Pse është e rëndësishme të keni miq në punë?

16 Prill '20

Pse është e rëndësishme të keni miq në punë?
	 	 

Kompanitë shpesh flasin për kulturën, por rrallë e konsiderojnë rolin që luan miqësia në punë në krijimin e një mjedisi pune të shëndetshëm, dinamik dhe produktiv.

Sipas një studimi të “Global Work Connectivity", më shumë se gjysma e të punësuarve sot ndjehen të vetmuar në punë gjatë gjithë kohës ose shumicën e kohës dhe kanë një dëshirë për më shumë ndërveprim social në vendin e punës.

Nuk ka dyshim se vendet e punës janë mjedise komplekse që bashkojnë njerëz me ide, supozime, përvoja, pritshmëri dhe ambicie të ndryshme. Kultura e shëndetshme e një kompanie, para së gjithash lidhet me njerëzit dhe mënyrën se si ata ndërveprojnë, lidhen, komunikojnë dhe bashkëpunojnë.

Në mënyrë që një vend pune të jetë produktiv, ku idetë sfidohen në mënyrë konstruktive dhe njerëzit inkurajohen të kenë bashkëpunim të shëndoshë me njëri tjetrin, është e rëndësishme të dimë se si i qasemi frymëzimit dhe inkurajimit të miqësive.

Pse është e rëndësishme të krijoni miqësi në vendin e punës?

Shtohet dëshira për punë

Kur jeni të kënaqur me njerëzit me të cilët ndërveproni çdo ditë, kjo nënkupton një sens të përgjithshëm të përmirësuar të kënaqësisë në punë.

Një studim i realizuar nga "Gallup" gjeti se shumica e punonjësve që kanë miq në vendin e punës, janë më të kënaqur në punë se sa të tjerët.

Të keni miq në punë, të cilët ju mbështesin, pasurojnë përvojën tuaj, ju japin ndjenjën e përkatësisë dhe pozitivitetit, patjetër që ndikon në krijimin e një mjedisi të shkëlqyeshëm pune.

Ngritet efikasiteti

Miqtë e mirë nuk kanë qëllim vetëm që të pajtohen me ju, pasi ata edhe ju sfidojnë dhe frymëzojnë për arritje më të mëdha. Ata ju ndihmojnë të shihni gjëra nga këndvështrime të ndryshme dhe të eksploroni ide të reja.

Kur jeni të rrethuar me njerëz që ulin nivelin e stresit, ju japin kritika të arsyeshme dhe konstruktive, kjo ju ndihmon t'i realizoni qëllimet tuaja jo vetëm si person por edhe si ekip.

Krijohet bashkëpunim i mirë

Marrëdhëniet e mira me kolegët tuaj cilësohen me komunikim të rregullt në vazhdimësi, gjë që ndikon në rezultate më të mira të biznesit. Komunikimi i hapur, i sinqertë, pozitiv dhe konstruktiv është themeli i një bashkëpunimi të mirë, kësisoj kur keni një miqësi të fortë që ju veçon si grup, nuk ka kufi për atë që mund të realizoni së bashku. /AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC