 30 vite përvojë pune
	 	 

Karrierën e tij si kuzhinier e filloi në vitet e 90-ta. Pasi mori diplomën për ushtrimin e profesionit të kuzhinierit, gjithmonë kishte dëshirë hapjen e një restauranti. Kësisoj, pasionin e tij si kuzhinier e vazhdoi duke e hapur një restaurant personal. Është ky Arsim Mehmeti, njëri ndër kuzhinierët me më së shumti përvojë në Kosovë.

Në një intervistë për AkademiPune, kuzhinieri Mehmeti foli për përparësitë, sfidat e gjithçka tjetër që shoqërohet me profesionin si kuzhinier.

“Si i ri fillova ta mendoj hapjen e një restauranti. Rregullat asokohe ishin më ndryshe, pasiqë duhej diplomë për profesionin e kuzhinierit, për të pasur të drejtë hapjen e një restauranti apo kafiterie. Unë veçse e kisha një diplomë të tillë që e kisha marrë në vitin 90 për kamarier dhe kuzhinier”, rrëfen fillimisht Mehmeti.

Arsim Mehmeti

Duke qenë se profesionin e tij nisi ta ushtronte në një kohë kur teknologjia dhe rrjetet sociale nuk ishin në nivelin që janë sot, Mehmeti tregon se sigurohej t’i përcillte vazhdimisht trendet e fundit përmes kontakteve me kuzhinierë të njohur dhe përmes librave të ndryshëm rreth kulinarisë. Kjo ka bërë që Mehmeti sot të ketë një bibliotekë të pasur me libra rreth kuzhinës.

Karrierën e tij si kuzhinier e ka zhvilluar edhe jashtë Kosovës, gjegjësisht në SHBA. Ai rrëfen se si ka ndikuar përvoja e tij 2-vjeçare në SHBA gjatë viteve 97-99, si për dhe mësimet që mori nga një profesionist i kulinarisë.

“Këtë zanat e kam zhvilluar në SHBA gjatë viteve 97-99 ku kam fituar një përvojë jashtëzakonisht të veçantë, përvojë kjo që më inkurajoi të vazhdoj tutje me këtë profesion. Ndërsa në vitin 2001, në restaurantin tim kam pasur një profesionist të kulinarisë nga Holanda ku kemi punuar së bashku për disa javë dhe kemi shkëmbyer përvojat tona rreth kuzhinës. Ai me përvojën e tij më ka njoftuar me finesat e para rreth kuzhinës”

Përparësitë dhe mangësitë e profesionit të kuzhinierit

Përparësi dhe mangësi vijnë me secilin profesion. Sipas Mehmetit, njëra ndër mangësitë e të qenurit kuzhinier është se profesioni di të shkaktojë nervozizëm dhe shumë shefa kuzhine kanë sfidat e tyre. Kjo sepse të shumtën e kohës janë në stres dhe janë duke menduar rreth ushqimit.“Madje unë personalisht kur bie në gjumë, po ashtu edhe kur zgjohem, jam i ngarkuar me mendime për ushqimin, se si do të kalojë dita e nesërme në punë dhe se a do të ndahen të kënaqur klientët që do ta vizitojnë restaurantin tim”

Arsim Mehmeti

E sa i përket përparësive, ai përmend kënaqësinë që kuzhinierët marrin kur ushqimet gatuhen ashtu siç janë planifikuar në mënyrë që klientët të ndahen të kënaqur.

Restauranti i tij A&A njihet edhe si njëri ndër restaurantet më të vjetër në Prishtinë. Por për të ardhur deri tek kjo arritje, Mehmeti theksoi se nuk munguan peripecitë dhe sakrificat. Pasioni i tij i madh për kuzhinën e motivoi ta realizonte qëllimin e tij dhe të hapte këtë restaurant i cili ekziston dhe njihet shumë edhe sot.

“Së pari kam filluar me përgatitjen e picave, pastaj këtë vend e kam transformuar në restaurant tradicional, më tutje në atë italian, varësisht nga kërkesa kam shtuar edhe ushqime të kulturave të ndryshme ngase restauranti frekuentohej edhe nga persona të huaj. Mund ta them pa modesti se këtë biznes e kam krijuar me mund dhe me shumë sakrifica dhe ekzistimi i këtij biznesi qe një kohë të gjatë tregon vetë për suksesin e tij. Me 12 janar, ky restaurant i mbush plot 30 vite prej se është hapur”.

Arsim Mehmeti është i njohur edhe si fytyrë publike pasi për afër 5 vite me radhë ishte protagonist i emisionit “Çka ka me honger?”. Nëpërmjet këtij emisioni, Mehmeti përmes recetave të tij kontribuoi në inspirimin e kuzhinierëve të rinj dhe njerëzve që kanë pasion gatimin.

“Nëse e kalkulojmë me muaj apo vite atëherë del të kem përgatitur afër 1000 receta të ndryshme, ndoshta edhe më shumë, e që nuk është një numër i vogël i recetave. Nga këto receta kanë përfituar shumë persona po ashtu edhe restaurante. Shumë klientë dhe miq vazhdimisht më njoftojnë se recetat e mia po përgatiten në shumë restaurante tjera, gjë që më bën jashtëzakonisht të lumtur, pasi kjo tregon se ato receta po pëlqehen nga njerëzit”

Cka ka me honger

A ia vlen të bëhësh kuzhinier në Kosovë?

Restaurantet në Kosovë nuk janë pak, por sa janë cilësore? Në lidhje me këtë, Mehmetit tha se problemi qëndron tek cilësia e tyre dhe trajnimi i stafit. Ai shtoi se në shumë restaurante nuk kërkohet cilësi por sasi dhe kjo çon në mungesën e informimit nëse ajo që konsumohet është e mirë ose jo.

Për të, kjo ka qenë karriera që ka dashur gjithmonë. Ky profesion thotë se e plotëson pamasë. Mua personalisht më ushqen ky zanat, pasi që me jep forcë, energji, kurajo. Me pak fjalë e dua këtë zanat”

Puna e tij i ka frymëzuar edhe shumë të rinj të hapin restaurantet e veta. Shumë prej punëtorëve që kanë punuar në restaurantin e tij dikur, kanë vazhduar ta ushtrojnë zanatin e kuzhinierit në Kosovë dhe në vendet e tjera perëndimore si Francë, Gjermani e të tjera. Momentalisht, A&A ka gjithsej 6 të punësuar.

Krejt në fund, ai pati edhe një këshillë për të rinjtë që e kanë pasion kuzhinën dhe që synojnë të hapin restaurantet e tyre në të ardhmen.

“Duajeni këtë profesion, keni durim, si dhe punoni shumë për të korrur sukses. Nëse njëra nga këto mungon edhe suksesi është vështirë i arritshëm. Rinia sot mendon se brenda natës merret zanati dhe bëhen profesionistë por pa punë  është pothuajse e pamundur, e sidomos në zanatin e kuzhinierit. Një kuzhinier i mirë ka guxim të eksperimentojë kur hyn në kuzhinë, ai nuk frikësohet nga gabimet pasi ato i sheh si një mundësi përmirësimi. Unë gjithmonë kam pasur dëshirë të provoj gjëra të reja. Kjo më ka ndihmuar që ta perfeksionoj këtë profesion”, përfundoi Mehmeti.

Fillo Kuizin
Testojeni veten, mësoni më shumë dhe argëtohuni në të njejtën kohë nëpërmjet kuizeve që ofrojmë ne për ju.
  • Pjesët fizike të një kompjuteri siç janë tastiera dhe monitori cilësohen si pajisje të:
    T
    Hardware
    F
    Software
  • CPU (Central Processing Unit) njihet si ____ kompjuterit.
    A
    truri
    B
    pajisje dytësore
    C
    njësia
  • Ku bëjnë pjesë programet që japin udhëzime për kompjuterin?
    A
    Software
    B
    Hardware
    C
    ROM
  • Çfarë roli ka ky hard drive në foto?
    A
    Ruan informata përkohësisht
    B
    Jep udhëzime
    C
    Ruan informata në mënyrë të përhershme
  • Cila nga këto është pjesë softwerike?
    A
    MS Power Point
    B
    Printeri
    C
    Monitori
    D
    Tastiera
  • Si quhet pajisja që kontrollon dhe prodhon video në monitor?
    A
    Karta e memorjes
    B
    Karta e grafikës
    C
    Karta e ekranit
  • Çka nënkupton shkurtesa RAM?
    A
    Random Accurate Maps
    B
    Really Awesome Memory
    C
    Read Only Memory
    D
    Random Access Memory
  • Si quhet pajisja e paraqitur në foto?
    A
    Spinning Disk Drive
    B
    Optical Disk Drive
    C
    Hard Disc Drive
    D
    Floppy Disc Drive
  • Cila është pjesa më e rëndësishme e softwerit në kompjuter?
    A
    Aplikacionet
    B
    Sistemi operativ
    C
    Programet
    D
    Grafika
  • Cila pajisje është paraqitur në foto?
    A
    RAM
    B
    Karta e memorjes
    C
    CPU
1
/
10
ARTIKUJ TË NGJASHËM
CILËSITË E NJË LIDERI TË SUKSESSHËM
"Liderët bëhen të mëdhenj, jo për shkak të fuqisë së tyre por për shkak të aftësisë së tyre për t’i fuqizuar të tjerët" - John Maxwell Lidershipi ose udhëheqja është proces i ndikimit të një individi mbi një grup të caktuar njerëzish, në arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Me këtë nënkuptohet krijimi i raporteve reciproke mes liderit dhe grupit duke ndikuar realizimin e synimeve të një organizate nëpërmjet veprimeve të përbashkëta. Për një organizatë, lidershipi është shumë i rëndësishëm kur vjen puna tek procesi i organizimit dhe menaxhimit të situatave, zhvillimit apo mbarëvajtjes së punës në atë organizatë. Një lider duhet të jetë vizionar, të ketë për vizion arritjen e qëllimeve të përbashkëta por edhe të jetë i hapur ndaj grupit (pasuesve të tij) dhe të pranojë edhe pikëpamjet e pjesëtarëve të grupit. Procesi i lidershipit nuk duhet të përjashtojë as edhe një anëtar të grupit për të shfaqur vizionet dhe mënyren e tij të realizimit të qëllimeve. Christian Francis, Drejtor i Teleperformance Prishtina, në një intervistë për KosovaJob ka thënë se lidershipi është shumë i rëndësishëm për t’i përqëndruar njerëzit në atë që duhet bërë, prandaj sipas tij gjithmonë nevojitet një njeri që ta orientojë një grup njerëzish. “Në një punë ideale, lidershipi është i nevojshëm thjesht sepse njerëzit e dinë saktësisht se çfarë duhet të bëjnë dhe të bëjnë gjithçka mirë për të parën herë. Lidershipi dhe hierarkia janë të nevojshme për t’ i përqëndruar njerëzit në atë që duhet bërë dhe prandaj ata kanë nevojë për një person ose disa persona në kompani, që në fakt mund t’ua tregojnë të tjerëve rrugën apo t’iu japin direktiva se ku t’i fokusojnë përpjekjet e tyre, çka të përmirësojnë”, ka thënë ai. Sipas tij, secili njeri do të mund të punonte individualisht dhe mbase gjërat do të shkonin mirë mirëpo lidershipi shërben edhe për t’i motivuar të tjerët dhe sidomos nëse është duke u punuar në diçka që është shumë më e ndërlikuar, më e madhe, të cilën nuk mund ta menaxhojë një person i vetëm. Prandaj, nevojitet dikush që shpjegon se pse njerëzit duhet të kryejnë një punë të caktuar dhe pse ajo punë është e rëndësishme. Francis tha se shumë njerëz kur shkojnë në punë, nuk ia kanë idenë se pse janë duke e bërë atë punë, kësisoj duhet dikush t’ua rikujtojë atyre pse puna që po bëjnë është në të vërtetë e rëndësishme për të arritur objektivin e përgjithshëm të kompanisë. Cilat janë top karakteristikat e një lideri të mirë? Ndër cilësitë e një lideri të mirë në punë konsiderohen komunikimi i ideve, dëshira për të punuar me njerëz dhe të qenurit i besueshëm. Këtë pohim e mbështet edhe Francis. Ai tha se janë njerëzit ata që zgjedhin një lider dhe si i tillë ai duhet të jetë në gjendje të komunikojë me ta, të jetë gjithmonë i besueshëm dhe i hapur ndaj tyre. "Ndër cilësitë e para është të punohet shumë. Unë besoj se kjo është diçka që njerëzit thjesht e presin nga ju. Duhet të punoni shumë, edhe më shumë se njerëzit që ju rrethojnë.  Cilësi e dytë është të jeni në gjendje të komunikoni idetë, e treta është të pëlqeni të punoni me njerëz. Ju gjithnjë do të jeni në kontakt me njerëz, duhet t’i bindni se ju jeni personi i duhur për t’i udhëhequr sepse janë vetë njerëzit ata që e zgjedhin liderin e tyre.  Lideri nuk emërohet, njerëzit e zgjedhin atë. E që ata t’ju zgjedhin për lider të tyre, ju duhet të jeni në gjendje të komunikoni me ta dhe më e rëndësishmja është të jeni të besueshëm. Duhet t’i mbani të gjitha premtimet e juaja por gjithashtu t’u tregoni njerëzve rregulla të qarta dhe atë që prisni prej tyre”.Liderët kanë edhe shumë përgjegjësi sepse marrin vendime edhe për të ardhmen e njerëzve. Francis për KosovaJob sqaroi se një lider i mirë duhet të jetë edhe i drejtë. Patjetër që interesi i kompanisë duhet të merret parasysh por edhe i njerëzve gjithashtu. Jo të gjitha vendimet janë të mirëpritura nga njerëzit që punojnë për një kompani të caktuar prandaj ai theksoi se atyre duhet t’iu krijohet bindja se kompania ka edhe interesat e tyre në mendje dhe jo vetëm interesat e veta. Liderët duhet të jenë të gatshëm të kontribuojnë në çdo rrethanë në punën e tyre. “Liderët e mëdhënj në histori gjithnjë kanë qenë njerëz të cilët e kanë sakrifikuar tërë jetën e tyre për një kauzë, pa marrë parasysh sigurinë e tyre personale apo gjëra të tjera ”, tha Francis. Problemi tek liderët e rinj është bindja se janë të përsosur Të rinjtë kryesisht mendojnë se nuk bëjnë gabime. Këshillat që jep Francis për të gjithë të rinjtë është të kenë dëshirë të përmirësohen vazhdimisht dhe të mos hezitojnë të kërkojnë komente lidhur me punën të cilën e kryejnë. “Gjëja më e rëndësishme për të rinjtë është që të vazhdojnë të përmirësohen dhe të marrin komente rregullisht se si po e bëjnë një punë, është shumë e rëndësishme që të rinjtë të kenë parasysh se nuk janë të përsosur kur janë të rinj. Kur unë isha i ri, dikund 30 ose 35 vjeç, besoja se gjithçka ishte e përkryer dhe mendimi im ishte i duhuri. Mendoj që problemi më i madh që liderët e rinj kanë është se ata nuk dëgjojnë dhe hyjnë në dhomë me një ide të qartë rreth problemit dhe si ta zgjidhin atë, derisa kurrë nuk mund të dihet se cili është saktësisht problemi dhe si të zgjidhet”. Si rol kryesor të liderëve, Francis përmendi lehtësimin e komunikimit rreth problemit dhe daljen me një sërë zgjidhjesh, ku të gjithë mund të japin një kontribut dhe jo thjesht të hyjnë në dhomë duke menduar se veç e kanë planin në duar. Shumica e njerëzve mendojnë që lidershipi është të qëndrosh i pari, duke u treguar të tjerëve se cili është plani por një udhëheqje e mirë sipas tij është kur diskutohet edhe me njerëz të tjerë që dinë më mirë dhe më pas zbatohet zgjidhja e gjetur së bashku me ekipin. “Problemi i dytë që kanë udhëheqësit e rinj është se ata janë tepër optimistë, mendojnë se kurrë nuk do të bjerë shi, se asgjë nuk do të shkojë keq dhe pastaj zhgënjehen nëse dicka nuk shkon siç duhet. Kjo është diçka, në të cilën udhëheqësit e rinj kanë nevojë të punojnë, jo të gjithë por shumica e tyre. Këshilla e fundit është investimi në karrierë, liderët e rinj duhet të përpiqen të përmirësojnë rezultatet dhe të kërkojnë koment mbi punën e tyre. Shumica e njerëzve nuk duan të dëgjojnë komente sepse mund të jenë negative, të gjithë kanë frikë nga refuzimi dhe kjo është një nga disavantazhet që kanë udhëheqësit e rinj”, përfundoi ai.
Lexo më shumë
Rëndësia e inteligjencës emocionale në vendin e punës
Shumë shpesh përmendet koeficienti i inteligjencës (IQ) dhe rëndësia që ka. Mirëpo, ekziston edhe inteligjenca emocionale që luan një rol të rëndësishëm në jetën tonë dhe në synimet që i kemi për një karrierë të bujshme. Inteligjenca emocionale në “Forumin Botëror Ekonomik” ishte rankuar si shkathtësia e 6 nga 10 të tilla, që punonjësit duhet ta posedojnë për të pasur sukses në karrierë. Çka është inteligjenca emocionale? Inteligjenca emocionale përkufizohet si aftësia e personit për perceptimin, kuptimin, menaxhimin e ndjenjave dhe emocioneve si dhe shfaqja e empatisë karshi personave tjerë, e që do të thotë se ka rëndësi qasja që keni me kolegët e punës. Nga cilët komponentë përbëhet inteligjenca emocionale? Inteligjenca emocionale përbëhet nga disa komponentë. Këtë e thekson edhe psikologu i njohur Daniel Goleman. Ai nënvizon komponentet si në vijim: 1. Vetëdija. Kjo ka të bëjë me atë kur një person ka aftësi të pranojë dhe kuptojë emocionet që përjeton dhe se si ndikojnë ato tek të tjerët. Po ashtu, kur personi është në dijeni të shkathtësive dhe mangësive që posedon. Prandaj, në mënyrë që inteligjenca emocionale të jetë më efektive, duhet të fillojë nga vetja juaj, pasi që nuk mund të përmirësoni mirëqenien e të tjerëve pa kuptuar mirë emocionet personale.  2. Vetë-kontrolli. Një person me inteligjencë emocionale të zhvilluar ka aftësinë të shfaqë emocionet e veta me pjekuri dhe të vetëpërmbahet kur është nevoja. Me vetë-kontrollë ju jeni më të përmbajtur kur jeni në bashkëbisedim, pasi shfaqja e emocioneve dhe fjalëve pa menduar mirë mund edhe ta lëndoj bashkëbiseduesin.   3. Motivimi i brendshëm. Personat që janë emocionalisht inteligjentë vetë motivohen. Ata nuk motivohen nga paratë që marrin apo ndonjë çmim. Zakonisht janë optimistë dhe nuk dorëzohen lehtë kur ballafaqohen me sfida të ndryshme si në punë ashtu edhe në jetën private. 4.Empatia. Me empati nënkuptojmë një person që ka aftësi për të njohur dhe kuptuar motivet e tjetrit, e që është thelbësore për zhvillimin dhe ngritjen e suksesshme të raportit ndërmjet kolegëve në punë. 5. Aftësitë sociale. Aftësia për të mbajtur dhe krijuar marrëdhënie shoqërore të reja. Personat me aftësi të tilla janë në gjendje të krijojnë raporte dhe besueshmëri në kohë të shpejtë me kolegët në punë. Punonjësit me inteligjencë emocionale të zhvilluar kanë karrierë më të suksesshme Shumë punëdhënës, përdorin IE (Inteligjencën emocionale) si formë për të vlerësuar se cili nga punonjësit ka potencial udhëheqës, prandaj është shumë e rëndësishme që punonjësit t’i kushtojnë më shumë rëndësi inteligjencës emocionale dhe ndikimin që kanë te kolegët e punës. Çdo ditë ne marrim vendime që bazohen në emocionet tona. Ka momente kur jemi skeptikë se me cilin plan të vazhdojmë dhe cili do të ishte më frytdhënës. Kur e kuptojmë origjinën dhe burimin e emocioneve tona, veçanërisht kur punojmë në grup, arrijmë te harmonizimi dhe mirëkuptimi me grupin më lehtë. Paralelisht me socializimin e njerëzve, është rritur edhe rëndësia e inteligjencës emocionale si në vend pune ashtu edhe në jetën e përditshme. Para së gjithash, inteligjenca emocionale në vend pune vjen si shenjë e mirëkuptimit, shprehjes së lirë, menaxhimit të marrëdhënieve mes kolegëve dhe zgjidhjes së problemeve që mund të paraqiten gjatë procesit të punës. /AkademiPune
Lexo më shumë
Tiparet që kanë punonjësit e dalluar
Të gjithë e kemi një koleg në punë që është më i dalluar, më energjik, më i motivuar si dhe që posedon tipare që e veçojnë nga të tjerët. Në një studim të realizuar me anë të një pyetësori u intervistuan më shumë se 500 udhëheqës biznesi, të cilët u pyetën se si e dallojnë një punonjës nga të tjerët. Hulumtuesit kërkuan ta dinë pse disa njerëz janë më të suksesshëm se të tjerët në vendin e punës. Përgjigjet ishin mjaft befasuese pasi udhëheqësit zgjodhën “personalitetin” si arsyen kryesore.Posaçërisht, 78% e udhëheqësve theksuan se personaliteti është mënyra që veçon punonjësit e dalluar, shifër kjo më e lartë se sa përshtatja kulturore me 53% si dhe më e lartë se sa shkathtësitë e punonjësit 39%. Personaliteti përbëhet nga një sërë preferencash dhe prirjesh të qëndrueshme, e që janë faktorë mjaft të rëndësishëm pasi paraqesin mënyrën e qasjes sonë karshi botës.Tiparet e personalitetit formohen në një moshë të re dhe zhvillohen në fazat e para të moshës madhore. Gjatë jetës suaj ju pësoni shumë ndryshime, mirëpo personaliteti nuk është njëra prej tyre. Akademi Pune ju sjell disa nga tiparet që kanë punonjësit e dalluar: Gjithmonë kërkojnë më shumë Punonjësit e dalluar kanë bindjet e tyre se gjithmonë mund të arrijnë rezultate më të mira. Pavarësisht rezultateve pozitive që i arrijnë, punonjësit e dalluar janë të uritur për përmirësim, pasi që kanë mentalitetin fitues dhe bindjen se kësisoj kanë arritje më të mëdha si personale ashtu edhe profesionale. I menaxhojnë me qetësi mosmarrëveshjet Ata reagojnë me maturi në raste mosmarrëveshjesh me kolegët në punë. Gjithashtu vetëpërmbahen përderisa sqarojnë pikëpamjet dhe idetë e tyre. Nuk reagojnë me vrull në rast se ndihen të rrezikuar, i evitojnë pengesat me lehtësi pasi që në mendjen e tyre kanë qëllime të mëdha. Kontrollojnë egon e tyre Punonjësit në fjalë nuk i kushtojnë shumë rëndësi egos së tyre, sidomos kur është fjala për përmirësimin e punës në grup. Ata janë në gjendje ta pranojnë gabimin si dhe të gatshëm ta vazhdojnë punën duke përkrahur idenë e tjetrit. Kësisoj, ruhet edhe harmonia brenda ekipit të punës. Janë të përgjegjshëm Tipari që e veçon një punonjës të dalluar është marrja e përgjegjësisë kur është nevoja. Ata e zotërojnë punën e tyre, vendimet e tyre, si dhe marrin përgjegjësi për rezultatet e punës së tyre, qoftë ato pozitive apo negative. Janë të guximshëm Pa dyshim se një punonjësi të dalluar nuk mund t’i mungojë guximi dhe vetëbesimi. Punonjësit e dalluar nuk hezitojnë t’i shprehin mendimet e tyre, të bëjnë pyetje apo edhe ta sfidojnë ndonjë vendim të marrë nga anëtarët e tjerë. Kësisoj, ata tregojnë se sa të guximshëm janë dhe se janë të gatshëm që në të ardhmen të marrin vendime të rëndësishme për kompaninë.
Lexo më shumë
Sjelljet që mund t'ju çojnë drejt humbjes së vendit të punës
Menaxhimi i emocioneve është një gjë e vështirë për t’u bërë. Si shkak i kësaj, shumë njerëz mund të kalojnë edhe në sjellje negative. Sjelljet negative në vendin e punës mund të krijojnë përshtypjen se jeni një person negativ apo i vrazhdtë dhe mund të çojnë drejt ndërprerjes së marrëdhënies së punës. Vonesat. Ky zakon mund t’ju dëmtojë shumë në vendin tuaj të punës. Vonesat për në punë apo vonesat në dorëzimin e detyrave të punës mund të ndikojnë në shtyerjen e projekteve dhe si rrjedhojë kompania mund t'ju largojë nga roli juaj. Thashethemet.  Të gjithë ndjehemi keq kur dëgjojmë se dikush ka thënë fjalë të pakëndshme prapa shpinës sonë. Thashethemet për bashkëpunëtorët tuaj mund t’ju ndikojnë negativisht në qëndrimin tuaj në një vend pune. Deklaratat paragjykuese. Ndonëse jemi të lirë të flasim, duhet të kemi kujdes se çka themi. Deklaratat raciste apo paragjykuese, që tregojnë jotolerancë ndaj të tjerëve, janë shumë të dëmshme. Një gjë e tillë mund të ndikojë negativisht tek pjesa tjetër e stafit dhe në raportin tuaj me punëdhënësin. Ngacmimi.  Kjo jo vetëm që ndikon në performancen e punës por mund edhe të ndikojë që punëtorët të ndjehen të rrezikuar.  Shumica e njerëzve i ngacmojnë të tjerët duke abuzuar me fuqinë që mund të kenë. Personat që ngacmojnë të tjerët jo gjithmonë kanë një rrugëtim të gjatë në një kompani. Gënjeshtrat.  Një tjetër gjë cila mund të çojë drejt humbjes së vendit të punës, janë gënjeshtrat. Abuzimi me të ardhurat e kompanisë, vjedhja e punëdhënësve, kolegëve, keqpërdorimet e ndryshme, mund të nxisin edhe gënjeshtrën dhe të çojnë në humbjen e vendin të punës. Komunikimi i dobët me email. Komunikimi me e-mail mund të përfshijë shumë gjëra, ndër to është injorimi i emaileve. Nëse jeni prej atyre personave që nuk i ktheni emailet, i ktheni shumë me vonesë apo harroni të përgjigjeni, mund të jeni duke tingëlluar si joprofesionistë dhe ta rrezikoni punën tuaj.   Joefikasiteti.  Zakonet e këqija si mungesa e organizimit apo të qenit shumë llafazan, mund t’ju bëjnë një koleg jo shumë efikas dhe të padëshiruar në kompani. Kështu që, mos e shpenzoni kohën në mënyrë jo të duhur dhe me gjëra që nuk lidhen me punën. Mungesa e vëmendjes. Një zakon shumë i keq e që mund ta kenë shumë punonjës është edhe mungesa e vëmendjes. Një gjë e tillë, mund të jetë shumë e dëmshme për karrierën tuaj sepse asnjëherë nuk do të arrini ta vlerësoni siç duhet kulturën e vendit të punës. Njohuritë e dobëta rreth vendit të punës, mund t’ju bëjnë një person më pak të dëshiruar për një kompani.
Lexo më shumë
KosovaJob është rrjeti më i madh i punësimit në Kosovë, i çertifikuar nga Bureao Veritas me ISO 9001: 2015 për Menaxhimin e Cilësisë.