5 gabimet më të shpeshta që mund t’i bëni në karrierë

20 Prill '20

5 gabimet më të shpeshta që mund t’i bëni në karrierë
	 	 

Pavarësisht se sa të sigurt ndjeheni në pozitën tuaj aktuale, nuk duhet të bëheni kurrë shumë të rehatshëm. Në kohën që po jetojmë, si rrjedhojë e jetës dinamike, mund të ndodhin edhe gjëra të papritura si: kompanitë blihen, disa prej tyre falimentojnë, ndryshimet e pronësisë, si dhe ndryshimet e tregut të punës. Prandaj, në rast të ndonjë ndryshimi eventual në karrierën tuaj, është e domosdoshme ta gjeni veten të përgatitur dhe t'i evitoni disa gabime që mund t'i bëni.

Nëse dëshironi të ndiqni rrugën më të mirë të karrierës dhe të jeni në gjendje të gjeni shpejt një punë të re kur është koha për ndryshime, shmangni këto pesë gabime potencialisht katastrofike në karrierë.

1. Ju gaboni kur nuk e sfidoni veten

Nëse e shihni se keni ngecje në teknologji apo ndonjë fushë tjetër, dhe vazhdoni me kokëfortësi të mos ndërmerrni masa për ta përmirësuar veten, aftësitë tuaja përfundimisht do të vjetrohen dhe kësisoj rrezikoni ta humbni vendin e punës si dhe të mos jeni të gatshëm të përballeni me ndryshimet në të ardhmen. Prandaj, është e domosdoshme të jeni në hap me kohën, t’i zhvilloni aftësitë që keni si dhe të mësoni aftësi të reja, që janë thelbësore në punën që bëni. Këtë mund ta bëni duke e sfiduar veten në projekte të reja si dhe të jeni të përditësuar me programe të reja kompjuterike që lehtësojnë punën tuaj.

2. Mos përditësimi i CV-së

Shpesh njerëzit kur fillojnë një punë të re, harrojnë se CV-ja e tyre duhet përditësuar vazhdimisht. Ndërsa, kur vjen koha për një ndryshim pune të çfarëdo lloji, bëhet shumë e vështirë të rregulloni shpejt CV-në, si dhe të mbani mend të gjitha gjërat që keni realizuar nëse nuk keni mbajtur shënime në vazhdimësi. Shumë njerëz tani përdorin LinkedIn ose platforma tjera për të përditësuar CV-në e tyre, ku cekin pozitat, arritjet, arsimin dhe përgatitjen profesionale.

3. Mos rrjetëzimi dhe eksplorimi i mundësive

Nëse refuzoni mundësitë për të marrë pjesë në ngjarje që organizohen nga kompania, kësisoj ju po izoloni veten tuaj. Nëse nuk zgjeroni rrjetin tuaj të njerëzve dhe distancoheni nga krijimi i miqve të rinj, ju nuk mund të prisni që të ju njohin se kush jeni dhe vlerat që shfaqni si person. Prandaj, është e nevojshme që të jeni sa më të shoqërueshëm dhe të takoni sa më shumë njerëz brenda industrisë dhe kompanisë ku aktualisht punoni.

4. Gaboni nëse nuk jepni maksimumin

Nëse nuk shfaqni gatishmëri për të ndihmuar kompaninë tuaj ose një klient, ose duke mos kontribuar në ekipin e punës, në këtë mënyrë ju dërgoni mesazh të gabuar te bashkpunëtorët tuaj. Si rrjedhojë, ata krijojnë përshtypje jo të mira për ju duke menduar se jeni dembelë në punën që bëni dhe se nuk jeni të interesuar pë bashkëpunim. Prandaj, është mirë që të shfaqni interes për punë shtesë edhe nëse keni kryer detyrat e caktuara që keni pasur, si dhe të merrni pjesë në punën në grup duke shkëmbyer ide dhe përvoja me të tjerët.

5. Mungesa e vetëbesimit

Nëse ju personalisht nuk besoni në veten tuaj, atëherë si mund të prisni që shefi apo kolegët tuaj të besojnë në ju? Bëni gjithçka që mundeni për të ndërtuar vetëbesimin tuaj. Filloni këtë duke i ndalur mendimet negative që mund t’i keni dhe të fokusoheni më shumë në pikat tuaja të forta dhe aftësitë që posedoni./AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2021 - KosovaJob LLC