Fotografia, arti i të jetuarit në një nivel tjetër

10 Maj '20

Fotografia, arti i të jetuarit në një nivel tjetër
	 	 

Me foto aparatin e tij, ka arritur të kapë imazhe nga më të bukurat, e sidomos në vendlindjen e tij në Kosovë. Puna prej kameramani dhe fotografi në të njejtën kohë, e ka dërguar në vende të ndryshme, duke e bërë pjesëmarrës edhe në ngjarjet më të rëndësishme për Kosovën. I lindur në Artanë, Arben Llapashtica është një ndër fotografët e suksesshëm në Kosovë që veprimtarinë e tij artistike e ka mbushur me plot suksese edhe në nivel ndërkombëtar.  

Me shpirtin e tij artistik, Arbeni përmes fotografisë arrinë të na dërgojë në bjeshkë, në det, qytete e vende të ndryshme, edhe në ato vende pothuajse të harruara. Fotografia e tij, jo vetëm që na bën të ndjejmë një realitet ndryshe, ajo njëkohësisht kontibuon që ta shndërrojë Kosovën në një shtet kurioz për t’u vizituar nga turistët e huaj.

Arben Llapashtica

Si kameraman, karrierën e nisi gjatë vitit 2001, si fotograf aktiv, pak më vonë. Kontaktin e parë më fotoaparat profesional thotë se e pati gjatë kohës sa ishte pjesë e një shkolle për gazetari, një projekt norvegjez por i cili është quajtur Instituti Kosovar për Gazetari (KIJAC).  Gjatë asaj kohe, Arbeni tregon se kishte konkurruar në një garë për fotografi me ç’rast kishte zënë vendin e parë. Kjo ngjarje kishte qenë edhe një motivim për hapat e tjerë në karrierë. “Unë e dërgova një fotografi të një lope të regjistruar, e konsiderova vlerë evropiane për shkak se në atë kohe nuk ishte bërë akoma regjistrimi i popullësisë, ndërkaq regjistrimi i kafshëve po“ , thekson Llapashtica.

Arben Llapashtica është më shumë një fotograf i fotografive spontane dhe pasionant i trashëgimisë kulturore, arkeologjike. Një tjetër pasion i tij është mbledhja e fotografive të vjetra. Ai thotë se i pëlqen të fotografojë kudo që has nëpër arkiva të Kosovës, në monografi të vjetra.  Në krijimtarinë e tij të pasur, bijnë në sy hapësirat e braktisura, natyra, kafshët e egra të cilat rrallë mund t’i shohin njerëzit.

Arben Llapashtica

Duke qenë edhe fotograf zyrtar i Filharmonisë së Kosovës, ai është vazhdimisht pjesëmarrës në koncerte dhe çka i pëlqen më shumë në karrierën e tij si fotograf janë pikërisht momentet e dirigjentëve.

“Më lënë përshtypje momentent e dirigjentëve, instrumentistëve. Më herët, kam pasur edhe ekspozita për këto momente. Përveç profesionit si kameraman jam edhe autor i dokumentarëve. Të dyja i bëj me shumë pasion. Si fotograf jam goxha aktiv, nuk dalë kurrë nga shtëpia pa e pasur çantën, nuk di të ecë pa çantë. Janë disa vende që i frekuentoj gati çdo javë dhe mendoj që Kosova ofron shumë, sidomos për fotografët. Ka objekte, trashëgmi kulturore, e shumë gjëra të bukura“, shprehet Arbeni.

moment i dirigjenteve

Jo pak foto të Arben Llapashticës janë realizuar edhe me dron. Ai është ndër të parët fotografë që e kishte fotografuar Bibliotekën Kombëtare të Kosovës nga lart. 

Arben Llapashtica Biblioteka Kombetare

Aftësitë që i nevojiten në karrierë një fotografi

Si në çdo profesion tjetër, edhe në atë të fotografit dhe kameramanit kërkohen disa aftësi specifike për të qenë i suksesshëm në punë. Ndër të parat patjetër që duhet të jetë të qenit i shkathët. Mirëpo, shumica e kameramanëve dhe fotografëve, Arbeni thotë se janë më shumë zanatlinj dhe të gjitha mësimet i marrin gjatë rrugës.

“Tek ne nuk ka ndonjë shkollë specifike për kamerë. Në kuadër të fakultetit të arteve është vetëm si lëndë. Pra, ne jemi më shumë zanatlinj. Ka rëndësi të veçantë të qenit i shkathët në këtë profesion si dhe momenti se ku qëllon për të shkrepur gjëra interesante. Natyrisht luan rol edhe performanca teknikisht, edhe ajo është aftësi”

Arben

Gjatë intervistës, Arben Llapashtica kujton se pasluftës në Kosovë, fotografët aktivë kanë qenë pak më të rrallë, ndërkaq sot fotografët shqiptarë konkurrojnë edhe me fotografë botërorë dhe ka edhe prej atyre që punojnë për agjenci të njohura në botë.

Sfidat e profesionit të një fotografi dhe kameramani

Kur flet për vështirësitë që ka hasur gjatë rrugëtimit të tij si kameraman e fotograf, Arbeni ndër të parat që përmend janë trazirat e 17 marsit. “Ndoshta si sfidë mund t‘i konsideroj trazirat e marsit, kur kam shkuar në ndërrim të një kolegu ne Graçanicë dhe ai nuk guxonte as ta ngriste kamerën lart sepse konflikti ka qenë i tillë. Mbaj mend një moment kur e plagosën një protestues dhe gjysma e njerëzve më thoshin ta xhiroja ndërsa gjysma tjetër mos e xhiro. Ajo ka qenë vërtetë sfidë, nuk dija çka të bëj dhe nuk arrija as të tërhiqem“, rrëfen Arbeni.

sfidat

Mbrojtja e krijimtarisë origjinale, paraqet një sfidë të vazhdueshme në shumë profesione. Këtë shqetësim Arbeni e ngreh edhe për fotografët. Ai thotë se fotografët shumë shpesh hasin në vështirësi ngase u vjedhen fotografitë dhe nuk citohet autori e madje edhe ua fshijnë emrin. Ndonëse në Kosovë është themeluar një agjension për mbrotje të autorit, ky agjension është i kufizuar me kompetenca dhe funksionon vetëm për brenda Kosovës. Si shkak i kësaj, Arbeni thotë se fotografët e dëmtuar nga vjedhja e krijimtarisë nuk kanë se ku të drejtohen në shumë raste.

"Enciklopedia Wikipedia është e lirë, kur ngarkon foto aty secili ka të drejtë t’i përdorë kudo por tërë kohën duke e përmendur emrin. Fotografitë e mija më së shumti janë keqpërdorur pikërisht përmes kësaj metode, sepse e marrin fotografinë dhe nuk e cekin autorin e as burimin ku e kanë marrë atë fotografi.  Këtu është krijuar një agjension për mbrojtje të autorit por i cili funksionon vetëm për brenda Kosovës. Jo vetëm unë por shumica e fotografëve jemi të dëmtuar për shkak të keqpërdorimeve dhe nuk është se kemi ku drejtohemi për ankesa. Por shpresoj që do të rregullohet edhe kjo.“

Arben Llapashtica, promovues i gjërave të rralla në Kosovë

Arbenin nuk e gjen kudo. Është ky mbase një element që e bën të veçantë dhe të suksesshme krijimtarinë e tij. Janë disa vende të cilat ai i frekuenton zakonisht. Në ato vende ka shkrepur edhe fotografi nga më magjepsesët në Kosovë. “Unë nuk pëlqej të shkoj aty ku shkojnë të gjithë. Më lënë përshtypje vendet ku dominojnë malet, andej nga Rugova por edhe Sharri. Janë një mrekulli e vërtetë“

Rugova Arben Llapashtica

Blinaja është një vend afër Prishtinës, ku bota shtazore është shumë e pasur. Aty mund të hasën rreth 1 mijë kafshë të egra. Të pakët janë njerëzit që kanë mundësi ta shohin këtë vend, ndërsa Arbeni e sjellë shumë shpesh përmes fotografisë së tij.  “Kur i kam publikuar fotografitë për herë të parë, askush nuk mund ta besonte së ky vend është vetëm 20 km larg Prishtinës dhe se ekziston një mrekulli e tillë“

Vendi i origjinës, Artana, është një vend tjetër që Arbeni thotë se ka dëshirë ta promovojë shumë, një vend i pasur me trashëgimi kulturore, një vend multi kulturor. Aty e gjen pothuajse çdo javë.

Arben Llapashtica Kalaja

Përveç natyrës, Arben Llapashtica përmes fotografisë së tij mundohet t’i mbajë në jetë edhe zanatet e vjetra, të harruara nga koha. Një gjë e tillë, i bën fotografitë e Llapashticës edhe më unike dhe konkurruese në gara botërore.

“E kam pasur edhe një ekspozitë me zanatlinjt, këpucëtarë, nallban, e shumë zanate tjera. Të tilla zanate më shumë hasen në Gjakovë. Punimet janë unike por diçka që dita e ditës mund të shuhet dhe nuk duhet të lejojmë që të shuhen sepse kjo mund të jetë diçka atraktive edhe për turistët, të shohin se si bëhet nje zbukurim ose mbathje për kuaj“

zanatlinjte

Fotografia arrin të përçojë mesazhe të ndryshme, që nga ato më të bukurat e deri tek ato më të ndjeshmet.  Një ekspozitë tjetër shumë interesante që i shton vlerën ende më shumë karrierës së Arben Llapashticës është edhe promovimi i gjidhënies. “Promovimi i gjidhënies, një temë që më pati lënë përshtypje shumë. Nënat tona gjithmonë i kanë ushqyer fëmijet me gji por zakonisht janë mbuluar, janë fshehur nga turpi. Prandaj pata vendosur t‘i fotografoj disa nana, kryesisht në publik duke ushqyer fëmijët me gji, temë e cila ka qenë vërtetë shumë tabu“

Ekspozita gjidhenia

Arben Llapashtica ndër tjera njihet edhe si promovues i tolerancës fetare. Në shumë prej fotografive të tij vërehet mesazhi për tolerancë fetare. Ai thekson se mundohet të kapë nga një kënd Kishën e Xhaminë, çka njerëzit nuk arrijnë ta shohin ashtu, mirëpo ai arrin të gjejë perspektiven, në një vijë ku Kisha dhe Xhamija duken në një oborr.  Të tilla shkathtësi e kanë bërë atë edhe fitues të shumë çmimeve për fotografi.

toleranca fetare

Krejt në fund të bashkëbisedimit, Arbeni ka edhe një këshillë për të rinjtë që presin të kyçen në tregun e punës. Ai i këshillon ata të mos tentojnë të arrijnë karrierën e ëndrrave përmes një rruge të shkurtë.  E për fotografët e rinj, sipas tij mundësitë sot janë shumë, mirëpo i sugjeron ata që në fotografi të bëjnë sa më pak ndërhyrje dhe të mos ia humbin origjinalitetin fotografisë.

 “Pas luftës në Kosovë, kanë qenë gjithsej vetëm tre televizione nacionale dhe burimi kryesor i informacioneve kanë qenë vetëm ato, edhe kameramanë e fotografë ka pasur pak. Sot, teknologjia e ka bërë të veten, tash është më e lehtë në këtë aspekt. Mirëpo, tek fotografitë sot ka më pak shpirt, sepse po bëhen intervenime brenda fotografisë, çka sugjeroj të preken sa më pak. Fotografitë e kanë vlerën e vet, mesazhin e vet, sa më pak intervenime“, përfundon Arben Llapashtica.

Arben Llapashtica, tash e 20 vite punon në televizionin nacional KTV.  Ka qenë udhëheqes i grupit të kameramanëve ndërsa momentalisht ushtron detyrën e drejtorit të fotografisë dhe kameramanit në këtë televizion.

Tolerance Fetare Arben Llapashtica

zanatet

shpella

ariu

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC