8 pyetje që duhet t’ia bëni ekipit tuaj për më shumë produktivitet

21 Maj '20

8 pyetje që duhet t’ia bëni ekipit tuaj për më shumë produktivitet
	 	 

Punëdhënësit e suksesshëm e dinë rëndësinë që ka përshtypja e punëtorëve. Prandaj, një kompani e cila dëshiron rritje dhe zhvillim duhet të krijojë kulturën e bashkëbisedimit me punëtorët dhe të informohet rreth përshtypjeve të tyre.

Një mënyrë e mirë për ta realizuar këtë është të organizohen shpesh gjatë vitit diskutime me secilin punëtor, ku punëdhënësit mund të bëjnë pyetje dhe punëtorët të shprehin hapur mendimet e tyre. Ne ju sjellim disa pyetje që drejtuesit e kompanive, organizatave, institucioneve mund t’ua parashtrojnë punëtorëve te tyre gjatë diskutimeve të tilla.

Cila ka qenë arritja më e madhe këtë muaj?

Të gjithë kanë nevojë që herë pas here të flasin për arritjet e tyre. Kjo pyetje krijon një ndjenjë progresi dhe u jep mundësinë punëtorëve që të rikujtojnë dhe festojnë arritjet e tyre. Gjithashtu, një pyetje e tillë mund të sjellë diskutimin mbi vlerat e punëtorit dhe se si ato lidhen me organizatën apo institucioni. Duke parashtruar këtë pyetje, punëdhënësit kuptojnë më shumë se cilat gjëra i motivojnë dhe çojnë në arritje të rezultateve secilin anëtar të ekipit. 

Cila ishte sfida më e madhe gjatë muajve të fundit?

Sfidat nuk mungojnë asnjëherë. Prandaj, t’i pyesesh punëtorët rreth sfidave që mund të kenë hasur është gjithmonë një pyetje e duhur. Një punëdhënës ka nevojë të dijë se ku pasur vështirësi gjatë procesit të punës. Duke e parashtruar këtë pyetje, automatikisht në tavolinë sjellet diskutimi për zgjidhjen e problemeve. Interesimi i një punëdhënësi për këtë çështje e bën atë një punëdhënës serioz, të përgjegjshëm si dhe arrin të ndërtojë komunikim, gjë që është shumë e nevojshme për një kulturë të mirë të një kompanie.

Çka mund të ndihmojë që të kesh ende më shumë sukses në rolin tënd?

Secili punëtor e ka një pikëpamje ndryshe rreth kompanisë. Ndër detyrat e një menaxheri apo punëdhënësi është të marrë informacione se çka duhet përmirësuar brenda kompanisë. Një kompani e mirë i përshtatet nevojave të punëtorit dhe tregut. Kjo pyetje ngërthen shumë elemente, duke filluar nga mungesa e një tavoline të mirë, një vend i qetë pune e deri tek programet e nevojshme për ta realizuar punën me sukses. Qëllimi kryesor i kësaj pyetjeje është  të kuptohet gjendja e një punëtori si dhe për të lehtësuar punën.

Cila arritje e një kolegu ka pasur ndikim pozitiv në kompani?

Studimet tregojnë se punëtorët janë më të motivuar nëse vlerësohen për punën e tyre. Një mënyrë e mirë për ta realizuar këtë ështe duke krijuar kulturë vlerësimi brenda ekipit. Punëtorët do të ndjeheshin shumë më mirë nëse do të dëgjonin lëvdata edhe nga kolegët. Kur ndërtohet një kulturë e tillë vlerësimi, pjesëtarët e ekipit nuk do ta kenë të vështirë të mendojnë për një kontribut të vlefshëm të dikujt por ta shprehin lirshëm atë.

A ka ndonjë projekt për të cilin do të doje të punoje nëse te jepet mundësia?

Që një punonjës të jetë i motivuar dhe të arrijë rezultate, duhet të punojë në projektet ku ndjehet se mund të japë maksimumin nga vetja. Një lider i mirë arrin të kuptojë dhe zbulojë pasionin e vërtetë të një punëtori dhe të sistemojë secilin në rolin që duhet. 

A do të ndryshoje diçka në kompani nëse do të ishe ti drejtues/e?

Punëdhënësit apo menaxherët, në shumë raste duan që punëtorët ta vlerësojnë kompaninë sikur të ishin vetë pronarë. Duke e bërë këtë pyetje, udhëheqësit do të mund të marrin edhe ide të reja. Mirëpo, edhe punëtorët do të kenë një ndjenjë pronësie dhe të kuptojnë se mendimi i tyre ka vlerë në kompani.

Çka duhet të filloj të bëj ose çka të mos bëj?

Kjo është një pyetje pak më specifike. Shumë gjëra që punëdhënësit i bëjnë çdo ditë, mund t’i ndikojnë punonjësit në mënyra të ndryshme. Ndonjëherë pozitivisht, ndonjëhere negativisht.  Prandaj, ideale do të ishte që një punëdhënës të tentojë të zbulojë se si ka ndikuar një veprim i caktuar tek punëtorët e tij. Punonjësit që bashkëpunojnë ngushtë nuk hezitojnë të shprehin mendimin për gjërat që do të mund të bëhëshin më mirë. Kjo do të krijonte një ambient të sigurtë dhe të besueshëm dhe një metodë e mirë për t’u përmirësuar.

A ka diçka që mund të të ndihmoj?

Kjo është pyetja më e mirë për ta përmbyllur një bisedë me një punëtor. Punëtorët kanë nevojë të shohin edhe gatishmërinë e një punëdhënësi për t’i ndihmuar ata. Kjo pyetje i bën të ndjehen më të lidhur me kompaninë dhe si rrjedhojë më të motivuar në punë.

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2020 - KosovaJob LLC