Çka duhet të dini para se ta filloni një biznes?

12 Maj '20

Çka duhet të dini para se ta filloni një biznes?
	 	 

Ne shpesh mund t’i kthejmë pasionet tona në një biznes, por kërkon shumë punë paraprakisht për ta realizuar idenë që kemi. Marrja e masave të duhura para se ta transferoni idenë tuaj në biznes, do t'ju vendosë në pozicionin më të mirë të mundshëm për ta realizuar atë.

Me pak fjalë, të vërtetoni idenë, do të thotë të bëni punën për të siguruar që të keni tregun e duhur, çmimin e duhur dhe modelin e duhur për të ofruar produktin/shërbimin në mënyrë efikase dhe fitimprurëse. Pa një ide dhe plan të qartë ju rrezikoni të përballeni me situata të ndryshme si:

  • Mund të mos shisni asgjë
  • Shpenzimet të dalin më të mëdha se sa parashikonit
  • Pritshmëritë të mos përputhen me rezultatet

Pa përgatitje dhe strategji të menduar mirë, do ta keni vështirë ta filloni biznesin tuaj. Idetë më të mëdha mund të dështojnë shumë lehtë pa qasjen e duhur, dhe dështimi mund të bëjë që të hiqni dorë nga një ide që mund të jetë e mahnitshme me vetëm disa ndryshime.

Ju duhet të merrni parasysh rrethanat në të cilat ndodheni, kur vendosni nëse ideja juaj do të arrijë të bëhet një biznes i zbatueshëm.

Hulumtimi i industrisë, cilat janë trendet e fundit?

A keni pasur ndonjë ide të mahnitshme dhe pas disa kërkimeve në Google keni vërejtur se ajo ide tashmë është realizuar nga dikush tjetër? Është vërtet dëshpëruese në fillim, por kur e shikoni nga një këndvështrim tjetër, kjo nënkupton që ideja që kishit do të funksiononte.

Mirëpo , ju nuk duhet të hezitoni të përballeni me konkurrencën. Vetëm sepse dikush tashmë po bën atë që dëshironi të bëni, kjo nuk do të thotë se nuk do të funksionojë. Kjo thjesht do të thotë që ju duhet të gjeni mënyrën tuaj unike për ta bër atë. Përdorni hulumtimin rreth konkurrencës dhe industrisë për të kuptuar propozimin tuaj unik të shitjes. Çka ju dallon nga të tjerët? Cilat janë nevojat e paplotësuara në treg? Opsionet e çmimeve që ju ofroni?

Cila është mënyra më e mirë për të nxjerrë produktin ose shërbimin tim në treg?

Si dhe ku do ta shpërndani produktin ose shërbimin tuaj është një vendim i rëndësishëm për të marrë. A do të shisni online? Vetëm në nivel lokal apo edhe më gjerë? A do të shisni me shumicë apo do të keni bashkëpunëtorë/partnerë?

Ju mund të keni një ide të shkëlqyeshme për një produkt ose shërbim, por nëse nuk e gjeni mënyrën më fitimprurëse dhe më të përshtatshme do ta keni vështirë të krijoni urë lidhëse ndërmjet produktit/shërbimit dhe klientit.

Kërkoni këshilla nga ekspertë

Nisja dhe rritja e një biznesi është e vështirë, dhe sipas statistikave më shumë se gjysma kanë gjasa të dështojnë brenda 5 viteve. Askush nuk mund të ketë të gjitha njohuritë, përvojën, apo edhe perspektivën për të trajtuar çdo situatë biznesi. Prandaj kontaktoni njerëz me përvojë në fushën e biznesit dhe përfitoni nga aftësitë dhe përvojat e tyre./AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2020 - KosovaJob LLC