Lira Zajmi, shkencëtarja që do ta zbusë luftën me Alazhaimerin në SHBA

14 Nëntor '24

Lira Zajmi, shkencëtarja që do ta zbusë luftën me Alazhaimerin në SHBA
	 	 

Si pak studentë, Lira e cila i dëshiron sfidat vendosi të studiojë dy fushat më të vështira në kolegjin “Lake Forest” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lira Zajmi, e lindur dhe rritur në Pejë si nxënëse nuk mendonte se ishte vajzë që e donte shkencën -  kjo për shkak të mënyrës se si mësohej ajo. Në moshën 16-vjeçare u largua nga Kosova për në UWC Adriatic në Itali ku shkoi për të studiuar për ekonomi dhe përfundoi në laboratorët e kimisë ku e gjeti veten. Rrugëtimi pastaj në SHBA ishte sfidë tjetër të cilës Lira i hyri me këmbëngulësi duke pasur dhe një frymëzim. “Gjëja që e urrej më së shumti është kur njerëzit thonë 'nuk mund ta bësh'. Për mua, ky lloj kufizimi është një sfidë që më shtyn më shumë të provoja dhe të vërtetoj që gjithçka është e mundur nëse beson dhe punon fort për të”, shprehet ajo për AkademiPune.

AkademiPune:  Na tregoni më shumë për veten. Ku keni lindur dhe si ka qenë fëmijëria jote?

Lira Zajmi: Unë vij nga Peja, një prej qyteteve më të bukura në Kosovë (pak favoritizëm, hahaha). Fëmijëria ime ka qenë shumë e thjeshtë, por gjithsesi e mbushur me aktivitete që më kanë formuar si person. Që nga fëmijëria kam qenë e angazhuar si vullnetare me organizata joqeveritare në Kosovë. Kam marrë pjesë në aktivitete teatrale në teatrin e Pejës, dhe jam falënderuese profesoreshës Rudina Zhara, pasi përmes aktrimit kam zhvilluar shumë aftësi të buta. Aktrimi më ka ofruar mundësinë për të analizuar më mirë situatat dhe njerëzit, dhe mendoj se aktrimi është një nga artet më të bukura. Një moment kyç i fëmijërisë time ka qenë në vitin 2015, kur u shpalla kryeparlamentarja e fëmijëve në Kosovë, një eksperiencë shumë e veçantë për moshën time.

AkademiPune:  Kur e keni kuptuar interesimin për shkencën dhe cilat kanë qenë fushat në të cilat keni qenë më kurioze si nxënëse?

Lira Zajmi: Unë isha e regjistruar në gjimnazin 'Bedri Pejani' në shkenca natyrore, por gjatë gjithë kohës më pengonte mënyra se si bëheshin provimet. Edhe pse isha një nxënëse me rezultate të mira, ndjeja një pakënaqësi të madhe sepse nuk e kuptoja thelbin e asaj që po mësoja. Nuk mund të kuptoja pse na mësonin disa gjëra në shkencë që as nuk mundeshin t’i demonstronin në klasë, për shkak të mungesës së resurseve. Kështu që, gjatë periudhës në gjimnaz, krijova atë mentalitetin që nuk isha e destinuar për shkencat, sepse mendova që për të qenë një shkencëtar, duhet të ishe e lindur me aftësi të jashtëzakonshme, që është një mentalitet tërësisht i gabuar.

Kur u pranova me bursë të plotë në UWC Adriatic, fillova me studimin e Ekonomisë, por pas dy javësh kuptova që nuk ishte për mua, pasi nuk kisha pasion për të. Kështu që vendosa të kaloj në Kimi, dhe aty e gjeta veten. Çdo ditë, shkoja me kënaqësi në laborator, sepse nuk ishte vetëm teori, por edhe punë praktike, dhe kjo më bëri të ndjehem e vlerësuar dhe e motivuar.

AkademiPune: Ju keni përfunduar shkollën e mesme ndërkombëtare në UWC Adriatic në Itali. Si ishte përvoja juaj atje?

Lira Zajmi: Është një prej përvojave më të mira të jetës sime. Puna dhe mundësia për të takuar njerëz nga e gjithë bota, me kultura të ndryshme, më kanë mësuar se si të jetoj me ta dhe se si të krijoj lidhje që tejkalojnë shoqërinë dhe formohen si një familje. Italia është një shtet i mbushur me histori dhe kulturë, dhe unë kam pasur privilegjin të studioj në Duino. Profesorët janë shumë të kuptueshëm dhe mbështetës dhe mënyra e qasjes ndaj nxënësve është shumë më e lartë se sa prisja. Ata të japin kurajo dhe të shtyjnë të arrish majat, por gjithashtu kujdesen për shëndetin tënd mendor në të njëjtën kohë.

 Siç ndodh me çdo përvojë, edhe UWC ka sfidat e veta. Por, sa herë mendoj për stresin që prindërit e mi mund të kenë pasur kur u largova në moshën 16-vjeçare nga shtëpia dhe vendi im, herë pas here e pyes veten nëse do të kisha kurajon të leja fëmijën tim të bënte të njëjtën gjë. Megjithatë, ata e dinin qëllimin tim dhe më besuan, dhe për këtë jam shumë falënderuese.

AkademiPune: Tani jeni pjesë e Kolegjit “Lake Forest” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si kanë qenë vitet e juaja në këtë kolegj. Cilat janë fushat që po studioni?

Po, aktualisht jam pjesë e Kolegjit Lake Forest në SHBA. Vitet e mia këtu kanë qenë një përvojë shumë e pasur dhe e larmishme, me shumë sfida, por edhe shumë mundësi për rritje dhe zhvillim. Në Lake Forest College, përveç studimeve dhe punëve shkencore, kam pasur mundësinë të punoj në pozita të ndryshme, si picamene, si punëtore ndërtimi, si kopshtare, si punonjëse në recepsion, si asistente e rezidencës dhe si asistente laboratori. Kjo ka qenë një sfidë e madhe për të gjetur balancë mes angazhimeve akademike dhe punëve të tjera, por më ka ndihmuar të zhvilloj aftësi menaxhimi të kohës dhe të jem më fleksibile në përballimin e sfidave të përditshme. Këto përvoja më kanë formuar si individ dhe më kanë mësuar vlera të rëndësishme që do të më shërbejnë gjatë gjithë jetës. Kam pasur fatin të mësoj nga profesorë të shkëlqyer dhe të angazhohem në projekte kërkimore që kanë forcuar pasionin tim për shkencën dhe për kërkimin shkencor.

Po studioj biokimi dhe neuroshkencë, dy fusha që më japin mundësinë të eksploroj aspektet biologjike dhe kimike të funksionimit të trurit dhe të sistemit nervor. Po ashtu, kam qenë Richter Scholar, ku fitova te jem pjese e këtij program që më dha mundësinë të angazhohem në kërkime shkencore që nga viti i parë i kolegjit. Kam punuar ngushtë me Dr. Nilam Shah në laboratorin e saj, duke zhvilluar sensorë duke përdorur nano-partikula dhe spektroskopinë Raman të përforcuar në sipërfaqe (SERS). Kjo përvojë më ndihmoi të fitoj aftësi të rëndësishme laboratorike dhe të thelloj njohuritë e mia në teknika kërkimore të avancuara.

AkademiPune: Si është për ju të studioni dy degë paralelisht. Çfarë ju shtyu drejt këtij vendimi?

Lira Zajmi: Si person, më pëlqejnë sfidat sepse kur jam në komfort zonë, nuk ndihem produktive. Kështu që vendosa të bëj jetën time më të vështirë dhe të studioj dy degët më të vështira në kolegj, njëkohësisht. Në fakt, këshilltari akademik, më dekurajoi që nga dita e parë për këtë vendim, për arsye se nga mijëra nxënës, vetëm dy maksimumi gjatë vitit arrijnë të diplomojnë në këto dy degë njëkohësisht. Por desha ta dëshmoj vetes që mund ta bëj këtë gjë. Gjëja që e urrej më së shumti është kur njerëzit thonë 'nuk mund ta bësh'. Për mua, ky lloj kufizimi është një sfidë që më shtyn më shumë të provoja dhe të vërtetoj që gjithçka është e mundur nëse beson dhe punon fort për të.

AkademiPune: Këtë verë, Zajmi ka punuar pranë Dr. Robert Marr në Departamentin e Neuroshkencave në Universitetin e Shkencave Mjekësore Rosalind Franklin (RFUMS).Na tregoni më shumë për këtë.

Lira Zajmi: Vera e kaluar më dha mundësinë të punoja pranë Dr. Robert Marr në Departamentin e Neuroshkencave në Universitetin e Shkencave Mjekësore Rosalind Franklin (RFUMS), një përvojë shumë e vlefshme për zhvillimin tim shkencor dhe profesional. Kërkimi im ishte i fokusuar në zhvillimin e qasjeve terapeutike gjenetike për trajtimin e sëmundjes së Alzheimerit, duke përdorur teknika inovative për të ndikuar në inflamacionin neurodegjenerativ.

AkademiPune:  Ju po kryeni një kërkim shkencor të avancuar në zhvillimin e qasjeve terapeutike të gjeneve për sëmundjen e Alzheimerit.  Si është duke shkuar ky proces?

Lira Zajmi: Në veçanti, isha e angazhuar në krijimin e inhibitorëve të inflammazomës NLRP3, të cilët mund të depërtojnë në qelizat nervore dhe të ndikojnë në tru, me synimin për të përmirësuar funksionin njohës dhe ngadalësuar përparimin e sëmundjes. Kjo përvojë ishte sfiduese, por rezultatet e para ishin shumë premtuese dhe më dhanë një ndjenjë të fortë të potencialit që kjo qasje ka në luftimin e sëmundjes së Alzheimerit. Këtë vit po vazhdoj kërkimin shkencor në laboratorin e Frank C. Ko në Spitalin Rush, ku po përqendrohem në proceset e shërimit të frakturave. Ky projekt më ka ofruar një perspektivë të re dhe thelluar mbi mekanizmat biologjikë të rigjenerimit kockor dhe ndikimin që faktorë të ndryshëm kanë në përshpejtimin apo ngadalësimin e këtij procesi. Ndërsa më parë kam punuar me sëmundje neurodegjenerative, kërkimi aktual po më ndihmon të zgjeroj ekspertizën time në fushën e biologjisë rigjeneruese dhe të fitoj përvoja të reja në metodologji laboratorike

AkademiPune: Si mendoni që me këto kërkime t’i ndihmoni shoqërisë dhe cili është misioni juaj tutje?

Lira Zajmi: Me këto kërkime, synoj të kontribuoj në përmirësimin e trajtimeve për sëmundje dhe dëmtime që prekin miliona njerëz. Për shembull, qasjet terapeutike për sëmundjen e Alzheimerit kanë potencial të ndikojnë në cilësinë e jetës së pacientëve dhe të lehtësojnë barrën mbi familjet e tyre. Po ashtu, hulumtimi mbi rigjenerimin e kockave mund të ndihmojë në zhvillimin e trajtimeve më efektive dhe më të shpejta për frakturat, sidomos për individët më të moshuar që janë më të ndjeshëm ndaj dëmtimeve të tilla.

Misioni im tutje është të vazhdoj me përkushtim kërkimin shkencor për të zbuluar terapi të reja dhe të avancuara, duke përdorur qasje të bazuara në gjenetikë dhe neuroshkencë. Shpresoj që përmes punës sime të jap një kontribut në shëndetin publik dhe t'i ndihmoj shkencëtarët e ardhshëm të ndihen të frymëzuar për të vazhduar në këtë rrugë.

AkademiPune:  Cilat janë planet tua të mëtutjeshme. Planifikoni të vini për të kontribuar edhe në Kosovë?

Lira Zajmi: Në planet e mia të ardhshme, synoj të vazhdoj me studimet e doktoratës për të thelluar njohuritë në neuroshkencë dhe biokimi dhe të zhvilloj qasje terapeutike për sëmundje neurodegjenerative si Alzheimeri. Kjo do të më japë mundësinë të kontribuoj në shkencë dhe t'i ofroj komunitetit global trajtime të reja e më efektive.

Një nga qëllimet e mia afatgjata është të jap kontribut edhe në Kosovë. Duke ardhur nga një vend ku qasja në laboratorë dhe në kërkim shkencor është e kufizuar, më bën shumë përshtypje nevoja për mundësi dhe infrastruktura të reja për të rinjtë. Do të dëshiroja të krijoj projekte kërkimore ose iniciativa edukative në Kosovë, për të sjellë përvojat që kam fituar dhe për të ndihmuar në zhvillimin e shkencës dhe shëndetit publik në vendin tonë. Derisa të arrij deri aty, duhet të formohem plotësisht si shkencëtare dhe si profesioniste, dhe për ta përfunduar këtë, përdor fjalën time të preferuar: KISMET

AkademiPune: Cili është mesazhi yt për të gjithë të rinjtë që kanë ëndrra të ngjashme si ju?

Lira Zajmi: Mesazhi im për të rinjtë që kanë ëndrra të ngjashme si unë është të besojnë fort në vetveten e tyre dhe të mos heqin dorë nga pasioni i tyre, pavarësisht sa të vështira mund të duken gjërat. Rruga drejt suksesit është shpesh plot sfida, por çdo hap, çdo mundim dhe çdo mësim që merrni, ju afron më shumë drejt qëllimeve tuaja. Shpesh herë, ëndrrat më të mëdha kërkojnë punë të palodhur, durim dhe përpjekje të vazhdueshme, por gjithçka është e mundur nëse jeni të gatshëm të përballoni vështirësitë dhe të bëni gjithçka që mundeni për të arritur atë që dëshironi. Mos u frikësoni të bëni gabime ose të kërkoni mundësi për t'u zhvilluar, sepse ato janë pjesë e procesit të të mësuarit dhe rritjes.

AkademiPune: Kush është një model frymëzues për ty?

Lira Zajmi: Namik Luci (vëllai i gjyshes sime, ndjese pastë) është një model i fuqishëm për mua dhe një frymëzim i madh nga familja ime. Si inxhinier i talentuar nga Peja, ai kaloi sfida të jashtëzakonshme gjatë periudhës komuniste, duke u përballur me shtypjen dhe burgosjen politike ne Shqipëri. Pavarësisht vështirësive që kishte, ai tregoi një përkushtim të jashtëzakonshëm për arsimimin dhe karrierën e tij. Lufta e tij për liri dhe dinjitet është një dëshmi e rëndësishme se pavarësisht kushteve të vështira, qëndrueshmëria dhe besimi në vetvete mund të ndihmojnë për të kaluar çdo pengesë. Ky është një mësim i fuqishëm për mua, që t’i qëndroj besnike pasionit dhe ëndrrave të mia, edhe kur rruga duket e vështirë./ AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2026 - KosovaJob LLC