Çka mund të bëni në punë gjatë kohës së lirë?

23 Maj '20

Çka mund të bëni në punë gjatë kohës së lirë?
	 	 

Gjatë një dite të zakonshme të punës, përveç se mund të kemi agjenda të ngjeshura të cilat ndonjëherë shkaktojnë edhe stres, mund të arrijmë të gjejmë edhe kohë të lirë, e cila është e rëndësishme të dihet se si të shfrytëzohet.

Ne ju sjellim disa këshilla se si të qëndroni të fokusuar edhe kur keni kohë të lirë gjatë një dite pune dhe se si të mos e shndërroni atë në një ditë të humbur.

Ndihmoni në një projekt të ri

Nëse një ditë në punë është më pak e ngarkuar se zakonisht, mundohuni të bëni diçka për të mirën tuaj dhe të kompanisë. Ndoshta me aftësitë e tuaja mund të kontribuoni në një projekt nga i cili mund të përfitojë kompania. Vetëm sigurohuni që të mos i harroni përgjegjësitë tuaja kryesore.

Organizoni e-mailin dhe desktopin

Përpos pauzës së drekës, ndonjëherë koha e lirë në punë gjatë një dite mund të jetë vetëm 15 apo 20 minuta. Por edhe atë kohë ka gjëra të rëndësishme që mund t’i bëni. Desktopi dhe e-maili i paorganizuar shumë shpesh mund të krijojë stres. Shfrytëzoni këto minuta për të hequr abonimin për emails të cilat nuk i lexoni dhe për t'i sistemuar dokumentet nëper foldere.

Ndërtoni raport me kolegët

Koha e lirë në punë mund t’ju shërbejë që të ftoni për kafe kolegët apo dikë prej kolegëve që mund të ketë kohë të lirë po ashtu dhe të flisni rreth ideve dhe projekteve të reja. Në një ritëm të zakonshëm të punës, mund të jetë më e vështirë për të gjetur kohë për të diskutuar me kolegët. Prandaj, shfrytëzojeni ndonjëherë kohën e lirë për të biseduar rreth gjërave të rëndësishme për kompaninë por edhe për të ndërtuar një lidhje më të fortë me kolegët.

Planifikoni

Kur e gjeni veten te pangarkuar me punë, nuk keni takime ose ndonjë detyrë për ta dorëzuar apo përfunduar, kaloni kohë duke planifikuar se çka do të bëni ditën tjetër apo edhe javën tjetër.

Mësoni, informohuni

Koha e lirë më së miri shfrytëzohet kur mësoni gjëra të reja. Edhe në punë, shfrytëzoni kohën e lirë për të zgjeruar njohuritë tuaja profesionale. Merrni ndonjë libër për të lexuar, shfletoni artikuj, kyçuni në ndonjë forum, webinar, etj.

Ndihmoni ndonjë koleg

Konsideroni edhe mundësinë për t’u paraqitur vullnetar për të ndihmuar një koleg i cili ka më shumë detyra për të përfunduar gjatë asaj dite. Kjo mund t’ju shërbejë si mundësi e mirë për të fituar njohuri të reja por edhe do t’i ndihmonte kolegut t’i përfundonte detyrat më shpejt.

Koha e lirë në punë nuk është e shpeshtë. Prandaj është shumë e rëndësishme që këtë kohë ta shfrytëzoni si një mundësi për të mësuar akoma më shumë dhe të qëndroni përsëri produktiv. Duke e përdorur në mënyrë të duhur këtë kohë, do të jeni në gjendje të avancoheni më shumë në karrierën tuaj.

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC