Rrugëtimi i artistes Fitore Syla që me produkte unike kthen nostalgjinë e së kaluarës

3 Tetor '24

Rrugëtimi i artistes Fitore Syla që me produkte unike kthen nostalgjinë e së kaluarës
	 	 

Nevoja për të krijuar gjëra kreative ishte e përhershme për Fitore Sylën. Përgjatë rrugëtimit të saj në fushën e dizajnit të interierit, gjithmonë ka tentuar të krijoj produkte të veçanta për secilin projekt. Gjithmonë bazohet në kulturën shqiptare për tu dhënë formë e kolorit dizajneve moderne, si dhe në historitë prapa tyre. Së fundmi vëmendjen e ka kthyer te leka që i ka shndërruar në llampa duke krijuar një ambient shumëngjyrësh që t’i merr sytë me estetikën e krijuar me kujdes. Me kaq talent dhe ide inovative, Fitore Syla ka një rrugë të gjatë për të dëshmuar pasionin e profesionin. Në këtë intervistë për AkademiPune ajo tregon gjithë rrugëtimin e saj dhe planet për të ardhmen.

AkademiPune: A na tregoni më shumë për rrugëtimin tuaj me dizajnin, si është formësuar ky rrugëtim për ju?

Fitore Syla: Unë jam Fitore Syla, vij nga Gjilani por jetoj në Prishtinë. Kam studiuar dizajn grafik në Fakultetin e Arteve të Bukura, Universiteti i Prishtinës. Për nëntë vjet, kam punuar në një kompani kreative në Prishtinë, fillimisht si fotografe dhe më pas si dizajnere dhe 3D artiste. Përmes praktikës, zbulova pasionin tim për dizajnin e interierit, i cili u bë fokusi im kryesor. Ka qenë rrugëtim i ngadaltë sepse bashkë me të rritesha edhe vet dhe çdo ditë më shumë e ndjeja si pjesë të pa shkëputur të jetës.

Në vitin 2016, bashkëthemelova Muzën bashkë me shoqen dhe kolegen time Njomza Havolli, një studio interieri dhe arkitekture në Prishtinë. Gjatë tetë viteve të fundit, kemi krijuar interiere të bukura në mbarë Kosovën. Çdo projekt na ka udhëhequr të eksplorojmë forma, ngjyra dhe dizajne të reja. Udhëtimi ynë ka qenë vërtet i plotë. Shumë nga projektet tona janë publikuar në revista ndërkombëtare. Përgjatë rrugës, jemi bërë burim frymëzimi për të tjerët. Gjithashtu ne kemi krijuar një koleksion qilimash “Muza Rugs” të frymëzuar nga kultura jonë, që është unike dhe e lashtë. Tani, drejtoj studion time Fitore Syla, duke u fokusuar sërish në interiere por edhe në produkte.

AkademiPune: Si jeni formësuar deri tani me këtë profesion dhe cilat janë sfidat dhe të mirat që vijnë me profesionin?

Fitore Syla: Besoj se dizajni është një mënyrë për të jetuar në mënyrë autentike dhe harmonike. Ka qenë një udhëtim i rritjes personale për mua. Është e pamundur të arrish të krijosh për të tjerët pa ndikuar fillimisht te ti. Është profesion që të tjerëve ua zbukuron të jetuarit, kurse te ti lë gjurmë. Nuk është vetëm çështje e krijimit të hapësirave të bukura; është edhe çështje e shijimit të rrugëtimit dhe procesit. Që nga fillimi, kërkohet fokus dhe disiplinë për të arritur rezultatin e dëshiruar. Unë gjithmonë tentoj të vizualizoj produktin final dhe kjo më bën të lumtur dhe më jep shtytje përgjatë procesit. Mund të jetë e vështirë, por kur e sheh vizionin tënd të marrë jetë, durimi shpërblehet. Tek unë, çdo e mirë e këtij profesioni veçse e ka shumëfishuar mirënjohjen, vlerësimin dhe kreativitetin, kurse çdo sfidë që kam përjetuar është kthyer në forcë dhe vetëpërmbajtje.

AkademiPune: Së fundmi një vëmendje të madhe kanë marrë llambat e krijuara më shumë kolorit. Si lindi ideja për të rikthyer lekën në formë llambash?

Fitore Syla: Përgjatë rrugëtimit tim në fushën e dizajnit të interierit, gjithmonë kam tentuar të krijoj produkte të veçanta për secilin projekt. Kjo ka ndodhur për shkak të idesë sime që produkti unik krijon më shumë veçanti dhe ambienti është autentik. Në këtë formë, produkti ka qenë pasion i imi i pashkëputur nga dizajni i interierit dhe këto dyja bashkë kanë ndërvepruar mrekullisht. Por një gjë që gjithmonë më ka mahnitur pas çdo produkti ka qenë storja ose ngjarja, apo edhe inspirimi mbrapa saj. Unë e kam shprehur gjithmonë faktin që tradita dhe kultura shqiptare më inspiron shumë dhe ndjej një mirënjohje të veçantë për gjithë këtë pasuri trashëguese që është krijuar ndër shekuj nga paraardhësit tanë. Kjo ndoshta ndërlidhet edhe me familjen time, posaçërisht prindërit e mi që kanë tentuar në çdo formë që ta njohim dhe ta çmojmë kulturën dhe historinë tonë si diçka të pazëvendësueshme dhe që mos ta harrojmë asnjëherë përgjatë rrugëtimit tonë.

Leka, e shndërruar si llampë, është si produkt i asaj që unë isha në kërkim - ndërlidhja e kulturës sonë, rifunksionalizimi i një elementi që gati se është hedhur në harresë, dhe ta rikthej në pah historinë e saj duke ngjallur edhe nostalgji për të kaluarën. Në shtëpinë tonë gjithmonë ka pasur leka që janë përdorur vetëm si dekor, dhe familjarët kanë treguar se për çka është përdorur ajo në të kaluarën, dhe që funksioni i saj kryesor ka qenë me u la me të, duke mos e lënë anash edhe faktin që ky kungull është i shëndetshëm të mbahet në shtëpi dhe që po ashtu ka edhe gojëdhëna të këndshme popullore që largon syrin e keq.

AkademiPune: A pati një moment specifik që ju inspiroi? Si u prit kjo ide fillimisht nga të afërmit tuaj?

Fitore Syla: Sado që unë kam pasur fokusin në këtë drejtim, mund të them që ka qenë moment shumë specifik dhe spontan ideja e parë për lekën. Ishte e vendosur përmbi piano kur isha për vizitë te prindërit dhe aty pata një vizion për të - që ta shndërroja në llamp sepse lidha faktin e qëndrueshmërisë së saj ndaj ujit dhe në përgjithësi, që i mbijeton viteve duke mos u dëmtuar.

Sa i përket ngjyrave, është pjesë që më karakterizon në stilin e punës. Gjithmonë tentoj të fus ngjyra në çdo element, normalisht duke e vënë në pah atë që dua të theksoj. Ngjyrat tek unë paraqesin harmoni, gëzim, entuziazëm dhe asnjëherë nuk kam hezituar që t’i përdori dhe të provoj e të eksperimentoj me to. Patjetër që edhe lekat, që në start, i kam parë të vizualizuara në mendje me shumë ngjyra.

AkademiPune: A mund të na flisni më shumë për rëndësinë historike të lekës dhe se si e lidhni atë me dizajnin modern?

Fitore Syla: Leka, ashtu siç flitet për të, ka lashtësi si farë kungulli që është mbjellë, kultivuar dhe ka hyrë në shërbim të popullit tonë kryesisht për t’u larë me të dhe që ka veti shëruese. Thonë që është aq e pastër është pjesa e brendshme sa që po ta lësh ujin të qëndrojë për javë të tëra, ai vetëm do të krijojë veti shëruese dhe do të mbetet po aq i pastër sa ka qenë kur është vendosur. E bukura e artit dhe krijimit, mendoj se mbetet këtu – rreth rikrijimit, rishpalosjes së diçkaje të lënë në harresë, por që dikur ka pasur rëndësi dhe funksion në një kulturë. Përmes dizajnit, unë kam arritur të ndërthur dy botra. Gjithmonë më ka impresionuar bashkëveprimi i të kaluarës me të tashmen në çdo aspekt. Mendoj që kjo është e bukura e dizajnit modern – kombinimi i stilit, storjes, riformësimit dhe guximi që të provosh ta bësh realitet.

AkademiPune: Si ishte procesi i shndërrimit të diçkaje kaq tradicionale në një produkt funksional dhe dekorativ për kohët moderne?

Fitore Syla: Nuk është që ka qenë diçka e vështirë duke pasur përvojën në fushën e dizajnit. I kam kushtuar gjithmonë vëmendje proceseve të krijimit të produkteve dhe ndoshta kjo më ka ndihmuar. Rikthimi i një elementi nga tradicionalja në moderne është më shumë një proces që kërkon vëmendje dhe fokus. Rikthimin e lekës në formë moderne e ka ndihmuar shumë thjeshtësimi që i kam bërë, duke e kombinuar me ngjyra të pranueshme, të gjalla e të këndshme, duke mos e mbingarkuar. Ideja ime ka qenë që lekës të mos i humbasë forma, por ta ketë një pamje freskuese.

AkademiPune: Cilat janë disa nga sfidat që hasët gjatë procesit të krijimit dhe prodhimit të këtyre llambave? A ju lidhi kjo ide edhe më shumë me vendlindjen dhe çfarë mësuat gjatë procesit dhe qëndrimit atje?

Fitore Syla: Që nga paslufta, ne jemi zhvendosur në Prishtinë për të jetuar, por realisht asnjëherë nuk jemi shkëputur krejtësisht nga vendlindja dhe kjo është meritë e prindërve, veçanërisht e babit, i cili është munduar të mbajë një pemishte në fshat me fruta e perime. Aty kemi kaluar gjithë periudhën e pushimeve, duke e ndihmuar në kultivimin e frutave, por gjithashtu na ka mbajtur afër si familje e gjerë. Ka qenë një vendtakim i këndshëm për të gjithë, sidomos në periudhën e vjeljes së mollës, të cilat kemi pasur në masë të madhe. Ka dy vite që kemi testuar lekën si kungull në këtë pemishte. Normalisht, ka pasur momente që nga mosnjohuritë e nevojshme na janë dëmtuar disa prej tyre, por me kalimin e kohës kemi arritur të kuptojmë më mirë se çfarë i duhet që të ketë rritjen dhe tharjen e duhur. Dhe po, pa dyshim që krijimi i lekës ka ndikuar edhe më shumë në lidhjen time me vendlindjen, pasi tani atje kaloj një pjesë të madhe të kohës.

AkademiPune: A ka një simbolikë ose histori të veçantë pas ngjyrave dhe formave që përdorni në llambat tuaja?

Fitore Syla: Siç e kam cekur më lart, ngjyrat janë pjesë e rrugëtimit tim me dizajnin. Por gjithsesi, larmia e ngjyrave të përdorura te lekat medoemos lidhet me kulturën tonë, si në qëndisje, si në qilima, si në çdo element tjetër të shtëpisë, ku në të kaluarën paraardhësit tanë kanë pasur guximin e mjaftueshëm për të qenë kreativë dhe sikur kanë shpalosur krejt ëndrrat e tyre të mbyllura në këto punime. Unë shumë herë shfletoj libra me qilima dhe inspirohem për kombinim ngjyrash. Është magjepsëse sa ekspresivë kanë arritur të jenë në ato kohë.

AkademiPune: Si ka qenë reagimi i publikut ndaj këtij produkti? Sidomos nga gjeneratat e reja, që ndoshta nuk e njohin mirë historinë e lekës.

Fitore Syla: Reagimi ka qenë shumë pozitiv dhe shumë i mirëpritur. Ka tërhequr vëmendjen e shumë mediave vendore dhe të huaja. Gjeneratat e reja janë ata që më së shumti e kanë kërkuar për ta pasur si produkt në shtëpitë e tyre dhe për habinë time, shumë prej tyre ende e njohin lekën, ndërsa shumë të tjerë e kanë mësuar prej lansimit të saj si produkt. Unë kam mësuar edhe më shumë gjëra rreth këtij kungulli nga njerëz që e kanë njohur më mirë dhe kanë pasur njohuri për të. Njerëzit më kanë dërguar foto që i kanë si kujtim nga gjyshja apo stërgjyshja. Është rikthyer si tematikë, dhe unë kam mësuar shumë nga të tjerët, ndërsa shumë prej atyre që kanë ditur më pak, kanë mësuar më shumë prej lansimit tim – është krijuar një debat i këndshëm i shpërndarjes së përvojave të njerëzve.

AkademiPune: Cili është vendi ku i vendoset fillimisht ato. Sa ka interesim për t’i blerë ato dhe a mund të prodhoni aq sa ka kërkesë?

Fitore Syla: Së pari, i kam vendosur në banesën time; doja ta testoja krejt konceptin tim siç e imagjinoja, dhe ashtu doli. Njerëzit i pëlqejnë shumë, dhe interesimi ka tejkaluar pritshmërinë time. Ky është produkt organik që rritet, pastaj vjelet dhe lihet që të thahet. Afërsisht i merr kohë 1 vit të jetë i gatshëm, por besoj se do të ketë mjaftueshëm që të mbulojë kërkesat. Synimi im është edhe tregu i jashtëm.

AkademiPune: Cilat janë disa prej projekteve të ardhshme që keni në plan? A do të shohim më shumë krijime të frymëzuara nga objekti tradicional dhe si mendoni ta zgjeroni rrjetin e shitjes së tyre?

Fitore Syla: Tani jam duke punuar në projekte të reja, të cilat së shpejti do të lansohen, si në produkte ashtu edhe në dizajnin e brendshëm. Përmes teknologjisë së zhvilluar, do të tentoj të bëj shitjen kryesisht online, duke mos përjashtuar bashkëpunime ose mundësi të reja./ AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2026 - KosovaJob LLC