Florida Doçi ka hapur një kapitull të ri të suksesit të shqiptarëve në botë. Në këtë intervistë ekskluzive për AkademiPune, ajo shpalosi rrëfimin e saj për transformimin nga një fëmijë që mësonte MS Office pa kompjuter, në një kërkuese shkencore në Microsoft që kontribuon në avancimin e Inteligjencës Artificiale. Florida përshkruan ndikimin e fëmijërisë në Shqipërinë e tranzicionit dhe sakrificat e prindërve të saj, të cilët e mbështetën në çdo hap të rrugëtimit të saj. Ajo thekson rëndësinë e sfidave si shtysë për rritje dhe ndau përvojën e saj të vlefshme në edukimin kanadez që e përgatiti për një karrierë ndërkombëtare. Me një përkushtim të pakompromis ndaj pasionit dhe ambicies, ajo i frymëzon të rinjtë shqiptarë të ndjekin ëndrrat e tyre pa u ndikuar nga kufizimet apo vështirësitë.
AkademiPune: Florida, ju po e hapni një kapitull të ri jo vetëm të vetes por edhe të suksesit të shqiptarëve në botë. Andaj të kthehemi te vendlindja. Prej nga është Florida, ku përfunduar shkollimin fillor dhe të mesëm. Cila ishte fëmijëria jote dhe ëndrrat me të cilat u rrite në Shqipëri?
Florida Doçi: Unë jam rritur në Shqipërinë e tranzicionit, të pas viteve 90, e cila ka qenë një kohë relativisht e turbullt për vendin. Megjithatë, pavarësisht kushteve socioekonomike unë kam patur prindër që më kanë mbështetur, si edhe mësues dhe modele që më kanë frymëzuar, edukuar dhe nxitur të eksploroj pasionet e mia. Si shumë fëmijë një ndër ëndrrat e mia të fëmijërisë ishte të bëhesha doktoreshë, çka e kam arritur (qesh), ndonëse në atë kohë nuk e dija që ka shumë forma doktoraturë po aq sa edhe mënyra të ndryshme për të patur një impakt pozitiv në jetë dhe shoqëri.
AkademiPune: E keni përshkruar veten si një vajzën e vogël që u rrit pa kompjuter dhe mësoi MS Office duke vizatuar e memorizuar ekranet dhe komandat. Tani jeni pjesë e Microsoft. Cilat sfida u desh t’i kapërceje për të arritur deri atje?
Florida Doçi: Kur rritesh në një vend të vogël si Shqipëria dhe sidomos kur rritesh me burime dhe mundësi të kufizuara, rrezikon t’i kufizosh ëndrrat e tua. Unë kurrë nuk mund ta kisha imagjinuar atëherë që një ditë do mund të punoja për një ndër kompanitë më të mëdha në glob! Pavarësisht dashurisë dhe mirënjohjes që kam për Shqipërinë dhe edukimin e hershëm që kam fituar aty, jam njëherazi e vetëdijshme që prejardhja ime ka qenë po aq edhe limituese në zhvillimin tim. Sfidat kanë qenë të shumta, që nga mungesa e mjeteve materiale tek kurikulat e kufizuara, nepotizmi, mungesa e aftësimit praktik etj. Sigurisht edhe më vonë, fillesat e historisë sime të emigracionit kanë qenë të mbushura me sfida të shumta, të ngjashme me ato të shumë të rinjve që largohen nga vendi i tyre.
Megjithatë unë sfidat jam mësuar t’i shoh si mundësi. Mendoj që kanë qenë po këto sfida që më kanë mësuar të jem më kreative, më kërkuese me veten, më analitike dhe kritike, edhe më kanë hapur rrugën të arrij këtu ku jam sot.
AkademiPune: Çfarë e nxiti vendimin tuaj për të studiuar dy fusha të ndryshme si Shkencat Politike dhe Shkencat Biologjike e Bioteknologji?
Florida Doçi: Që e vogël kam qenë e apasionuar pas te dyja fushave dhe shpesh mendoja që do ta kisha të vështirë të zgjidhja degën e duhur për mua! Për fat, sistemi akademik në Kanada krijon mundësi të studiosh klasa të ndryshme pavarësisht programit që ke zgjedhur. Kështu që unë pata mundësi të thelloja njohuritë e mia në të dyja fushat pa bërë kompromis. Në retrospektivë, kjo më lejoi të zgjeroja dijet e mia qoftë në shkencat ekzakte, ashtu edhe ato sociale dhe të fitoja një pikëpamje ndërdisiplinore në qasjet e mia profesionale dhe personale.
AkademiPune: Si ka ndikuar përvoja juaj akademike në Kanada në rrugën tuaj profesionale dhe arritjen te Microsoft?
Florida Doçi: Unë jam kjo që jam falë edukimit dhe eksperiencave akademike dhe profesionale që kam përfituar në Kanada, ndaj Kanadaja ka patur një ndikim të madh në çdo aspekt të rrugëtimit tim! Dy nga faktorët më të rëndësishëm të përvojës akademike që do të veçoja janë eksperienca praktike gjatë studimeve akademike, si edhe formimi ndërdisiplinor. Teknologjia, e sidomos teknologjitë moderne si Inteligjenca Artificiale janë tejet komplekse dhe gjithëpërfshirëse. Në këtë kontekst, është e domosdoshme eksperienca ndërdisiplinore për të kuptuar marrëdhëniet e ndërlikuara ndërmjet aspekte të ndryshme të teknologjisë, ekonomisë, politikës, kulturës dhe zhvillimit social. Jo vetëm kaq, por është e rëndësishme aftësimi praktik për të kuptuar aplikimin dhe impaktin e zhvillimeve të kësaj teknologjie.
AkademiPune: Cila është përvoja më e vlefshme që more në Shqipëri dhe të shërbeu në gjithë rrugëtimin?
Florida Doçi: Ironikisht, mendoj se ka qënë tranzicioni i vazhdueshëm, i cili më ka mësuar të përballem dhe të përshtatem me ndryshimet. Rritja vjen përmese ndryshimit dhe aftësia për të mikëpritur ndryshimet apo edhe për të iniciuar ato, është e domosdoshme për zhvillimin personal dhe profesional. Po ashtu mendoj se fëmijëria në Shqipëri më ka bërë edhe më të ndjeshme ndaj konkurrencës, meritokracise, mundësive të barabarta, të cilat janë vlera që më kanë motivuar në rrugëtimin tim profesional të deritanishëm.
AkademiPune: Çfarë do të thotë për ju të jeni pjesë e një kompanie si Microsoft, veçanërisht duke kontribuar në fushën e hulumtimeve mbi AI? A mund të na shpjegoni më shumë rolin tuaj?
Florida Doçi: Të qenit pjesë e një kompanie si Microsoft është një arritje si personale, ashtu edhe profesionale. Së pari, Microsft është një kompani me prezencë globale. Platformat dhe produktet e Microsoft përdoren nga biliona njerëz në të gjithë botën, për edukim, për punë, për art, për komunikim e shumë aktivitete të tjera që janë në themel të aktiviteteve sociokulturore dhe ekonomike. Kështu që është sa kënaqësi, po aq përgjegjësi të jem e përfshirë në zhvillimin e këtyre teknologjive. Në fushën e inteligjencës artificiale, Microsoft është një ndër kompanitë lider në zhvillimin e kësaj teknologjie. Siç ne e dimë ka mjaft sfida, pyetje dhe të panjohura qoftë në zhvillimin apo dhe aplikimin e këtyre teknologjive. Roli im si kërkuese shkencore është të përpiqem të gjej përgjigje për këto pyetje dhe për te ndihmuar në drejtimin strategjik sa i përket implementimit të inteligjencës artificiale në produktet e ndryshme të bashkëpunimit që Microsoft krijon.
AkademiPune: Cila është përvoja juaj e ditëve të para në Microsoft. Cila është kultura e kompanisë me të cilën punohet atje?
Florida Doçi: Ka qenë një eksperiencë shumë pozitive. Microsoft është një kompani tejet inovative me një kulturë shumë bashkëpunuese. Është një kulturë mikpritëse dhe shumë inkurajuese dhe ka plot talente të jashtëzakonshme që vlerësojnë mendimin kritik, origjinalitetin dhe përkushtimin. Kur sheh proceset, sistemet dhe individët që janë pjesë e kësaj kompanie është lehtësisht e kuptueshme se si kjo kompani është lider në fushën e teknologjisë! Është një kulturë mbresëlënëse deri tani.
AkademiPune: Po besoj që familja është pjesë e rëndësishme e suksesit. Si ka ndikuar familja dhe mbështetja e tyre në suksesin tuaj deri më tani?
Florida Doçi: Familja është mbështetja ime më e madhe dhe themeli i gjithë zhvillimit tim qoftë profesional, qoftë jetësor. Prindërit e mi kanë sakrifikuar shumë për të krijuar mundësi shkollimi dhe edukimi për mua, çka më ka lejuar të arrij këtu ku jam sot. Unë ndjehem jashtëzakonisht me fat që kam dashurinë dhe mbështetjen e pakushtëzuar të familjes në çdo ambicie dhe aventurë profesionale dhe i jam pafundësisht mirënjohëse familjes, si edhe miqve të mi që gjithnjë më gjenden pranë.
AkademiPune: Çfarë këshillash do të jepnit për të rinjtë shqiptarë që synojnë të ndjekin karrierën në teknologji dhe hulumtime dhe për ata që e kanë të vështirë të besojnë që mund të shkojnë aq larg, sa shkuat ju...
Florida Doçi: Së pari, mendoj se askush nuk duhet t’i limitoj ëndrrat e veta. Pengesa më e madhe për të arritur atë që dëshiron, mendoj se është ndjenja e inferioritetit dhe mosbesimi te vetja dhe ëndrrat e tua, ndaj mos hiqni dorë nga synimet dhe ambiciet sado të largëta ato mund të duken.
Së dyti, do thosha ndiqni pasionin. Ndoshta tingëllon klishe, por kur e ndjek një fushë me dëshirë dhe pasion, mendoj se do jesh gjithnjë më i motivuar për të mësuar, për të zhvilluar veten, dhe për të kërkuar apo për të dhënë më shumë nga vetja. Njëherazi pasioni është forcë e madhe përballë sfidave profesionale sepse sigurisht që rrugëtimi profesional është i mbushur më vështirësi dhe sfida të shumta./AkademiPune