Çfarë po ju ndalon nga ndërmarrja e hapave për të pasur sukses në karrierë?
Kur është fjala te marrja e rreziqeve, a veproni pa menduar mirë, apo analizoni situatën dhe pastaj veproni?Për ngritje në karrierë, shmangia e rreziqeve në tërësi mund të jetë më e rrezikshme sesa përballja dhe tejkalimi i tyre. Përballja dhe tejkalimi i rreziqeve dhe sfidave gjatë karrierës ju ndihmon në ngritjen e vetëbesimit tuaj si dhe ndërtimin e një mentaliteti prej fituesi.
Eshtë e lehtë të qëndroni në zonën tuaj të rehatisë dhe të shmangni rreziqet, mirëpo kësisoj ju nuk mund të përparoni në karrierë nëse ngurroni të provoni gjëra të reja. Në këtë artikull do të ndajmë me ju disa mënyra se si mund të menaxhoni më mirë rrezikun në të ardhmen, si dhe hapat që preferohet t’i ndërmerrni gjatë rrugëtimit në karrierën tuaj.
Tejkaloni ndjenjën e frikës
Ju mund edhe të keni dilema dhe frikë kur ndodheni para një vendimi të rëndësishëm në karrierën tuaj profesionale. Poashtu, mund edhe të jeni skeptik dhe pyesni veten nëse vendimi që po merrni nuk shkon si planifikoni. Mirëpo, duhet ta tejkaloni situatën duke marrë frymë thellë dhe duke menduar se si do të ndjeheni nëse hapi që do ndërmerrni shpaguhet.
Filloni me hapa të vegjël
Fillimisht, tentoni të ndërmerrni një rrezik të vogël çdo ditë, për të shtyrë veten jashtë zonës tuaj të rehatisë. Sa më shpesh të rrezikoni, aq më të rehatshëm do të bëheni. Kësisoj, ju gradualisht fitoni vetëbesimin që të ndërmerrni hapin e radhës që e konsideroni si moment kyç në formësimin tuaj profesional.
Jepni prioritet qëllimeve tuaja
Pavarësisht se cili është objektivi juaj, ju do të duhet të ndërtoni me vetëdije hapësirën në orarin tuaj për ta bërë atë të arritshëm. Nëse doni t'i jepni prioritet qëllimeve tuaja është mirë të shkurtoni përkohësisht një aktivitet, si shikimi i televizionit apo serialit tuaj të preferuar, ose mund të lini mënjanë një orë në ditë në mëngjes, gjatë natës, ose në pushimin tuaj të drekës për të punuar në qëllimin tuaj.
Merrni parasysh përparësitë dhe mangësitë
Nëse nuk jeni të sigurt para se të merrni ndonjë hap në karrierën tuaj, shkruani të gjitha në një copë letër. Shkrimi i përparësive dhe mangësive do t'ju ndihmojë të shihni rreziqet dhe shpërblimet e përgjithshme që mund t’ju presin. Nëse rezultatet nuk përputhen me pritshmëritë tuaja, është mirë ta keni një plan rezervë./AkademiPune