Si ta shkruani një email lamtumirës për stafin e punës (me shembuj)

7 Maj '20

Si ta shkruani një email lamtumirës për stafin e punës (me shembuj)
	 	 

Pasi të keni dhënë njoftimin zyrtar se do ta lini punën dhe t’i keni dërguar një letër dorëheqje punëdhënësit, ju mund ta dërgoni edhe një email të fundit për t'u përshendetur me pjesën tjetër të ekipit.

Fillimisht, një email lamtumirës është i rëndësishëm për t’u dërguar sepse nënkupton sjellje të mirë dhe mirënjohje. Kur punoni për një kohë të gjatë në një kompani, ju mund ta keni krijuar një rreth të ngushtë të kolegëve.

Si rrjedhojë, kur vendosni të largoheni nga një vend pune, ju mbase do të dëshironi t’i mbani kontaktet me njerëzit me të cilët keni punuar, e të cilët në të ardhmen mund të jenë edhe referenca të mira për ju. 

Një email i tillë është po ashtu një mundësi për t’i falënderuar kolegët dhe menaxherët për kohën që keni kaluar bashkë me ta si dhe për të ofruar mundësi për të mbetur në kontakt.

Ne vazhdim, ju sjellim disa këshilla se si ta përpiloni një email të mirë për t’ju thënë mirupafshim kolegëve.

Tregoni mirënjohje. Një email lamtumirës fillimisht duhet të përçojë mirënjohje për ata me të cilët keni punuar. Në email, mundohuni të jeni sa më pozitiv dhe profesional. Shmangni mendimet negative që mund t’i keni dhe krijoni një përshtypje të mirë para se të bëni hapin tjetër në karrierë.

Mos e dërgoni ditën tuaj të fundit. Të paktën një ose dy ditë para se të largoheni nga një vend pune, do të ishte mirë ta dërgoni emailin. Kjo do t’ju linte kohë kolegëve tuaj të reagojnë dhe të bëjnë pyetjet apo komentet që mund të kenë.

Emaili le të jetë përmbledhës. Një email lamtumirës nuk rekomandohet të jetë shumë i gjatë. Mundohuni ta përmbledhni atë në dy ose tre paragrafe kryesore, duke i falënderuar bashkëpunëtorët, duke cekur numrin ku mund t’ju arrijnë në të ardhmen dhe shumë shkurt nënvizoni arsyen për rrugëtimin tuaj të ri.

Kujt duhet t’i dërgoni emailin lamtumirës?

Emailin lamtumirës këshillohet ta dërgoni tek të gjithë ata me të cilët keni pasur bashkëpunim gjatë kohës sa keni punuar në një organizatë, kompani apo institucion të caktuar.

Mirëpo, nëse punoni për një organizatë shumë të madhe, ku numri i punonjësve është i lartë, atëherë emailin ku përshëndeteni me ekipin mund t’ia dërgoni vetëm kolegëve që janë pjesë e departamentit ku keni punuar.

Nëse me ndonjërin prej kolegëve keni pasur një lidhje më të ngushtë, mund ta dërgoni një email të veçantë vetëm për atë.

Ne ju sjellim dy shembuj të emaileve të tillë:

Të dashur kolegë,

Me lejoni që nëpërmjet këtij emaili, t'ju njoftoj që unë nuk do të jem më pjesë e kompanise (shkruani emrin e kompanisë ku jeni duke punuar). Arsyeja është se kam pranuar një mundësi tjetër e cila mendoj që do të ishte e duhura për karrierën që unë dua të ndjekë.

Dita ime e fundit në kompani do të jetë pasnesër, me datën (shkruani datën e fundit që do të jeni akoma ne kompani).  Dua t'ju falënderoj të gjithëve për kohën që kemi kaluar bashkë dhe për bashkëpunimin e mirë që kemi pasur gjatë gjithë këtyre muajve. Jam shumë mirënjohës/e që kam takuar secilin prej jush. 

Shpresoj që rrugët tona të lidhen përsëri në të ardhmen. Do të doja shumë të mbajmë kontakte. Mua mund të më arrini në këtë email (shkruani emailin tuaj personal) dhe në numrn tim të telefonit ( shkruani numrin e telefonit).

Përzemërsisht,

(Shkruani Emrin dhe Mbiemrin tuaj)

Një shembull i një emaili që mund ta dërgoni tek një koleg/e me të cilin/cilën keni qenë pak më i/e afërt:

Tung (shkruani emrin e kolegut/kolegës që po ia drejtoni emailin)

Me lejo të të njoftoj që kam marrë një ofertë tjetër të punës dhe dita ime e fundit në kompani (cekni emrin e kompanisë) do të jetë (shkruani ditën e fundit).

Të jam shumë falëndëruese për kohën që kemi kaluar bashkë, për mbikqyrjen dhe mbështetjen tënde të vazhdueshme. Kam mësuar shumë gjëra të reja gjatë punës tonë bashkë.

Nëse është e konvenueshme edhe për ty, para largimit tim, do të kisha dëshirë të takohemi për kafe. Do të doja gjithashtu të mbetemi në kontakt. Emaili dhe numri im personal janë ( shkruani të dhënat).

Përsëri, faleminderit për gjithçka!

Gjitha të mirat

(Shkruani emrin tuaj)

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2022 - KosovaJob LLC