Si ta organizoni më mirë tavolinën tuaj në punë?

2 Qershor '20

Si ta organizoni më mirë tavolinën tuaj në punë?
	 	 

Tavolina juaj e zyrës është një pasqyrim i personalitetit dhe zakoneve tuaja. Disa hapësira pune mund të jenë të thjeshta dhe të rregullta, disa tjera shumëngjyrëshe dhe të personalizuara. Ka edhe nga ato që janë shumë të rrëmujshme. Po ju, si e organizoni tavolinën tuaj të punës?

Një tavolinë e organizuar jo vetëm që do të duket më tërheqëse, por do t'ju motivojë të shkoni në punë sepse nuk do të keni nevojë të pastroni grumbuj letrash dhe hedhurina.

Pavarësisht nga preferencat ose prirjet tuaja, vendi juaj i punës duhet të jetë i organizuar, në mënyrë që menaxhimi i kohës të jetë sa më i lehtë, si dhe të shtohet produktiviteti. Ju kaloni një kohë bukur të madhe në zyrën tuaj, pradaj ja vlen t'i kushtoni rëndësi organizimit të tavolinës suaj të punës.

Nëse jeni të mbingarkuar shpesh nga skedarët çrregullues, grumbujt e dokumenteve dhe çrregullimet e përgjithshme, tani është momenti i duhur të veproni në lidhje me menaxhimin e kohës dhe hapësirës në punë.

Krijoni hapësirën personale
Ka gjëra që i merrni në punë çdo ditë, e që duhet t'i vendosni diku. Sidoqoftë, në vend që të hedhni kudo çantën, portofolin, telefonin ose çelësat në tavolinën tuaj, caktoni një zonë specifike për ato që të mos sjellin rrëmujë. Gjithashtu, kurdo që të jetë e mundur, mbajeni telefonin tuaj diku ku nuk e shihni dhe kësisoj nuk do të keni shpërqendrime që pengojnë punën tuaj.

Përdorni pajisjet dixhitale

Letra është akoma fajtori më i madh i hapësirave të punës së rrëmujshme. Nëse nuk e keni bër këtë akoma, listoni detyrat që keni në kompjuterin tuaj dhe sinkronizoni ato me telefonin tuaj për qasje më të lehtë. Përmes pajisjeve dixhitale ju mund të vendosni njoftime për takime dhe detyra që keni përgjatë ditës apo javës.

Ruani hapësirën

Kur keni nevojë për të nënshkruar ose dërguar shkresa, por nuk keni hapësirë të mjaftueshme, kjo situatë mund të shkaktoj stres. Caktoni një pjesë të tavolinës suaj si zonë të lirë dhe mos e ngarkoni atë me gjëra shtesë. Nëse hapësira e ruajtjes është e kufizuar, bëhuni kreativ! Një dollap apo raft, ju mundëson të ruani pajisjet shtesë pa zënë shumë hapësirë.

Ndani detyrat tuaja

Shpesh kemi dëgjuar për shprehjen “multitasking” që do të thotë kryerja e dy ose më shumë obligimeve në të njëjtën kohë, mirëpo për menaxhim më të mirë të kohës preferohet që të ndani detyrat sipas rëndësisë së tyre.

Përfundoni detyrat para se ato të grumbullohen

Një rregull për të shmangur zvarritjen është t'i kryeni detyrat që keni në afat të caktuar. Përfundoni projektin/detyrën sa më shpejt që të jetë e mundur, kësisoj nuk do ta ngarkoni veten me stres që nuk e keni përfunduar ende atë detyrë ose projekt. Duke vepruar kësisoj, do të keni kohë të mjaftueshme për obligimet që keni në vijim.

Renditini gjërat sipas rëndësisë

Mënyra më e mirë për të renditur gjërat është nga rëndësia e tyre. Pyesni veten sa shpesh e përdorni ose keni nevojë për një pajisje të caktuar para se ta zhvendosni atë diku tjetër. Nëse keni ndonjë pajisje afër jush që nuk e shfrytëzoni, vendoseni atë në një hapësirë më pak të qasshme.

Pse është e nevojshme ta organizoni tavolinën e punës?

Një hapësirë pune e organizuar nuk është një kursimtar magjik i kohës, por ju ndihmon të bëheni më efikas në punë, sepse e dini se ku është gjithçka. Gjithashtu, një tavolinë e organizuar mirë ndihmon në krijimin e energjisë pozitive që mund të përhapet në entuziazmin tuaj për detyrat e përditshme./AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2020 - KosovaJob LLC