Varësisht nga natyra e punës, shumica e bizneseve janë duke vazhduar punën nga distanca, si shkak i pandemisë që ka kapluar botën së fundmi.
E ato biznese që mision i kanë njerëzit, mund ta kenë pasur pak më të vështirë praktikimin e punës në këtë formë, ani pse firmat e rekrutimit këtë mënyrë pune e kanë aplikuar edhe më parë.
Zanë Havolli - Veseli, Senior Recruiter në kompaninë e rekrutimit HumanPower, tregoi për AkademiPune se si po menaxhohet i gjithë rekrutimi nga shtëpitë për kompanitë vendore dhe ato ndërkombëtare. Ajo thotë se ndonëse një gjendje e tillë e ka prekur pak procesin e rekrutimit vendor, në të njejtën kohë i ka mësuar njerëzit të praktikojnë dhe të gjinden edhe me metoda të tjera të punës.
"Kriza e virusit korona na ka detyruar të gjithëve të përqafojmë mënyra të reja të punës. Thirrja për të qëndruar në shtëpi dhe për të respektuar distancën sociale, nuk nënkupton që duhet ndëprerë punën. Kjo gjendje e ka vështirësuar pak procesin e rekrutimit dhe është diçka e re për të intervistuarit dhe intervistuesit. Shumë njerëz të cilët janë mësuar me intervista “face to face” do të duhet të kalojnë për herë të parë në proceset e shqyrtimit virtual dhe të zbulojnë mënyra të reja për të njohur më mirë veten dhe kompanitë për të cilat kanë aplikuar”
Organizimi i intervistave online
Rekrutuesit tashmë veç kanë kaluar në mbajtjen e të gjitha intervistave online. Aplikacionet që përdorën kryesisht janë: Skype, Google Meet, WhatsApp dhe të tjera.
"Momentalisht, të gjitha intervistat jemi duke i zhvilluar online, nëpërmjet google.meet, por natyrisht që po përdorim edhe aplikacione të tjera si Skype dhe në rast nevoje edhe WhatsApp. Teknologjia mundëson që njerëzit të lidhen kudo në botë, me këdo, në çdo kohë. Kjo ndryshon mënyrën e punës së njerëzve por e bën më të lehtë punën konstante me kolegët që ndodhën në vende apo kontinente të ndryshme. Ne si HumanPower, e kemi databazën me kandidatë që veç kanë aplikuar online dhe kjo do të thotë që filtrimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve e bëjmë nëpërmjet softuerit që posedojmë”
Sfidat kryesore gjatë intervistimit online të kandidatëve
Zakonisht rekrutimi në këtë formë i ka edhe anët e mira por edhe ato të këqija. Havolli thotë se rekruterët mund ta shohin si sfidë rekrutimin vetëm nëpërmjet video-komunikimit, çka mund të marrë më shumë kohë dhe më shumë përpjekje. Mirëpo, ajo thotë se sfidë kryesore e rekrutimit online mund të jetë gjetja e kandidatëve të duhur.
”Unë si rekrutere mendoj që në keto raste kur edhe jemi duke punuar nga shtëpitë tona, një disavantazh i rekrutimit online është se kandidatët mund të mos e shfaqin veten njësoj dhe mund të na mashtrojnë. Kjo do të thotë që ne mund të përfundojmë duke u interesuar për dikë që nuk i plotëson kriteret e punës, por prapë e pretendon atë. Ndërkaq avazhtazhi është se tani është më e lehtë të kontaktosh kandidatët pasi që ata nuk janë të bllokuar në takime ose udhëtime“
Ndonëse filtrimi, selektimi, mbajtja e intervistave të punës si dhe përzgjedhja e kandidatëve final mund të bëhet edhe online, Havolli ka një këshillë për të gjithë kandidatët që intervistohen për punë në këtë periudhë.
“Kandidatët dhe të gjithë të tjerët që janë duke punuar nga shtëpia të jenë të durueshëm pasi që e gjithë kjo situatë do të kalojë dhe patjetër që do t’i kthehemi jetës normale. Gjatë kësaj periudhe, shfrytëzojeni kohën për të ndjekur ndonjë webinar online, kurse online, që të jeni sa më produktivë dhe të mësoni gjëra të reja“ përfundoi Havolli.
Disa këshilla për kandidatët:
Disa këshilla për intervistuesit: