Blina Avdijaj, udhëheqësja e kompanisë së çajrave organikë që po depërtojnë në Evropë

31 Tetor '24

Blina Avdijaj, udhëheqësja e kompanisë së çajrave organikë që po depërtojnë në Evropë
	 	 

Në vitin 2019, Blina Avdijaj vendosi ta themeloi në vitin 2019 kompaninë për çarja organikë “Bliff Organic” me qëllimin për të krijuar produkte nga Kosova për Kosovën. E filluar me 7 lloje çajrash, sot shpërndanë në treg 22 loje të tyre dhe synon edhe zgjerim e mëtejmë me erëza të kuzhinës. “Bliff Organic” që shquhet për shijen e fortë e origjinale bimore arriti të dëpërtoi dhe në Evropë dhe gjithçka del nga një kompani ku punojnë vetëm gra. Blina Avdijaj në një intervistë për AkademiPune ka treguar më shumë për këtë rrugëtim.  

Bliff Organic është kompania e parë e certifikuar për çaj organik me filtër në Kosovë. Ethemeluar në vitin 2019. Si lindi ideja për të themeluar këtë kompani dhe cilat ishin sfidat fillestare?

Blina Avdijaj: Në vitin 2016, unë themelova një ide biznesi, e cila paraqitej si degë e shkëputur nga kompania e babait tim, Halit Avdijaj, themelues i kompanisë Agroprodukt sh.p.k, kompani kjo lidere në rajon dhe me përvojë në grumbullimin e bimëve mjekësore, aromatike dhe frutave malore, të certifikuara sipas standardit ORGANIK. Pasi përfundova studimet, fillova punën në kompani, ku të gjitha produktet, si lëndë e parë, ishin të destinuara për eksport. Ideja erdhi pikërisht nga kjo: pse të mos kemi edhe ne disa produkte të vendit tonë dhe për vendin tonë! Ideja dhe hulumtimi morën vite për t’u finalizuar dhe në vjeshtën e vitit 2019 unë lansova për herë të parë linjën e çajrave në treg.

AkademiPune: Ku kultivohen këta çajra dhe si zhvillohet procesi deri te paketimi i veçantë për konsumatorët?

Blina Avdijaj: E veçanta e produkteve tona është ndjekja e zinxhirit nga kultivimi deri te përpunimi final. Bimët pranohen të freskëta në kompaninë Agroprodukt, ku bëhet tharja, përpunimi, selektimi, pastrimi dhe më pas kalojnë në hallkën e Bliff-it, ku finalizohet produkti në prodhimin e filterit dhe paketimin. Ky proces na mundëson ruajtjen e cilësisë dhe të kualitetit të lartë, për të cilin tashmë Bliff është i njohur. Çajrat kultivohen kryesisht në territorin e Istogut, nga kompania Agroprodukt dhe nga fermerët e kontraktuar të kompanisë.

AkademiPune: Si është pritur produkti Bliff Organic nga konsumatorët vendas dhe cilat janë komentet më të shpeshta që keni marrë prej tyre?

Blina Avdijaj: Bliff Organic që nga fillimi i lansimit ka tejkaluar pritshmëritë tona. Fillimisht, shpërndarja ka qenë vetëm në qytetin tonë, dhe komentet që ende vazhdimisht marrim janë për shijen e fortë dhe cilësinë e lartë, pasi në filter të tejdukshëm mund të shihen qartë bimët, të cilat nuk i bluajmë, por përdorim 100% frutat e tyre.

AkademiPune: Me sa lloje çajrash filluat dhe sa lloje janë shtuar ndërkohë? Sa i vështirë është përkushtimi juaj ndaj standardeve organike?

Blina Avdijaj: Filluam me vetëm 7 lloje çajrash dhe 1 makinë përpunuese, ku fokusi fillestar ishte tregu i shitjes në markete. Ndërsa sot, Bliff Organic ka gjithsej 22 lloje çajrash dhe 3 makineri përpunuese. Aktiviteti i kompanisë është zgjeruar falë cilësisë dhe kështu kemi fituar një klientelë besnike që na mundësoi rritjen e kapacitetit prodhues dhe ndarjen në disa linja:

  • Linja e produkteve të çajit në filter për tregun e marketeve.
  • Linja e produkteve në filter zarf, e dedikuar vetëm për HoReCa (restorante dhe bare).
  • Linja e produkteve Refuz, e dedikuar për tregun farmaceutik, me produkte të bimëve që kanë ndikim pozitiv në shëndet.

Sa i përket standardit organik, nuk është e lehtë as të arrihet dhe as të mbahet, pasi është standardi më i rëndësishëm për produktet organike. Certifikimi kërkon shumë punë, kujdes dhe inspektim të vazhdueshëm nga trupa certifikuese për Kosovë dhe Shqipëri, Albinspect. Fillimisht, duhet dokumentuar toka, që për tre vite nuk guxon të ketë qenë e trajtuar me kimikate apo pesticide. Pas analizave të tokës dhe konfirmimit të pastërtisë së saj, duhet që edhe fidanët të jenë në standard organik. Rrugëtimi i produktit ndiqet nga inspektimi i trupës certifikuese deri në përpunimin final. Kur një produkt ka logon e certifikimit organik, do të thotë që ai është në përputhje të plotë me rregulloren e Bashkimit Evropian për prodhimet organike.

AkademiPune: Cilat janë avantazhet e produkteve tuaja në krahasim me çajet e importuara dhe jo-organike që janë në tregun kosovar? Çfarë ju ka bërë të jeni zgjedhja e atyre që e duan çajin?

Blina Avdijaj: Avantazhi ynë kryesor është prodhimi sezonal. Çajrat e importuar kanë tendencë të qëndrojnë deri në 4 vite para se të blihen, ndërsa Bliff, falë zinxhirit të krijuar nga Agroprodukt, prodhohet vetëm bazuar në planifikimin vjetor të shitjes. Kjo do të thotë që çdo produkt i konsumuar nga çajrat Bliff është një produkt i freskët sezonal. Standardi Organik gjithashtu u garanton të gjithëve siguri për shëndetin, sepse, siç dihet, shumë sëmundje kancerogjene që janë shtuar kohët e fundit vijnë si rezultat i trajtimit të produkteve me kimikate të dëmshme.

AkademiPune: “Një shije që prek zemrën e Evropës” është një nga sloganet tuaja dhe tashmë keni depërtuar edhe jashtë vendit duke eksportuar çajra. Si ka qenë ky rrugëtim?

Blina Avdijaj: Fillimisht, ideja nuk ka qenë fare për eksport, pasi dëshira dhe vullneti im ishte të shtrihemi në Kosovë me produktet që mbajnë sloganin “Nga natyra e vendit tonë.” Si çdo kompani e re, edhe për ne kërkoi një rrugë të gjatë për të arritur njohjen si brend fillimisht nga konsumatorët vendas. Për këtë arsye, fokusi ka qenë dhe mbetet Kosova. Megjithatë, depërtimi fillimisht në tregun zviceran nga distributori kosovar R&B Company, që merret me shpërndarjen e produkteve kosovare në Zvicër, ishte një befasi e papritur dhe shumë e këndshme. Më pas eksportuam edhe në Gjermani përmes një distributori tjetër për marketet e njohura REWE.

AkademiPune: Si po e përgatitni kompaninë për këtë zgjerim të portofolit të produkteve?

Blina Avdijaj: Në linjën e çajrave çdo herë do të ketë risi, bazuar në kërkesat e konsumatorëve. Kemi ende produkte që planifikojmë t'i listojmë. Ndërsa linja e re do të jenë erëzat e kuzhinës, fushë kjo për të cilën kemi nisur hulumtimet dhe planifikojmë ta lansojmë vitin e ardhshëm.

AkademiPune: Ju jeni drejtuese e kompanisë dhe ndërkohë synoni të punësoni sa më shumë gra. Sa i rëndësishëm është ky aspekt për përfshirjen e grave në kompani?

Blina Avdijaj: Në kompaninë Bliff Organic jemi 100% të punësuara gra, pra aq e rëndësishme është kjo 😊. Ky ishte një ëndërr tjetër për mua, që e realizova në vitin 2022, kur në Bliff u punësuan 13 gra falë një projekti që filloi në vitin 2021 dhe pasi kaluam provën, fituam ekskluzivitetin për prodhimin e stikave të bimëve, të njohura në anglisht si "smudges". Në shqip nuk kanë emërtim të saktë, meqenëse nuk i kemi traditë përdorimin e tyre. Këto "smudges" apo stika të bimëve të ndryshme të punuara me dorë nga gratë janë të gjitha të destinuara për eksport. Ky është viti i tretë dhe ka qenë një sukses si për kompaninë, ashtu edhe për mundësinë e punësimit të grave.

AkademiPune: Si e shihni zhvillimin e tregut për produktet organike në Kosovë dhe cilat janë pritshmëritë tuaja për rritjen e ndërgjegjësimit të konsumatorëve për produkte të tilla?

Blina Avdijaj: Në këto vitet e fundit ka pasur një rritje të ndërgjegjësimit për produktet organike, për rëndësinë e logos dhe jo vetëm për emrin. Kjo ka ndodhur falë bashkëpunimit me shoqatën Organika, e themeluar për kompanitë që posedojnë këtë standard. Si grup, synojmë t'i japim më shumë zë kësaj çështjeje. Ky projekt është në vazhdimësi dhe uroj që çdo vit të arrijmë të informojmë të paktën 30% të konsumatorëve për rëndësinë e standardit organik./ AkademiPune

 

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2026 - KosovaJob LLC