Rëndësia e gjuhës gjermane në tregun e punës në Kosovë

13 Mar, 2020

Rëndësia e gjuhës gjermane në tregun e punës në Kosovë
	 	 

Gjuha gjermane hyn në mesin e gjuhëve më të folura në të gjithë globin dhe është edhe ndër gjuhët më të folura në Evropë. Gjermanishtja mund t’i lidhë individët me më shumë se 100 milionë folës në mbarë botën. Njihet po ashtu edhe si gjuhë kryesore e biznesit dhe si gjuha e tretë e punës që përdoret në Bashkimin Evropian.

Gjuhës gjermane, çdo vit e më shumë po i shtohet vlera edhe në tregun e punës në Kosovë. Janë të shumta kërkesat për të mësuar gjuhën e gjermane, sepse edhe mundësitë e punësimit për njerëzit që njohin këtë gjuhë po rriten gjithnjë e më shumë.

Fidaim Sheholli, menaxher i Departamentit të Trajnimeve në kompaninë më të madhe botërore për shërbime ndaj klientëve Teleperformance, në një intervistë për AkademiPune ka thënë se njohja e gjuhës gjermane, sjellë një mori përfitimesh në punësim. Ai tha edhe se mundësitë e punësimit nuk janë të pakta, kur individi njeh gjuhën gjermane.

fidaim sheholli

Është një treg mjaft i madh i kompanive gjermane që kanë synim ardhjen në Kosovë, për shkak se ato kompani sigurisht që e bëjnë edhe një hulumtim të ri dhe shohin se në Kosovë sidomos resurset njerëzore janë mjaft të përgatitur në aspektin e dijes dhe kualifikimit por shohin se është edhe një numër i caktuar i atyre që njohin gjuhën gjermane. Me avancimin e teknologjisë, sot nga Kosova mund të punohet për kompani të huaja në Gjermani apo në vende gjermanofolëse siç është Zvicra ose Austria. Kështu që, mendoj që gjuha gjermane tani është më e kërkuar sesa gjuha angleze pasiqë ekzistojnë një numër i madh i njerëzve që veç e dinë  gjuhën angleze, po çka është momentalisht e kërkuar, është gjuha gjermane”  

Ai tha se krahas nivelit të shkollimit, tek ai ka qenë një vlerë e shtuar njohja e gjuhës gjermane, për shkak se i ka mundësuar ngritjen në karrierë. “Mund të kesh edhe një master këtu në Kosovë por vendet e punës janë aq të kufizuara saqë edhe nëse punon në institucione të tjera, nuk e ke ndoshta aq të sigurtë mundësinë e ngritjes në karrierë, ashtu siç e ke nëpër kompani gjermane ose ndërkombëtare në përgjithësi”

Sipas tij, me ardhjen e bizneseve të huaja në Kosovë jo vetëm që është përmirësuar puna brenda Kosovës në aspektin e punëmarrësit, apo janë përmirësuar kushtet e punës dhe vlerësimi i punëtorëve por kjo ka ndikuar edhe në përmirësimin e klimës biznesore në Kosovë. Kjo ngase tashmë ndërmarrjet po fokusohen shumë në atë se si t’i motivojnë punëtorët por gjithashtu edhe në ngritjen e pagave.

Ai thekson se ndikon shumë edhe aspekti financiar dhe vlerësimi i punëtorit, çka kompanitë e huaja i kanë prioritete. Sipas tij, është mirë që në shkolla fillore e të mesme në Kosovë të jetë medoemos një lëndë zgjedhore e gjuhës gjermane dhe se duhet pasur parasysh faktin që mosha mesatare në Gjermani është dikund 46 vite ndërkaq në Kosovë 27-29. Si rrjedhojë, Kosova ofron një potencial të jashtëzakonshëm të atyre që zotërojnë shumë mirë gjuhën gjermane.

Sheholli thekson se përvojat e tij të mëparshme nëpër banka e institucione të ndryshme nuk i kanë dhënë mundësinë e ngritjes në karrierë siç ka ndodhur në kompanitë ku i është nevojitur gjuha gjermane për punë, çka njëkohësisht i ka ndihmuar edhe në aspekt financiar. Kjo sepse kompanitë e huaja paguajnë kryesisht më mirë sesa ato vendore. Ai ka një porosi për të rinjtë në Kosovë, të cilët presin të përfshihen në treg të punës.

“Këshilla ime për të rinjtë është të shfrytëzojnë kohën në mënyrë racionale, të investojnë në avancimin e tyre, ta mësojnë gjuhën gjermane. Një individ, pavarësisht shkollimit që posedon, nëse e din gjuhën gjermane dhe punon në një sektor tjetër, jo në një kompani të huaj, ai e ka potencialin e tij, që është një vlerë e shtuar gjuha gjermane, dhe ai mund të dalë prej një biznesi ku nuk trajtohet mirë në një biznes ndërkombëtar sepse kompanitë vendore e ndjekin logjikën e ndëshkimit dhe jo të motivimit. Pra, ai person e ka mundësinë të kalojë në një kompani që i çmon këto gjëra, e këto kompani kanë ndikuar jashtëzakonisht mirë në përmirësimin e infrastrukturës së punës por edhe të trajtimit të mirë të punëtorëve sepse tash e dimë çka është mirë të bëhet dhe çka jo”

Zanë Havolli - Veseli, Senior Recruiter në kompaninë e rekrutimit HumanPower, tash e disa vite merret direkt me rekrutimin e gjermanofolësve për kompaninë botërore për shërbime ndaj klientëve, Teleperformance. Në një intervistë për AkademiPune, ajo ka thënë se kërkesa për të punësuar gjermanofolës është shumë e madhe në treg të punës. Ajo tregon se Teleperformanca në tri vitet e kaluara ka punësuar mbi 500 persona që njohin gjuhën gjermane.

Zana Havolli

“Janë mbi 500 persona gjermanofolës nga Kosova të punësuar në kompaninë më të madhe botërore për shërbime ndaj klientëve, Teleperformancë. Pjesa dërmuese e tyre e flasin rrjedhshëm gjuhën gjermane, ka prej atyre që e kanë mësuar gjatë kohës sa kanë jetuar në vende gjermanofolëse, në kurse apo edhe nëpërmjet televizorit. Njohja e gjuhës gjermane absolutisht sjellë përfitime të shumta në aspekt të punësimit sepse kryesisht këta njerëz fillojnë të punojnë me metoda më ndryshe, domethënë me standarde gjermane të punësimit. Personalisht si rekrutere dhe e involvuar direkt në rekrutimin e gjermanofolësve, mund të them që ka pasur raste kur njohja e gjuhës gjermane e ka bërë diferencën në jetën e disa personave që sot gëzojnë punën aty.”

Havolli ndër tjera tregon se një pjesë e madhe e punonjësve vazhdojnë punën aty, si shkak i benefiteve të mëdha që kanë pasur ndër vite.

Ndërkaq, Allen Pajaziti, mësimdhënës i ri i gjuhës gjermane në shkollën e gjuhëve të huaja Britannica ELT, tregon se interesimi për ta mësuar gjuhën gjermane është shumë i madh. 

“Interesimi për ta mësuar gjuhën gjermane është jashtëzakonisht i madh, duke e pasur parasysh faktin që sistemi i arsimit në Kosovë ka ndërruar dhe të rinjtë duan ta përvetësojnë atë që e mësojnë në shkolla. Gjuha angleze tashmë është bërë gjuhë dytësore tek ne dhe thuajse nuk ka anëtar në familje prej gjeneratave tash e tutje që nuk po e dinë gjuhën angleze, pse jo mos me e mësu edhe gjuhën gjermane”

Ai thotë se personat që duan ta mësojnë gjuhën gjermane kanë qëllime vetanake. Gjuha gjermane ua mundëson të gjinden në shtete të tjera si Gjermani, Zvicër, Austri, Luksemburg por edhe sepse kjo gjuhë tashmë është bërë një gjuhë universale sa i përket komunikimit, kuptimit apo marrëveshjeve në përgjithësi.

“Dallon rasti nga rast, gjeneratat më të reja vijnë shkaku i arsimimit në shkollë, nuk duan ta lënë me aq sa mësojnë në shkolla se në shkollë është sistemi ndryshe, i ke 45 minuta për një klasë, ajo nuk mund të nxjerrë mësim cilësor. Kjo është njëra prej arsyeve pse vijnë tek ne, dikush është i interesuar të shkojë jashtë Kosovës, disa kanë synim të bëhen poliglotë, disa e mësojnë veç për qejf. Ka shumë përfitime edhe në Kosovë, sa ma shumë gjuhë që din aq më shumë vlen. Në Kosovë kanë filluar shumica e firmave të bëjnë outsourcing dhe njëra prej arsyeve pse duhet të mësohet gjuha gjermane është se ofrohet një punë më e mirë, janë pagat më të larta, është orari i punës më në rregull, etj”.

mesimi i gjuhes gjermane

Edhe Driton Peci, agjent i thirrjeve në kompaninë Teleperformance, thotë se njohuritë në gjuhën gjermane i kanë sjellë shumë përfitime në karrierë. Ai tash e dy vite punon në Teleperformancë dhe thotë se është shumë i kënaqur me kushtet e punës, metodat, ambientin në përgjithësi.

“Sa i përket punësimit, është një ambient më ndryshe nga ajo që jemi mësuar të bëjmë në Kosovë, duke pasur parasysh mënyrën e funksionimit të bizneseve në Kosovë. Modeli gjerman i punësimit që në tregun tonë nuk është thuajse fare i përhapur dhe ligjet e aprovuara nuk zbatohen është definitivisht diçka që të bën të vëresh dallimin. Duke e njohur gjuhën gjermane, nuk kam pasur vështirësi kurrë të punësohem, nuk e kam pasur ndonjëherë një periudhë të gjatë që kam qenë i papunë. Tregu ta mundëson këtë fleksibilitet sepse nuk je i varur veç prej një punëdhënësi e as punëdhënësi prej teje, kjo shkakton edhe një lloj balance sa i përket pagave të cilat janë më të mira se veprimtaritë e tjera në Kosovë”.

Fillo Kuizin
Testojeni veten, mësoni më shumë dhe argëtohuni në të njejtën kohë nëpërmjet kuizeve që ofrojmë ne për ju.
  • Cili quhet planeti i kuq?
    A
    Marsi
    B
    Jupiteri
    C
    Venera
    D
    Saturni
  • Cili është termi për epokën më të hershme të njohur. Atëherë kur universi ishte shumë i nxehtë, i dendur dhe duke u zgjeruar?
    A
    Crunch Big
    B
    CMB
    C
    Energjia e errët
    D
    Big Bang
  • Si çka njihen: lo, Europa, Ganymede dhe Castillo?
    A
    Hëna Ioniane
    B
    Hëna Galileiane
    C
    Hëna Evropiane
    D
    Hëna Kepleriane
  • Kush shkeli në hënë për herë të parë?
    A
    Janet Shearon dhe Neil Amstrong
    B
    Janet Shearon dhe Michael Collins
    C
    Neil Amstrong dhe Buzz Aldrin
    D
    Pete Conrad dhe Alan Bean
  • Nga çka përbëhet thelbi i brendshëm i tokës?
    A
    Hekuri i ngurtë
    B
    Nikeli i ngurtë
    C
    Ari i ngurtë
    D
    Karboni i lëngshëm
  • Cili është emri i asteroidit të parë të zbuluar?
    A
    Ceres
    B
    Juno
    C
    Vesta
    D
    Pallas
  • Si quhet një planet që orbiton një yll tjetër përveç Diellit?
    A
    Një planet mashtrues
    B
    Një ekzoplanet
    C
    Një endoplanet
    D
    Një protoplanet
  • Cila kometë vizitoi sistemin diellor në 1986 dhe do të kthehet në 2061?
    A
    Hale-Bopp
    B
    Ison
    C
    Hyakutake
    D
    Halley
  • Cili është lloji më i zakonshëm i yllit në galaksi?
    A
    Xhuxhi i kuq
    B
    Ylli diellor
    C
    Gjiganti blu
    D
    Gjiganti i kuq
  • Si quhet galaksia jonë?
    A
    Rruga e qumështit
    B
    Sombrero
    C
    Andromeda
    D
    Kometa
1
/
10
ARTIKUJ TË NGJASHËM
GABIMET QË DUHET SHMANGUR GJATË NJË INTERVISTE PUNE PËRMES TELEFONIT
Tashmë e keni dërguar CV-në tuaj. Çka mbetet është të prisni telefonatën nga kompania në të cilën keni aplikuar. Kandidatët që duan të bëhen pjesë e një kompanie apo institucioni konkret është e rëndësishme që të njohin disa aspekte themelore që kanë të bëjnë me intervistën dhe metodat e tjera që një punëdhënës mund të praktikojë, me kusht që një person ta bëjë pjesë të kompanisë së tij. Shpeshherë kompanitë e ndryshme përdorin në fillim metodën e intervistimit nëpërmjet telefonit para se t’i ftojnë kandidatët për një intervistë fizikisht. Intervistat e punës nëpërmjet telefonit kryesisht zgjasin deri në 15 minuta dhe u shërbejnë rekruterëve të kuptojnë nëse një kandidat është i përshtatshëm për punën që po kërkohet. Në momentin që dëshironi të aplikoni për një vend pune duhet të keni kujdes të ecni në mënyrën më të sigurt të mundshme që nga hapat e parë të aplikimit e deri në ata përfundimtar që kanë të bëjnë me përzgjedhjen nga ana e punëdhënësit. Dërgimi i dokumentacionit të nevojshëm, thirrja për t’u bërë pjesë e intervistës, testimi nëpërmjet telefonit, përshkrimi i detyrave të punës dhe përzgjedhja e kandidatit jo vetëm që kërkojnë përgatitje të nevojshme profesionale por në të shumtën e rasteve mund të paraqiten edhe si situatë mjaft stresuese për kandidatin që pretendon të bëhët pjesë e kompanisë ku edhe synon të ndërtohet profesionalisht. Prandaj, në këtë artikull do të elaborohen disa aspekte që kanë të bëjnë me gabimet të cilat kandidati i interesuar për pozitën përkatëse duhet medoemos t’i shmang. Rekruterë të ndryshëm tregojnë se edhe nëpërmjet zërit ata janë të aftë të kuptojnë nëse se një kandidat  është i përshtatshëm për pozitën që është dhënë. Rekruterja Zanë Havolli, nga kompania e rekrutimit HumanPower jep disa këshilla për të gjithë kandidatët që po presin një thirrje nga kompania ku kanë aplikuar. Ajo thotë se një thirrje telefonike nuk është gjithnjë veç ftesë për intervistë ngase jo gjithherë do të keni shansën që pas telefonatës të ftoheni për intervistë edhe fizikisht. „Shfaqja e mirësjelljes është një ndër gjërat më të rëndësishme në kontaktin e parë me një kandidat e sidomos kur akoma nuk kemi rënë dakord për një takim. Kur takohesh fizikisht me një kandidat patjetër që dallon shumë nga një telefonatë dhe për këtë arsye është më e rëndësishme të ndërtohet afërsi dhe njëfarë besimi gjatë bisedës. Kandidatët duhet të vënë theksin tek rëndësia që ka kjo punë dhe pse kjo kompani është interesante per ta . Po ashtu, luan shumë rol edhe  interesimi i kandidatit rreth hapave të mëtutjeshëm. Sa më pozitiv që është një kandidat, aq më të mëdha janë shancat për të ngelur në kujtesën e një rekruteri“, ka thënë Havolli. Ndër këshillat e tjera që ajo jep, është t’i kushtohet vëmendje asaj se çka po flitet gjatë bisedës në mënyrë që diskutimi të mos shoqërohet me pauza në përgjigje nga ana e kandidatit ngase kjo mund të ndikojë në një përformancë më të dobët të tij. Sipas saj, motivimi i kandidatit vërehet nëse ai nuk tenton të jetë i pari të ndërpresë bisedën. Pra nëse biseda zgjat më shumë, probabiliteti që ai kandidat të jetë më afër punësimit është gjithnjë më i lartë. Bazuar në përvojën e saj në rekrutim, Havolli theksoi se stresi është dicka e kuptueshme dhe vërehet qoftë edhe përmes telefonit por nuk është diçka që zbret pikët e një kandidati. „Është normale që të mund të keni pak stres para një thirrjeje të tillë por ajo nuk zbret pikët tuaja, pasi ky është një hap i rëndësishëm i cili mund t’ju sjellë më afër punës suaj të ëndrrave. Këshilla ime do të ishte t’i kushtohet vëmëndje asaj se cka po flitet gjatë bisedës, dhe të mos ngatërrohet nga pyetja në pyetje apo biseda të karakterizohet me pauza apo përgjigje të shkurta. Nga përvoja ime si rekrutere, unë e vërej shumë shpejt nëse një kandidat është i përshtatshëm për pozitën të cilën ka aplikuar dhe mendoj që sa më shumë  të zgjasë biseda aq më të mira do të jenë shancat për të kaluar nëpër procesin e aplikimit. Mënyra se si flet një kandidat nëpërmjet telefonit me bën të zbuloj shumë rreth tij si psh qëllimet, vlerat dhe motivimi që e karakterizon atë“, Ajo nënvizon se një rëndësi e veçantë duhet t’i kushtohet edhe të folurës, pra kandidatët duhet të kujdesën që të flasin sa më rrjedhshëm dhe të përçojnë qartë atë që duan apo mendojnë në lidhje me punën që kanë aplikuar. Sipas saj, shumica e njerëzve zakonisht flasin shumë shpejtë dhe në këtë rast është mirë t’i kushtohet vëmendje edhe frymëmarrjes që të mos transmetohet shumë pasiguri tek rekruteri. Gjatë intervistës me KosovaJob, Havolli vuri theksin tek disa nga gabimet më të zakonshme që shumica e kandidatëve i bëjnë gjatë intervistimit me telefon. Ndër to, ajo përmendi edhe diskutimin e pagës me rekruterin, çka sipas saj konsiderohet e papranueshme meqë është diçka që duhet të diskutohet në një takim përballë. Gjithashtu, ajo këshillon kandidatët të mos e ndërrojnë numrin e tyre të telefonit sepse ka shumë raste kur ata e kanë ndërruar numrin e telefonit pasi që kanë aplikuar dhe si rrjedhojë kanë humbur mundësinë e intervistimit. Ndonëse kompania e dërgon ftesën për intervistë edhe nëpërmjet email, rekruterja Havolli u rekomandon kandidatëve të mbajnë shënime rreth kësaj meqë jo çdoherë email mund të shërbejë si një përkujtues i mirë. Që intervista të përmbyllet me sukses është shumë e rëndësishme mënyra se si përfundohet biseda.  Kandidatëve u sugjerohet ashtu siç e kanë nisur me mirësjellje edhe ta mbyllin bisedën. Pra, të përdorin fjali të tilla si "Ju falemnderit për bisedën e mirë“, apo diçka ngjashëm.
Lexo më shumë
Çka ndodhë nëse nuk shfaqeni në intervista të punës?
Ftesa për intervistë është padyshim një hap shumë i rëndësishëm për të fituar vendin e punës ku keni aplikuar. Kjo nënkupton që kompanisë i ka pëlqyer aplikacioni juaj dhe gjasat që ju të bëheni pjesë e asaj kompanie janë shumë të mëdha. Mirëpo, nganjëherë në periudhën mes aplikimit dhe ftesës për intervistë, dëshira juaj për t’u bërë pjesë e kompanisë mund të ketë ndryshuar.   Sipas një studimi të CV-Library, një në dhjetë profesionistë në Britani të Madhe e kanë pranuar që nuk janë shfaqur në intervista të punës. I njejti studim zbuloi gjithashtu se 34% e kandidatëve nuk u shfaqën në intervista sepse nuk e donin punën më, ndërkaq 22% prisnin të paktën edhe një konfirmim emaili ose kishin harruar fare të shkonin. Mos shkuarja në intervista të punës pa ndonjë paralajmërim mund të ketë pasoja të mëdha në punësimin tuaj. Do të futeni në listën e zezë (blacklist) të kompanisë Listat e zeza të kompanive vërtetë ekzistojnë, sidomos tek kompanitë e rekrutimit. Nëse keni aplikuar për punë dhe nuk jeni shfaqur në intervistë, atëherë gjasat që rekruterët t’iu fusin në listën e zezë janë shumë të mëdha. Kjo nuk përbën shumë dallim edhe po aplikuat direkt tek një punëdhënës, ngase në të ardhmen mund të keni dëshirë te aplikoni tek e njejta kompani për një pozitë tjetër. Mos shkuarja juaj në intervistë mund t’i zhgënjejë personat të cilët ju kanë besuar si dhe rekruterët që kanë vendosur t’iu sjellin përballë klientit të tyre. Gjithashtu, kjo do t'iu bëjë të dukeni edhe shumë jo profesional. Do të prishni urat me kompanitë Një tjetër pasojë e mos shfaqjes tuaj në intervistë është se ju do të prishni urat që do të mund të ndërtonit me kompanitë në rast se do të ishit prezent. Sigurisht, kompania ose pozita e punës mund të mos kenë qenë të përshtatshme në atë kohë por kjo nuk nënkupton se do të jenë edhe në vitet e ardhshme. Ruajtja e imazhit profesional mund t'iu sjellë shumë dobi, pasi që rekrutuesi ose punëdhënësi mund t'iu ndihmojnë të gjeni një rol tjetër në të ardhmen, sidomos kur flitet për kompanitë e rekrutimit. Rastet e mos shkuarjes në intervista të punës janë shumë të shpeshta edhe në Kosovë. Rekruterja nga kompania e rekrutimit HumanPower, Zanë Havolli, në një intervistë për KosovaJob tha se kandidatët të cilët nuk shfaqen në intervista të punës dhe nuk lajmërojnë, hyjnë direkt në listë të zezë. "Nëse një kandidat nuk shfaqet në intervistë të punës si dhe nuk na lajmëron neve si kompani, atëherë ai futet direkt në listë të zezë. Në rast se i njejti aplikon për një pozitë të re të punës, atëherë kompania merr njoftimin se ky kandidat ka qenë njëherë në listë të zezë dhe pastaj duhet ta shqyrtojmë”, ka thënë ajo. Ajo tha se kandidatët hyjnë në listë te zezë edhe nëse nuk shfaqin interes për punën e sidomos nëse janë arrogantë gjatë intervistimit. Ndërkaq, Minire Sadriu, menaxhere e burimeve njerëzore në kompaninë Albi Group, po ashtu ka thënë se kandidatët të cilët nuk shkojnë në intervistë e nuk lajmërojnë, humbin shancën për t’u ftuar përsëri për ndonjë intervistë në të ardhmen. “Ne i kemi të gjitha evidencat, me data, me orë, për të gjithë kandidatët. Ata të cilët nuk kanë ardhë në intervista të punës dhe nuk na kanë lajmëruar, nuk thirren më për intervistë. Ndërsa, sa u përket kandidatëve të cilët na japin një arsye valide, ata emra i lemë të hapur ose i kalojmë në rundin e dytë të intervistave” theksoi Sadriu. Si të shpëtojmë nga “lista e zezë” e kompanive? Mos shkuarja në intervistë mund t’iu shoqërojë me pasoja në të ardhmen sidomos nëse jetoni në një qytet të vogël ose ne ndonjë zonë ku ka mungesë të kompanive që veprojnë. Që të mos humbisni shancat për t’iu bashkuar kompanisë ndonjëherë tjetër, ju duhet të keni parasysh mënyrën se si refuzoni të shkoni në intervistë. KosovaJob, ju sjellë disa këshilla që mund t’i ndiqni, në mënyrë që emri juaj të mos mbetet në listën e zezë të kompanive. Tregoni me mirësjellje nëse pozita e punës ose orari nuk është i përshtatshëm për ju në atë periudhë. Lajmëroni në rast se keni pasur ndonjë urgjencë. Tregoni rekruterëve nëse keni pranuar një ofertë tjetër të punës e cila ju është përshtatur më shumë. 
Lexo më shumë
TREGU I PUNËS NË KOSOVË: STUDENTËT E PAPËRGATITUR APO PUNËDHËNËSIT SHUMËKËRKUES?
Përgatitja për treg të punës paraqitet si sfidë në vete. Kjo nuk nënkupton vetëm përgatitje profesionale apo njohuri specifike në një fushë të caktuar por edhe shumë mund e angazhim. Përgatitja për treg të punës fillon qysh në mosha të hershme,  si nxënës  e më vonë edhe si studentë, ngase kjo është koha kur njeriu fillon të pjeket intelektualisht dhe si rrjedhojë të njohë kapacitetet e tij intelektuale në profesione të caktuara. Drejtori i Kolegjit Universum dhe njëkohësisht themeluesi i Shkollës Finlandeze në Kosovë, Alejtin Berisha, në një intervistë për KosovaJob, ka thënë se koncepti i tregut të punës ka evoluar shumë me kohën dhe do të ketë ndryshime edhe më të mëdha në pesë ose dhjetë vitet e ardhshme, prandaj sipas tij është e vështirë të thuhet nëse studentët po përgatitën për treg të punës. “Sot, studenti nuk përgatitet për treg të punës vetëm përmes studimeve formale, gjegjësisht shkollës së mesme ose universitetit. Përgatitja për treg të punës është gjatë gjithë jetës, të mësuarit gjatë gjithë jetës është jashtëzakonisht i rëndësishëm për shkak se për pesë apo dhjetë vite mund të zhduken shumë industri të cilat ne sot i njohim dhe të krijohen industri të reja, prandaj nuk mund të themi që studentët tanë po përgatitën për treg të punës derisa nuk e dimë si do të duket ai treg i punës për 10 vite, 15 vite. Ndërsa, roli i universiteteve është t’i ofrojnë shkathtësitë e transferueshme, shkathtësitë e të mësuarit, të cilat pastaj i mundësojnë studentëve në Kosovë që varësisht prej ndryshimeve në treg të punës, t’i adaptohen më lehtë industrive të reja të cilat vijnë”,  ka thënë ai. Berisha vuri theksin tek një dukuri shumë e rëndësishme me të cilën kohëve të fundit po përballet Kosova, largimi i të rinjve. Ai tha se sot ekzistojnë mundësi punësimi për të rinjtë edhe jashtë Kosovës dhe pa pasur nevojë për t’u larguar nga vendi. “Të rinjtë tanë sot, mund të punojnë për kompani multinacionale që operojnë në Kosovë ose edhe jashtë Kosovës, mund të punojnë në vende të tjera prej këtu, pa shkuar fare atje mirëpo duhet kuptuar diçka, se tregu i punës nuk është veç tregu i punës së Kosovës. Ka shumë diskutime lidhur me atë se rinia po ikën, largimi i trurit është evidente që nuk është diçka e mirë për një vend por sot nuk ka më “gurbet”, sot ka mobilitet të njerëzve. Njerëzit shkojnë punojnë aty ku ofrohen më shumë mundësi për karrierë dhe mendoj që tregu i punës është secili me e pa botën, jo vetëm Kosovën”, ka thënë Berisha. Problemi qëndron tek keq-orientimi i studentëve Të rinjtë në Kosovë kyçen në drejtime të ndryshme universitare por sa janë të vetëdijshëm se çka mund të punojnë me ato drejtime për të cilat studiojnë? Lidhur me këtë çështje, Berisha tha se problemi kryesor në të gjithë sistemin arsimor të Kosovës por edhe në shoqëri qëndron tek keq-orientimi i studentëve. “Problemin kryesor që unë e shoh sot në krejt sistemin arsimor të Kosovës por edhe në përgjithësi në shoqëri është keq orientimi, unë nuk mendoj që sot universitetet ofrojnë studime të dobëta por edhe nëse ato ofrojnë studime të dobëta, hyn në kurse online, hyn në edx dhe merr kurse prej profesorëve më të mirë të botës, pa asnjë cent. Sot, nuk e ka universiteti monopolin e dijes ose monopolin e përgatitjes së studentëve për treg të punës, kështu që sot t’i fajësojmë universitetet nuk kemi të drejtë më, për çka duhet t’i fajësojmë edhe unviersitetet, edhe institucionet publike, edhe shoqërinë, është orientimi ose gjegjësisht keq-orientimi. Ne, shumë pak flasim sot për atë se çka kërkohet në treg të punës, se cilat janë ato industri që kanë potencial më të madh dhe çka duhet një i ri të bëjë me vetëvetën për t’i arritur majat e karrierës, ky është problemi kryesor dhe këtë nuk e bëjnë shumica e institucioneve”. Ai shtoi se problem tjetër është se njerëzit në Kosovë kryesisht dëshirojnë të fokusohen në sektorin publik sepse ekziston bindja që aty ka paga më të larta dhe nuk ka shumëpunë mirëpo kjo nuk është ajo çka duhet aspiruar.  Për ta pasur me të lehtë kyçjen në tregun e punës që mbizotëron sot, Berisha tha se një i sapodiplomuar duhet të zotërojë të ashtuquajturat shkathtësitë e transferueshme dhe ato profesionale. Sipas tij, nuk mund të ecet tutje në karrierë në rast se nuk ka njohuri të komunikimit, verbal dhe të shkruar. Ndër aftësitë e tjera, ai përmendi edhe kreativitetin, mendimin kritik dhe shpirtin ndërmarrës. “Kur them mendimi kritik, nuk nënkuptoj me kritiku në Facebook por me pasë qasje ndryshe ndaj gjërave. Për mua është shumë me rëndësi edhe shpirti ndërmarrës. Secili i ri mendoj që duhet të ketë shpirt ndërmarrës, nuk është e domosdosshme që ne të bëhemi të gjithë ndërmarrës sepse nuk mund të bëhemi por nëse kemi shpirt ndërmarrës, qoftë nëse punojmë në institucione publike, qoftë në private, ne do të anojmë më tepër kah zgjidhja se sa kah problemet, do ta shohim shumë më tepër gotën gjysëm të plotë, se sa gjysëm të zbazur”. IT-ja, Marketingu Digjital, Dizajni dhe Kontabiliteti janë industritë e së ardhmës Tregu i punës kërkon shumë profesione por disa prej tyre kanë potencial më të madh. Në mesin e tyre, Berisha thotë se hyjnë IT, marketingu digjital, dizajni por edhe kontabiliteti. “E para është IT normalisht, ka pashterrshëm. Sot, edhe nëse janë 100 mijë inxhinierë të kualifikuar, nesër mund të hyjnë në punë, që të gjithë. Kjo nuk do të thotë vetëm për kompanitë kosovare por edhe për kompanitë e huaja. E dyta, në përgjithësi janë industritë kreative, të lidhura me dizajn, me marketing digjital po edhe me kontabilitet. Këto janë industritë që kanë potencial të absorbojnë më mijëra vende të reja të punës, në të ardhmen”. Studentët dhe punëdhënësit kanë pritshmëri të larta në treg të punës Shkalla e papunësisë tek të rinjtë në Kosovë vazhdon të jetë e lartë. Berisha theksoi se pritshmëritë e studentëve por edhe të punëdhënësve janë shumë të mëdha në treg të punës. Sipas tij, kompanitë presin që një i ri, i sapodiplomuar, t’i sjellë miliona profit një kompanie ndërsa investimi e përkushtimi i këtyre kompanive është shumë i ulët.  Krahas kësaj, edhe të rinjtë nuk punojnë sa duhet dhe nuk po mësohen t’i marrin përgjegjësitë mbi veten. Krejt në fund, Berisha nënvizoi se në Kosovë diskutohet shumë për sigurinë në punë, për përfitimet e punëtorëve që patjetër se janë të rëndësishme por sipas tij në këtë vend akoma nuk janë plotësuar kushtet e tjera në mënyrë që të mund të diskutohen këto gjëra. “ Në një vend ku papunësia tek të rinjtë është 55%, diskutimi mbi të drejtat e njeriut e të drejtat e punëtorëve mendoj që nuk është sendi më i rëndësishëm. Për mua, shkelje më të madhe të të drejtave të njeriut se sa të mos ketë mundësi për një vend pune, nuk ka. Kështu që, nëse ne i kemi të papunë 55 perqind të të rinjve, nën moshën 34 vjeçare, ky duhet të jetë preokupimi ynë kryesor, kjo është shkelja kryesore e të drejtave të punëtorëve dhe të drejtave të njeriut, ne duhet të fokusohemi njëherë në atë se si ta ulim këtë papunësi, pastaj në momentin kur papunësia është e ulët, konkurrenca për njerëz të mirë do t’i nxisë vetë kompanitë të ofrojnë sa më shumë për punëtorët e vet, të ofrojnë kushte sa më të mira, përfitime më të mëdha mirëpo në këtë gjendje është shumë e vështirë”, theksoi Berisha. Alejtin Berisha udhëheq dy institucione arsimore të njohura në Kosovë, Shkollën Finlandeze dhe Kolegjin Universum. Shkolla Finlandeze është shkollë në Prishtinë, e cila mundëson arsimim cilësor në Kosovë duke u bazuar në sistemin e shkollimit finlandez i cili njihet si një ndër sistemet më të mira në botë sa i përket cilësisë së mësimdhënies. Ndërkaq, kolegji Universum është ofrues i arsimit të lartë për studentët kosovarë, atyre nga rajoni apo edhe studentët ndërkombëtarë. Ky i fundit, qysh nga viti 2010 ofron për studentët e vet lëndën “Orientimi në Karrierë”, e cila është e obligueshme dhe shoqërohet me punë praktike ( internship) në mënyrë që studentët të marrin përgjegjësitë për të ardhmen e tyre.
Lexo më shumë
Si të bëheni punëtorë të pavarur?
Puna si punëtor i pavarur ose freelancer është një mënyrë e lehtë e po ashtu edhe e shpejtë për të siguruar të ardhura. Kjo mund të realizohet në rast se keni aftësi në një drejtim të caktuar. Ju mund t’i ofroni shërbimet tuaja kompanive të ndryshme, duke punuar edhe nga shtëpia. Çka është një punëtor i pavarur (freelancer)? Një punëtor i pavarur është një punëtor që bën punë të veçantë për organizata apo biznese të ndryshme, dhe nuk punon gjatë gjithë kohës për një organizatë të vetme. Pse duhet të punoni si i pavarur? Ka një mori arsyesh se pse është frytdhënëse nëse keni një punë si freelancer. Me një punë të tillë, ju do të keni një metodë për të siguruar të ardhura shtesë. Përpos kësaj, e mira e kësaj pune është se mund ta nisni në çdo kohë dhe shumë shpejt. Krejt çka nevojitet është të bëni hulumtimin e saktë rreth klientëve për të cilët mund të kryeni shërbime. Puna si punëtor i pavarur është edhe fleksibile dhe gjithmonë iu lë kohë edhe për ta bërë nëj punë tjetër, me gjysmë orar. A ka mangësi ky lloj i punës? Ndonëse të mirat e kësaj pune janë shumë, duhet ta keni parasysh se mund të shoqëroheni edhe me disa mangësi. Pagesat ndonjëherë janë të çrregullta Menaxhimi i klientëve dhe projekteve kërkon shumë anagazhim Ka raste kur paga mund të jetë e ulët Cilat shërbime mund t’i kryejë një punëtor i pavarur? Ka shumë prej shërbimeve të cilat mund t’iu ofohen bizneseve apo organizatave si punëtor i pavarur. Disa prej profesioneve janë si vijojnë: Shkrimtar i pavarur Dizajner grafik Kontabilist Shërbime në marketing ose marrëdhënie me publikun Menaxher i rrjeteve sociale Si mund t’ia filloni? FIllimisht, ju duhet të zbuloni se cila është ajo aftësi e juaja të cilën mund t'ua ofroni kleintëve. Ju duhet të kujdeseni që ta keni një plan biznesi, një plan ku i nënvizoni shërbimet që mund t’i ofroni dhe një portfolio me punën tuaj.  Gjithashtu, një profil në LinkedIn është po ashtu shumë i nevojshëm në ditët e sotme, është një vend ku mund të gjeni shumë mundësi për punë të pavarura.
Lexo më shumë
KosovaJob është rrjeti më i madh i punësimit në Kosovë, i çertifikuar nga Bureao Veritas me ISO 9001: 2015 për Menaxhimin e Cilësisë.