Rashica, trajneri i ri më i suksesshëm në basketbollin kosovar

13 Qershor '20

Rashica, trajneri i ri më i suksesshëm në basketbollin kosovar
	 	 
"Shumë tituj, shumë suksese, respekt nga njerëzit e mirë, përulje nga disa të tjerë. Përulja rriti inatin, respekti shtoi motivin" - Andin Rashica 

NJihet si njëri ndër trajnerët më të talentuar, njëherish edhe si njëri prej trajnerëve i cili shumë i ri në moshë karrierën e tij në basketbollin në Kosovë po arrinë ta mbushë përplot me suksese. Që nga mosha 12 vjeçare u mor vazhdimisht me sport, e në moshën 16 vjeçare u angazhua edhe si trajner.

Ndonëse i ri në moshë, lidhja e tij me basketbollin ka bërë që Andin Rashica të ndërmarrë një hap të rëndësishëm në jetë. Ky hap, për Andinin ishte një ëndërr të cilën ai tashmë e ka realizuar.

Me rrugëtimin e tij po arrinë të lë gjurmë të mëdha në basketbollin kosovar. Pos kësaj, ai po arrin të inkuadrojë dhe trajnojë plot të rinjë që të jenë pjesë e këtij sporti. Andin Rashica, nëpërmjet një interviste me AkademiPune, ndan me lexuesit rrëfimin e tij, me shpresën që t’i frymëzojë të rinjtë e tjerë në rrugëtimin e tyre.  

Andin Rashica

“Ishte periudha e luftës në Kosovë kur fillova të merrem me sport, isha në Prishtinë dhe luaja vazhdimisht me fëmijët e lagjës. Pas luftës në Kosovë, e vazhdova përsëri rrugëtimin tim në sport, një kohë ika jashtë Kosovës por gjithmonë me dëshirën dhe vullnetin për një karrierë të suksesshme në basketboll”, rrëfen fillimisht Rashica.

Të gjithë rrugëtimin e tij në basketboll e nisi në moshë të hershme, njëherë si lojtar, por gjithnjë duke u fokusuar në realizimin e ëndrrës së tij për t’u bërë trajner. Ndonëse edhe më herët kishte qenë pjesë e ekipit të Prishtinës, në vitin 2004 u regjistrua përsëri në Prishtinë - aty ku dikur ishte lojtar, filloi karrierën e tij si trajner i të rinjve. Në ndërkohë, Andin Rashica punoi edhe me ekipin e seniorëve si ndihmës trajner i dytë.

Si lojtar basketbolli por edhe si trajner, sfidat qenë të pashmangshme. Ai shton se ekipet e basketbollit akoma po përballen me të njëjtat sfida qysh prej kohës kur ai u përfshi në basketboll.

Mirëpo, mirëkuptimi për njëri-tjetrin, puna ekipore, pa u përqëndruar vetëm tek vetja, e kanë ndihmuar atë në tejkalimin e sfidave dhe arritjen më të shpejtë të suksesit.

“Sfida kemi pasur plot. Si sfidë kryesore kanë qenë terminet, problem ky i cili ekziston edhe sot. Na është dashur të zgjohemi në ora 5 të mëngjesit për të mbajtur stërvitjen në ora 6, e pastaj është dashur të shkojmë drejt e në shkollë. Akoma janë të njëjtat probleme por duhet sakrifikuar për t'i arritur qëllimet"

Rashica Andin

Një tjetër sfidë që Andini përmendi gjatë intervistës është edhe kalimi nga ekipi i seniorëve në ekipet e me të mëdhenjve, kjo për arsye se ekipet zakonisht kërkonin dhe merrnin lojëtarë të huaj. Ndërkaq, si trajner më i ri në moshë, për të ka qenë pak më i vështirë procesi deri tek përshtatja e plotë me të tjerët si dhe menaxhimin i diferencës në moshë me lojtarët e tjerë.

“Si trajner i ri, kam hasur pak vështirësi në përshtatjen me të tjerët, puna e diferencës në moshë me lojtarë. Shumica prej tyre kanë qenë më të vjetër se unë dhe në fillim ka qenë pak më e vështirë për ta menaxhuar. Ndonjëherë ndoshta edhe kam bërë edhe diçka që s’ka qenë pjesë e karakterit tim sepse ata lojtarë, trajner i të cilëve kam qenë unë, kanë qenë edhe shokët e mi. Mirëpo në fund të ditës, të gjithë më kanë kuptuar dhe e kemi menaxhuar mirë bashkarisht. Me përkushtimin, ambiciet e vullnetin, e kam kaluar çdo sfidë”

Kush janë njerëzit model për Andinin?

Ndër njerëzit e parë si shembull në karrierë që Andin Rashica përmend është Brad Greenberg, asistent i të këtij të fundit ishte në Përfaqësuese të Kosovës. Gjatë kohës sa ishte asistent i tij, Rashica thekson se gjeti një person që i shërbeu si udhërrëfyes për arritjen sukseseve në karrierën e tij si trajner basketbolli.

Gregg Popovich, Phil Jackson, Igor Kokoskov dhe Zeljko Obradovic, janë disa trajnerë ndërkombëtarë, puna e të cilëve është po ashtu një inspirim Rashicën. E sa i përket qëllimeve  të tij, ndër kryesoret tash është pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve apo edhe të bëhët pjesë e ndonjë ekipi jashtë Kosovës në mënyrë që përvojen nga jashtë ta sjellë në vendlindjen e tij.

Andin Rashicaa

Perspektiva për sportistët e rinj në Kosovë

Se sa ka interesim nga sportistët e rinj në Kosovë, Rashica nënvizoi se ka shumë dhe jo më pak ka edhe perspektivë, ndonëse do të dëshironte që në Kosovë të ofroheshin më shumë kushte për basketbollistët e rinj.

Krejt në fund, ai dha një këshillë për të rinjtë, ëndrra e të cilëve është një karrierë në sport, e veçanërisht për ata që synim e kanë basketbollin. “Shfrytëzoni talentin tuaj, merruni sa më shumë me sport, me basketboll. Mos harroni se mundësia e vetme për të arritur sukses në sport është të ushtroni sa më shumë, të kujdeseni për veten dhe të jeni gati për të sakrifikuar për atë që dëshironi të arrini” , përfundoi Andin Rashica.

Andin Rashica është ndër trajnerët më të ri në moshë në Kosovë që ka udhëhequr një klub profesionist. Më parë ka punuar edhe si analist i sportit si dhe gazetar sporti në RTV 21. Në vitin 2018, ai u emërua si kryetrajner i klubit të basketbollit Sigal Prishtina. Rrugëtimin e tij në basketboll e pasuroi edhe më shumë duke fituar Kupën e Kosovës në moshën 27 vjeçare.

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC