Çka nuk preferohet të përfshini në një CV?

8 Maj '20

Çka nuk preferohet të përfshini në një CV?
	 	 

Një CV e shkruar mirë ju mundëson të jeni kandidat potencial për një vend pune. Prandaj është me rëndësi që para se të aplikoni për një vend pune, sigurohuni që CV-ja juaj nuk është e ngarkuar me informata të panevojshme. Një CV duhet të nxjerrë në pah aftësitë tuaja, përvojën, historinë e punës dhe arritjet e rëndësishme në mënyrë që rekruterët të mund të përcaktojnë nëse jeni i kualifikuar apo jo për një vend pune. Përfshirja e informatave të tepërta dëmtojnë CV-në tuaj dhe ulin gjasat që të mos ftoheni fare për në intervistë pune.

Pra, çka nuk preferohet të përfshihet në një CV?

Një email adresë joprofesionale ose e vjetëruar

CV-ja është mundësia juaj e parë për tu prezantuar te një punëdhënës si profesionist, kështu që më mirë të keni një email adresë profesionale ku paraqitet emri dhe mbiemri juaj. Nuk preferohet ndonjë email adresë që ka më shumë numra se sa shkronja, apo nuk figuron fare emri juaj, pasi nuk shiheni si kandidat serioz nga kompania në të cilën keni aplikuar.

Mosha

Mos përfshini moshën tuaj ose datën e lindjes. Disa ekspertë rekomandojnë të hiqni datën e diplomimit nga universiteti ose të mos përfshini mbi 15 vjet përvojë pune nëse nuk dëshironi të diskriminoheni për sa i përket moshës.

Adresa juaj e plotë

Për shkak të privatësisë dhe potencialit për vjedhje të identitetit nëse CV-ja juaj përfundon në duart e një personi të gabuar, nuk rekomandohet përfshirja e adresës së plotë. Vetëm nëse jeni duke aplikuar për një vend pune në vendin ku banoni, preferohet të përfshini vetëm qytetin dhe shtetin për të treguar se jeni kandidat lokal. Por kur aplikoni për një vend pune jashtë vendbanimit tuaj është mirë që të mos përfshini vendndodhjen, në mënyrë që të mos përjashtohet aplikimi juaj vetëm për shkak të largësisë ndërmjet lokacionit të punës dhe vendit ku banoni.

Paragrafe të gjata

Është vërtet e mundimshme për rekruterët kur pranojnë CV që janë të gjata, pasi ata janë të fokusuar vetëm në pikat kyçe që të marrin informatat që i nevojiten. Prandaj mundohuni të jeni sa më të qartë në tekstin e CV-së dhe të përfshini vetëm informatat kyçe që janë relevante për vendin e punës në të cilin aplikoni.

Mos e ekzagjeroni përvojën e punës

Disa mendojnë se nëse shtojnë vitet tyre të përvojës së punës në CV i ndihmon atyre që të pranohen në fazën e intervistës. Mirëpo duhet ta dini se në intervistë ju do të keni pyetje për përvojën tuaj paraprake dhe nga ju kërkohet që të përgjigjeni me sinqeritet dhe t’i mbështetni me fakte informatat që i keni përfshirë në CV.

Mos vendosni fotografi

Rekomandohet ta vendosni fotografinë tuaj në CV vetëm nëse aplikoni në një vend pune si p.sh në medie transmetuese ku pamja e jashtme paraqet avantazh. Preferohet më mirë të postoni foton tuaj në profilet e rrjeteve sociale ose në profilin tuaj në LinkedIn(nëse keni llogari të hapur), ku mund të shihet nga rekrutuesit dhe menaxherët e punësimit.

Këshillë: Një nga gabimet më të mëdha që mund të bëni me CV-në tuaj është mos rishikimi i saj pasi ta keni përfunduar shkrimin e saj. Vetëm posedimi i CV-së nuk është në dobinë tuaj, nëse aty nuk theksohen siç duhet aftësitë tuaja dhe vlerat që do t'i sillni një kompanie./AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2022 - KosovaJob LLC