5 gjëra që nuk duhet t’i bëni kur filloni punën e re

14 Maj '20

5 gjëra që nuk duhet t’i bëni kur filloni punën e re
	 	 

Nëse jeni punësuar në punën që dëshironit do të thotë se jeni në rrugën e duhur të karrierës suaj dhe të gatshëm për rrugëtimin tuaj të ri dhe sfidat në vijim. Fillimi i një pune të re mund të jetë një kohë e vështirë, por edhe emocionuese në të njëjtën kohë.

Pavarësisht nëse kjo është "puna juaj e parë në zyrë" ose puna juaj e pestë, java e parë shihet si më e vështira pasi që ende nuk jeni përshtatur me ambientin e punës, si dhe nuk jeni njoftuar me të gjithë stafin që do të bashkëpunoni.

Kur filloni një punë duhet t'i kushtoni rëndësi sjelljeve dhe gjithmonë përpiquni të lini përshtypje sa më të mirë. Kjo do t'ju ndihmojë të fitoni besimin e bashkëpunëtorëve dhe mbikëqyrësve tuaj. Këtu janë pesë gjëra që nuk duhet të bëni kur filloni punën tuaj të re, jo vetëm në javën e parë, por edhe në muajt në vijim.

1.Mos u vononi

Siç e dimë ky është një fakt i njohur që duhet të arrijmë gjithmonë në kohë në punë, por kjo vjen më shumë në fuqi kur ju jeni personi i ri në punë. Javët e para, madje edhe muajt janë ende "prova" dhe gjithçka që bëni vlerësohet. Mësoni se në cilin orar do të mund ta shmangni trafikun më të madh dhe cila kohë do t'ju mundësoj të shkoni në zyrë pikërisht në orarin e duhur. Menaxhimi i duhur i kohës ju mundëson të mos jeni vonë për punë si dhe t’i përfundoni me sukses aktivitetet tjera ditore.

2. Mos mungoni pa njoftuar mbikëqyrësin tuaj

Nëse një ditë më parë e dini që nuk do të jeni në gjendje të shkoni në punë, është mirë ta thërrisni në telefon mbikëqyrësin tuaj dhe ta njoftoni. Gjëja e fundit që duhet ta bëni është të telefononi ose t'i shkruani mbikëqyrësit tuaj 5 minuta para fillimit të orarit të punës për ta njoftuar që nuk jeni në gjendje të shkoni atë ditë në punë. Kjo vetëm ju bën të dukeni joprofesionist dhe aspak serioz.

Nëse nuk keni numrin e drejtpërdrejtë të menaxherit ose të mbikëqyrësit tuaj, mund ta dërgoni një email, apo t'i  shkruani mesazh një kolegu për t'i njoftuar të tjerët.

3. Mos i injoroni udhëzimet

Në një vend pune nuk duhet të mos mungoj bashkëpunimi dhe ju t'i ndjekni udhëzimet që ju jepen. Problemi qëndron se, ju si një  punonjës i ri ende jeni në adaptim të praktikave të punës së re, dhe nëse harroni të ndiqni udhëzimet mund të mos jeni në gjendje ta kryeni si duhet punën që u kërkua nga ju.

Nëse nuk jeni të sigurt për atë që duhet të bëni ose keni nevojë për udhëzime shtesë, gjithmonë sigurohuni që të bëni pyetje dhe të merrni shënime në mënyrë që t'i keni të qarta detyrat që ju caktohen.

4. Shmangni përdorimin e telefonit

Një nga gjërat e para që bëjm në mëngjes është kontrollimi i telefonit. Rrjetet sociale kanë  ndikuar që të krijojmë shprehi ta hapim telefonin kohë pas kohe edhe nëse nuk kemi pranuar ndonjë mesazh nga dikush tjetër. Përdorni sa më pak telefonin gjatë orarit të punës pasi që ndikon negativisht në përqendrimin dhe produktivitetin tuaj.

5. Mos u stresoni

Pavarësisht nëse kjo është puna juaj e parë apo jo, mbani gjithmonë mend se kur filloni një punë të re jeni në fazën fillestare. Ju ndoshta mund të keni përvojë paraprake, si dhe t'i përshtateni punës suaj të re ashtu siç planifikonit, mirëpo do të ketë raste edhe kur mund të bëni gabime. Prandaj, mos stresoni kur gjërat nuk dalin perfekte që në provën e parë, ose kur keni vështirësi të kuptoni një trajnim, sistem ose një detyrë./AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2020 - KosovaJob LLC