Njihuni me 8 gra të suksesshme në Kosovë

08 Mar, 2020

Njihuni me 8 gra të suksesshme në Kosovë
	 	 

Të jetosh në një vend ku gratë shpesh duhet të përballen dy herë me më shumë vështirësi se sa burrat, edhe arritja e suksesit dhe rruga drejt tij mund të duket më e vështirë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e dytë 2019, tregojnë se punësimi është më i lartë te meshkujt 49.0%, ndërsa punësimi tek femrat është 14.1%. “Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 52.3 % të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 48.4%”, thuhet në raport.

Ndërkaq, në raportin “Punësimi dhe përfaqësimi i grave në Kosovë”, të prezantuar nga Instituti GAP, thuhet se shkalla e punësimit të grave mbetet shumë e ulët në krahasim me burrat. Numri i burrave punëkërkues të regjistruar në Agjencinë e Punësimit, në vitin 2019 ishte 52,343, kurse numri i grave punëkërkuese të regjistruara në agjencinë e punësimit ishte 43,547.

Mirëpo, ka edhe shumë prej atyre grave ambicioze të cilat me punën e tyre të palodhshme kanë thyer çdo barrierë dhe sfidë që mund t’ju këtë dalë përpara.

AkademiPune, ju njeh me disa prej tyre, e të cilat jo vetëm që thyen barrierat që në shikim të parë duken të pakalueshme, por njëkohësisht u shndërruan edhe në simbol të suksesit dhe në figura me të cilat duhet të mburret shoqëria.

Në profesione të ndryshme, secila prej tyre ka arritur të japë kontribut të madh në shoqëri.

Shenaj Shala

Shenaj Shala

Me punën e saj të palodhshme, mësimin e vazhdueshëm, diciplinën dhe guximin, dita e ditës ju hapen shumë dyer në karrierë. Është kjo Shenaj Shala, një zonjë e dalluar, storja e së cilës është frymëzuese në rrugën drejt suksesit.

Ajo është gruaja e parë nga Kosova e diplomuar për protokol, tanimë shefe e protokolit e Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Karrierën e saj e nisi si përkthyese për misionin e OKB-së në Kosovë. Studimet master i përfundoi në vitin 2014 në Bruksel, në The International School for Protocol and Diplomacy (ISPD).

Gjatë viteve 1999-2013, punoi edhe si asistente personale e përfaqësuesit special të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, e vite më vonë punoi edhe për  "Shell Oil & Petroleum", si Koordinatore e Shell Qendrës së Trajnimeve në Lindjen e Mesme. Përvoja si Zyrtare Ndërlidhëse për Ballkan e Shkollës Ndërkombëtare për Protokol dhe Diplomaci (ISPD) e plotëson edhe më shumë karrierën e saj.

Aftësitë si inteligjenca emocionale, komunikimi efektiv, kreativiteti, përshtatshmëria, menaxhimi i kohës dhe etika e punës, Shenaji thotë se e kanë çuar përpara në karrierë. Ajo ka po të njejtin sugjerim për të rinjtë që presin të përfshihen në treg të punës sot. Këshilla e saj për ta është të mundohen t’i zhvillojnë sa më shumë këto aftësi sepse vetëm kështu mund të japin mesazhin se janë kandidatët e duhur për një punë. 

Për gratë e reja në Kosovë, ajo ka një mesazh më ndryshe - “Gjatë karrierës do të përballeni me sfida të ndryshme të cilat shpesh dinë të ju lëndojnë, demotivojnë, ulin sigurinë dhe vetëbesimin tuaj, apo të keni punë me njerëz të cilët do të mundohen t’ju ndalin apo ngadalësojnë arritjen e qëllimeve tuaja në karrierë. Ju mos u ndalni, mos u merrni me ata njerëz dhe më e rëndësishmja, mos e harroni qëllimin tuaj. Dëgjoni njerëzit e suksesshëm, mësoni nga përvojat e tyre, punoni për ta dhe gjithmonë jeni të gatshëm për sfida të reja. Vështirësitë duhet t’ju bëjnë të pathyeshme dhe të fuqishme“.

Në vitin 2018, Shenaj Shala mori titullin e njerës prej 15 trajnereve globale për ‘pitch’ dhe aftësitë e prezentimit, në International Pitch School for IDACB (International Decentralized Association for Cryptocurrency and Blockchain). Shenaj Shala, vazhdon të punojë si konsulente e mirësjelljes, mentore dhe ligjëruese e pavarur. Ndër tjera, ajo është edhe trajnere personale e shumë figurave publike në Kosovë përmes këshillimit për paraqitje mediale, imazh personal, komunikim jo verbal, etj.

Melita Ymeraga        

Melita Ymeraga

Sfidat janë prezente në shumë mjedise të punës, por gratë në teknologji po arrijnë t'i tejkalojnë çdoherë e më shumë, pasi dita e ditës po dëshmojnë aftësitë e tyre me karrierën e suksesshme që ato po krijojnë. Një shembull i gruas së suksesshme në fushën e teknologjisë dhe informacionit si edhe financave, është Melita Ymeraga.

Një lidere pasionante dhe inovative në inkorporimin e teknologjive të reja në botën e menaxhimit të financave, ka arritur të dëshmojë më së miri suksesin e saj, duke iu shërbyer gjithsej 700 bizneseve dhe organizatave të ndryshme drejt transformimit digjital të menaxhimit financiar.

Ajo ka mbi 20 vite pervojë pune në fushën e teknologjisë se informacionit dhe financave. Ka të përfunduar master në Administrim Biznesi në Staffordshire University-UK dhe është Kontabiliste e Çertifikuar nga SHKÇAK.

Ndër tjera, Melita Ymeraga është edhe këshillëtare e certifikuar nga INTUIT, me seli në SHBA për të gjitha produktet e QuickBooks® UK dhe US Edition, si dhe përfituese e programit të Mentorimit “Fortune/U.S. State Department Global Women’s Mentoring Partnership 2017”. Ajo është edhe organizatore e Vital Voices për Kosovë, ngjarje vullnetare në baza vjetore e cila bashkon gratë në biznes.

Me themelimin e Melita&Partners Shpk, Melita ka arritur të shkrijë dy pasionet e saj, financat dhe teknologjinë e informacionit. Ajo ka një këshillë për gratë e reja në Kosovë.

Përpiquni të jeni personi që njerëzit të mund të llogarisin në ju dhe t’ju besojnë! Kur kërkohet diçka nga ju, vendosni veten në këpucët e bashkëpunëtorit tuaj, të klientit apo të menaxherit tuaj. Nëse jeni të shkathëta dhe e lini mençurinë tuaj të flasë vetë, gjëja femër, mosha ose çfarëdo gjëje tjetër do të bien poshtë. Në fund të ditës, bëhet fjalë për sa dini dhe sa vlerë i shtoni punës që bëni.”

Besa Luci

Besa Luci

Mediat janë pjesë e pandashme e shoqërisë. Ato të përballin me realitetin, opinionet, artin, kulturën dhe shumë elemente të tjera. Ushtrimi i profesioneve që ndërlidhën me mediet, ka edhe vështirësitë e veta. Të jesh kryeredaktore dhe themeluese e një organizate mediale profesionale dhe aq të nevojshme për kohën, siç është Kosovo 2.0, natyrisht që kërkon mund dhe shumë përkushtim.

E diplomuar në drejtimin e shkencave politike/marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gazetari/komunikim masiv në Universitetin Amerikan në Bullgari (AUBG) në vitin 2006, dhe magjistër në gazetari e shkrim të revistës nga Fakulteti i Gazetarisë, Universiteti i Misurit, SHBA, Besa Luci, është një grua shumë e zonja e cila profesionin e saj e ka shndërruar në një shërbim të mirëfilltë për qytetarin. 

Besa Luci, që nga viti 2010 është kryeredaktore dhe bashkëthemeluese e revistës së pavarur Kosovo 2.0, e cila ofron hapësirë për diskutime të ndryshme dhe tejet të nevojshme me tema politike, sociale, kulturore, opinione e reportazhe. Si media e vetme në rajon që punon në tri gjuhë (shqip, serbisht dhe anglisht), Kosovo 2.0 mbledh së bashku njerëz aktiv me vetëdije politike dhe shoqërore.

Pos kësaj, Besa Luci ka punuar edhe si hulumtuese e lartë në Klubin për Politika të Jashtme, me seli në Prishtinë, i cili bënte hulumtime dhe analiza të zhvillimeve dhe proceseve të lidhura me politikat e jashtme të Kosovës, mundësitë dhe progresin në integrimet euroatlantike dhe trendet që ndikojnë në zhvillimin e politikave ditore e ekonomike në Kosovë.

Në të kaluarën, Besa ka krijuar përvojë në fushën e mediave edhe si reportere në Women's eNews në New York, ndihmës redaktore në revistën Global Journalist në Misuri, autore në revistën VOX në Misuri, reportere në Gotham Gazette në New York, etj.

Për gratë e reja, sfidat për të cilat gjithmonë mund të jenë prezente para qasjes në treg të punës, Besa Luci ka një këshillë. Do të doja që ‘këshilla’ ime të ishte ndryshe, por dhënë rrethanat, gratë e reja është e rëndësishme që të njohin pengesat që rrjedhin si produkt i normave e roleve gjinore që vazhdojnë të jenë më të fuqishme se ligjet për të drejta të barabarta. Duke qenë të vetëdijshme për këto do të kemi më shumë fuqi e agjenci për të luftuar aktivisht diskriminimet potenciale apo pritshmëritë cënuese ndaj nesh si gra. Po ashtu, është e rëndësishme të kemi parasysh që gra të ndryshme do të ballafaqohen me forma të ndryshme të diskriminimit apo shtypjes, qoftë si rezultat i lokalitetit, etnisë, racës, klasës, identitetit gjinor apo orientimit seksual. Andaj besoj që ështe qenësore të kuptojmë dhe përkrahim njëra tjetrën sa më shumë që është e mundur”

Ajo bën thirrje që gratë e reja të mos ia faturojne vështirësitë në tregun e punës mungesës së potencialit të tyre, por vetëm padrejtësive gjinore të rrënjosura.

Kosovo 2.0 ndër tjera, përmes programeve të panumërta me rini, synon të angazhojë shoqërinë në iniciativa që sfidojnë narrativat diskriminuese e shtypëse.

Jehona Lluka

Jehona Lluka

Në ditët e sotme, të krijosh diçka për vete dhe të tjerët, kërkon shumë mund dhe përkushtim. Jehona Lluka, me më shumë se 14 vite përvojë pune në zhvillimin e sektorit privat ka qenë udhëheqëse e suksesshme për vite të tëra e një kompanie konsulente, duke avancuar kësisoj edhe profesionin e saj si konsulente menaxheriale.

Prej vitit 2016, Jehona Lluka ushtron pozitën e drejtoreshës ekzekutive në Business Consultants Council. Në vitin 2019, ajo u nominua dhe u zgjodh anëtare e bordit në insitucionin kryesor në mbarë botën për fushën e konsulencës menaxheriale - International Council of Management Consulting (ICMI).   

Pro nominimit të saj në këtë pozitë, votuan 60 shtete të ndryshme, duke e bërë Jehona Llukën të vetmen anëtare nga Ballkani Perëndimor. “Kjo do të ndihmojë vendin tonë të vendoset në hartën botërore në këtë fushë” , thotë Jehona për AkademiPune.

Si një person shumë i hapur, bashkëpunues dhe kurioz për njohuri të reja, Jehona arriti të krijojë identitetin e saj personal dhe profesional, çka erdhi bashkë me suksesin.

Si nënë e dy fëmijëve, sfidë kryesore për Jehonen ishte balancimi mes familjes dhe karrierës. Duke punuar me zell, ajo arriti t’i kalojë edhe këto pengesa. Një këshillë e saj për të rinjtë është të krijojnë një vizion dhe ta kthejnë atë në plan të veprimit.

“Të rinjtë duhet te fokusohen që të jenë në hap me te gjitha mundësitë që u vijnë përpara dhe po ashtu t‘i gjejnë ato, në mënyrë që secili vend i punës t’ua mësojë dhe përsosë aftësitë dhe shkathtësitë, që si rezultat krijon edhe përvojën për profesionin që gjithmonë keni dashur ta arrini. Në mënyrë që të kyçeni në tregun e punës suksesshëm, duhet të krjoni një vizion ku dëshironi të jeni në 10 vitet e ardhshme dhe atë vizion, atë endërr, ta përktheni në plane konkrete të veprimit. Duke punuar çdo ditë në atë plan të karrierës, suksesi është i garantuar”

Arjeta Musliu

Arjeta Musliu

Thonë se njeriun në jetë e mban vullneti dhe dëshira për ditë të bukura, e ky vullnet shpesh bëhet edhe arsye që njeriu të marrë guximin për të arritur suksese. E goditur dhe sfiduar nga jeta por e motivuar për të ecur përpara dhe udhëzuar të tjerët, Arjeta Musliu një grua e fortë, dhembjen e saj e shndërroi në punë. Arjetën, rrethanat e krijuara në jetë e shtynë që rrugën e saj ta vazhdonte më ndryshe.

Arjeta Musliu, është infermiere dhe psikologe klinike. Ajo e humbi të birin 19 vjeçar si shkak i përdorimit të substancave narkotike. Pas atij momenti, ajo i dha një mision vetes: të ndihmojë të gjithë ata të cilët janë të përfshirë në këtë dukuri negative. Punën e saj në këtë drejtim, e nisi me hapjen e një zyre këshilluese dhe mbajtjen e ligjëratave nëpër shkolla, për të adresuar problemet e lidhura me përdorimin e substancave narkotike.

“Meqenëse edhe profesioni im si psikologe ka për qëllim këshillimin dhe përkrahjen morale e emocionale, besoj që jam personi i duhur që të arrijë t’i kuptojë këta individë e më pas edhe t’i ndihmojë në mënyrë profesionale për tejkalimin e këtyre problemeve”, tregon Arjeta për AkademiPune.

Projektin e saj vendosi ta jetësojë edhe si dëshirë të djalit të saj. Ajo thotë se e ndjen veten të obliguar moralisht dhe profesionalisht që të përfundojë atë që e kishin planifikuar ta nisnin bashkë me të birin, dhe që me këtë projekt të arrijnë të vetëdijesojnë, të edukojnë, të bëjnë detektimin e hershëm si dhe të ulin numrin e përdoruesve të substancave narkotike.

Qendra që drejton Arjeta Musliu funksionon me punë vullnetare dhe të gjitha shërbimet janë pa pagesë. Në gjashtë mujorin e parë, numri i personave përdorues të substancave narkotike ka shkuar deri në 200. Si rezultat i suksesit të punës në qendrën e saj, 11 persona gjatë asaj kohe kanë arritur të heqin dorë nga përdorimi i drogës.

Arjeta është edhe themeluese edhe e Organizatës Jo Qeveritare Ri-Jeta, ndërkaq qëllim i saj për të ardhmen është edhe ndërtimi i një qendre rehabilitimi, të cilën ajo e sheh si një gjë të domosdoshme dhe shumë të nevojshme në Kosovë.

Violeta Zatriqi

Violeta Zatriqi

Rrugëtimin e saj në fushën e kirurgjisë estetike e nisi para 20 viteve, në një periudhë kur gratë paragjykoheshin sa i përket profesioneve të tyre, e sidomos gratë në mjekësi. Në atë kohë kishte mendime se kirurgë duhet të jenë vetëm meshkujt.  Është kjo Violeta Zatriqi, kirurge plastike estetike, të cilës mendimet e asaj kohe i dhanë akoma më shumë shtysë që të punojë dhe dëshmojë që edhe gratë mund të jenë kirurge të zonjat.

Violeta ishte ndër gratë e para qe filloi operacionet estetike para 20 viteve në Kosovë, çka e shoqëroi edhe me shumë sfida. “Shumë shpesh më kanë pyetur, a ju do të me operoni? A ka ndonjë mjek te huaj këtu?”

Pyetje të tilla, Violetën e shtynë t’ua dëshmonte të kundërtën, duke pasur sukses në çdo intervenim që ajo bënte. Synim i saj ishte që populli i Kosovës, ta kthente besimin tek mjeket kosovare, e sidomos tek kirurget gra.

Me përvojë plot 20 vite, ajo sot është shefe në Klinikën e Kirurgjisë Plastike Rekonstruktive Estetike në QKUK si dhe në Poliklinikën Zatriqi në Prishtinë. Ajo është prof. doktor shkence si dhe kryetare e Shoqatës së Kirurgëve Plastik të Kosovës. Ajo ka edhe një mesazh për kirurget e reja.

“Kirurgjia është mision i çmuar, duhet ta doni shumë, më shumë se veten, fëmijen, familjen, shoqërinë. Duhet të punoni ditë e natë, ska festa apo pushime, do të ndesheni në shumë paragjykime sikur janë meshkujt që dominojnë në këtë profesion. Por pastaj vjen një ditë dhe ti shpëton një jetë, dy, me dhjetëra e qindra dhe përpiqesh për të gjithë ata që të besojnë - kjo fshin çdo sakrificë që ke bërë për të arritur aty dhe vlera jote skalitet në trupat që ke mjekuar ndër vite me shumë dashuri e përkushtim”, ka thënë kirurgia Violeta Zatriqi.

Trajnimet e shumta jashtë Kosovës, pjesëmarrja në kongrese, ndonëse kanë qenë një sakrificë për të në aspektin familjar sepse detyrohej të qëndronte larg familjes, e kurorëzuan punën e saj me shumë suksese.

Shqipe Dushi Peja

Shqipe Dushi Peja

Janë shumë ato gra, të cilat kanë arritur të kenë një ndikim edhe në botën e biznesit ndërkombetar. Ka edhe shumë prej atyre që kanë arritur të sjellin dhe të zhvillojnë biznese të huaja në Kosovë.

Në mesin e grave të tilla është edhe Shqipe Dushi Peja, e cila u diplomua per biznes ndërkombëtar dhe qysh nga ajo kohë sukseset e saj në këte fushë qenë të vazhdueshme.

Në vitin 2001, Shqipe Dushi Peja u bashkua me ekipin e kompanisë Gjermane “DHL Express”, një lider global në fushën e transportit dhe logjistikës ,duke kontribuar në zhvillimin e saj në tregun e Kosovës. Me përvojen e saj në sistemet globale të industrisë së transportit, mallrave dhe logjistikës si dhe angazhimin e besueshmerinë nga kompania DHL Express, Shqipe Dushi Peja, në vitin 2014 themeloi kompanine 3P Logistics. Kësisoj, mori përsipër përfaqësimin e DHL Express si partner ekskluziv për tregun e Kosovës.

3P Logistics jo vetëm që arriti ta rrisë domenin e vet në tregun e Kosovës, por zgjeroi edhe gamën e shërbimeve në transportin ndërkombëtar të mallrave, duke lansuar kësisoj shërbimet e transportit ndërkombëtar, rrugor, ajror, hekurudhor dhe detar.

Ndër tjera, kjo e fundit luajti edhe një rol të rëndësishëm në zhvillimin e shërbimeve postare vendore dhe ndërkombëtare, duke përkrahur edhe industritë e ndryshme vendore në shitje, përmes platformave e-commerce, brenda dhe jashtë Kosovës. Me drejtimin e Shqipe Dushi Peja, DHL Express nga 10 punëtorë që kishte dikur, sot ka mbi 40 punonjës dhe 50% e tyre janë gra.

Për të gjitha gratë që synojnë të bëhen ndërmarrëse, Shqipe Dushi Peja ka një mesazh.

Mos hiqni dorë nga ëndrrat tuaja, ndiqni intuitën drejt suksesit, mos ktheni kokën mbrapa dhe mos lejoni asnjëherë që dështimet të ju pengojnë në realizimin e synimeve tuaja por mësoni nga to sepse dështimet janë mësuesit më të rëndësishëm në jetën e biznesit. Zgjedhni njerëzit më të mirë të ju mbështesin dhe në të cilët mbështeteni dhe jeni çdo herë mirënjohëse për punën që ata bëjnë për ju dhe për kompaninë. Nëse bashkarisht e jepni maksimumin, suksesi është i garantuar”

Ariana Nila

Ariana NilaGruaja shqiptare, jo vetëm që personifikohet e sëndërtohet si guximtare në histori, ajo paraqitet edhe si figurë e shquar në art dhe kulturë. Ndonëse nëpërmjet artit, njeriu largon stresin dhe brengat e përditshme, ky profesion mund të jetë edhe mjaft sfidues.

Përmes artit, njeriu ndan të mirën dhe të keqen, dhembjen dhe lumturinë, ndan pamjet ideale për shtëpinë e ëndrrave dhe aspekte të tjera që mund të na rrethojnë.

Kjo është arsyeja pse Ariana Nila, një vajzë e re e me plot ambicie ka zgjedhur artin si rrugë drejt suksesit. Rrugëtimin e saj drejt ëndrrave që synon t’i realizojë e ka lidhur ngushtë me këtë profesion. Ariana Nila u lind në Pejë dhe në po të njejtin vend përfundoi edhe shkollën e mesme të arteve aplikative në drejtimin dizajn grafik.

Në vitin 2011, ajo u shpërngul në Prishtinë, për të vazhduar studimet në drejtimin e njejtë. Studimet universitare i përfundoi në vitin 2015 në Universitetin e Prishtinës.

Në vitin 2014, ajo e themeloi firmen që mban emrin e saj Ariana Nila Jewerly ani pse punën e kishte filluar në moshë shumë më të hershme.

E rritur në atelen e babait i cili me profesion ishte jurist por veprimtari kryesore kishte argjendarinë, Ariana Nila përvetësoi zanatin shumë shpejt duke mbjellur dhe ushqyer ditë për ditë pasionin e njejtë me të atin dhe vëllain e saj Arianin.

Sot, Ariana bashkë me Arianin drejtojnë Ariana Nila Jewerly duke shënuar suksese të vazhdueshme në biznesin e tyre.

Edhe Ariana Nila ka një mesazh për vajzat e reja në Kosovë. “Për t’i arritur qëllimet në jetë, nuk ka rëndësi se sa inteligjente jeni, po sa të përkushtuara jeni. Pikënisja e rrugëtimit në botën e suksesit është caktim i qëllimit, vazhdoni duke i besuar qëllimit tuaj dhe pa marrë parasysh vështirësitë, qëndroni të forta dhe të vendosura. Në momentin që humbisni besimin në ëndrrën tuaj, dijeni që po luani një lojë që nuk ka fitore në fund”, përmbyll Ariana Nila. /AkademiPune

 

Fillo Kuizin
Testojeni veten, mësoni më shumë dhe argëtohuni në të njejtën kohë nëpërmjet kuizeve që ofrojmë ne për ju.
  • Which is the correct form?
    A
    Occiasonally
    B
    Occasionally
    C
    Ocassionally
  • Which is the correct form?
    A
    Prefered
    B
    Preferred
    C
    Preffered
  • Which is the correct form?
    A
    Embarassed
    B
    Embarrassed
    C
    Embarrased
  • Which is the correct form?
    A
    Acquire
    B
    Aquire
    C
    Accquire
  • Which is the correct form?
    A
    Activities
    B
    Activites
    C
    Activitties
  • Which is the correct form?
    A
    Comittee
    B
    Committee
    C
    Comitee
  • Which is the correct form?
    A
    Proffesor
    B
    Professor
    C
    Proffessor
  • Which is the correct form?
    A
    Acknowledge
    B
    Acknowlege
    C
    Aknowledge
  • Which is the correct form?
    A
    Delicous
    B
    Delicious
    C
    Deliciouss
  • Which is the correct form?
    A
    Apprieciate
    B
    Appreciate
    C
    Apreciatte
1
/
10
ARTIKUJ TË NGJASHËM
Fotografia, arti i të jetuarit në një nivel tjetër
Me foto aparatin e tij, ka arritur të kapë imazhe nga më të bukurat, e sidomos në vendlindjen e tij në Kosovë. Puna prej kameramani dhe fotografi në të njejtën kohë, e ka dërguar në vende të ndryshme, duke e bërë pjesëmarrës edhe në ngjarjet më të rëndësishme për Kosovën. I lindur në Artanë, Arben Llapashtica është një ndër fotografët e suksesshëm në Kosovë që veprimtarinë e tij artistike e ka mbushur me plot suksese edhe në nivel ndërkombëtar.   Me shpirtin e tij artistik, Arbeni përmes fotografisë arrinë të na dërgojë në bjeshkë, në det, qytete e vende të ndryshme, edhe në ato vende pothuajse të harruara. Fotografia e tij, jo vetëm që na bën të ndjejmë një realitet ndryshe, ajo njëkohësisht kontibuon që ta shndërrojë Kosovën në një shtet kurioz për t’u vizituar nga turistët e huaj. Si kameraman, karrierën e nisi gjatë vitit 2001, si fotograf aktiv, pak më vonë. Kontaktin e parë më fotoaparat profesional thotë se e pati gjatë kohës sa ishte pjesë e një shkolle për gazetari, një projekt norvegjez por i cili është quajtur Instituti Kosovar për Gazetari (KIJAC).  Gjatë asaj kohe, Arbeni tregon se kishte konkurruar në një garë për fotografi me ç’rast kishte zënë vendin e parë. Kjo ngjarje kishte qenë edhe një motivim për hapat e tjerë në karrierë. “Unë e dërgova një fotografi të një lope të regjistruar, e konsiderova vlerë evropiane për shkak se në atë kohe nuk ishte bërë akoma regjistrimi i popullësisë, ndërkaq regjistrimi i kafshëve po“ , thekson Llapashtica. Arben Llapashtica është më shumë një fotograf i fotografive spontane dhe pasionant i trashëgimisë kulturore, arkeologjike. Një tjetër pasion i tij është mbledhja e fotografive të vjetra. Ai thotë se i pëlqen të fotografojë kudo që has nëpër arkiva të Kosovës, në monografi të vjetra.  Në krijimtarinë e tij të pasur, bijnë në sy hapësirat e braktisura, natyra, kafshët e egra të cilat rrallë mund t’i shohin njerëzit. Duke qenë edhe fotograf zyrtar i Filharmonisë së Kosovës, ai është vazhdimisht pjesëmarrës në koncerte dhe çka i pëlqen më shumë në karrierën e tij si fotograf janë pikërisht momentet e dirigjentëve. “Më lënë përshtypje momentent e dirigjentëve, instrumentistëve. Më herët, kam pasur edhe ekspozita për këto momente. Përveç profesionit si kameraman jam edhe autor i dokumentarëve. Të dyja i bëj me shumë pasion. Si fotograf jam goxha aktiv, nuk dalë kurrë nga shtëpia pa e pasur çantën, nuk di të ecë pa çantë. Janë disa vende që i frekuentoj gati çdo javë dhe mendoj që Kosova ofron shumë, sidomos për fotografët. Ka objekte, trashëgmi kulturore, e shumë gjëra të bukura“, shprehet Arbeni. Jo pak foto të Arben Llapashticës janë realizuar edhe me dron. Ai është ndër të parët fotografë që e kishte fotografuar Bibliotekën Kombëtare të Kosovës nga lart.  Aftësitë që i nevojiten në karrierë një fotografi Si në çdo profesion tjetër, edhe në atë të fotografit dhe kameramanit kërkohen disa aftësi specifike për të qenë i suksesshëm në punë. Ndër të parat patjetër që duhet të jetë të qenit i shkathët. Mirëpo, shumica e kameramanëve dhe fotografëve, Arbeni thotë se janë më shumë zanatlinj dhe të gjitha mësimet i marrin gjatë rrugës. “Tek ne nuk ka ndonjë shkollë specifike për kamerë. Në kuadër të fakultetit të arteve është vetëm si lëndë. Pra, ne jemi më shumë zanatlinj. Ka rëndësi të veçantë të qenit i shkathët në këtë profesion si dhe momenti se ku qëllon për të shkrepur gjëra interesante. Natyrisht luan rol edhe performanca teknikisht, edhe ajo është aftësi” Gjatë intervistës, Arben Llapashtica kujton se pasluftës në Kosovë, fotografët aktivë kanë qenë pak më të rrallë, ndërkaq sot fotografët shqiptarë konkurrojnë edhe me fotografë botërorë dhe ka edhe prej atyre që punojnë për agjenci të njohura në botë. Sfidat e profesionit të një fotografi dhe kameramani Kur flet për vështirësitë që ka hasur gjatë rrugëtimit të tij si kameraman e fotograf, Arbeni ndër të parat që përmend janë trazirat e 17 marsit. “Ndoshta si sfidë mund t‘i konsideroj trazirat e marsit, kur kam shkuar në ndërrim të një kolegu ne Graçanicë dhe ai nuk guxonte as ta ngriste kamerën lart sepse konflikti ka qenë i tillë. Mbaj mend një moment kur e plagosën një protestues dhe gjysma e njerëzve më thoshin ta xhiroja ndërsa gjysma tjetër mos e xhiro. Ajo ka qenë vërtetë sfidë, nuk dija çka të bëj dhe nuk arrija as të tërhiqem“, rrëfen Arbeni. Mbrojtja e krijimtarisë origjinale, paraqet një sfidë të vazhdueshme në shumë profesione. Këtë shqetësim Arbeni e ngreh edhe për fotografët. Ai thotë se fotografët shumë shpesh hasin në vështirësi ngase u vjedhen fotografitë dhe nuk citohet autori e madje edhe ua fshijnë emrin. Ndonëse në Kosovë është themeluar një agjension për mbrotje të autorit, ky agjension është i kufizuar me kompetenca dhe funksionon vetëm për brenda Kosovës. Si shkak i kësaj, Arbeni thotë se fotografët e dëmtuar nga vjedhja e krijimtarisë nuk kanë se ku të drejtohen në shumë raste. "Enciklopedia Wikipedia është e lirë, kur ngarkon foto aty secili ka të drejtë t’i përdorë kudo por tërë kohën duke e përmendur emrin. Fotografitë e mija më së shumti janë keqpërdorur pikërisht përmes kësaj metode, sepse e marrin fotografinë dhe nuk e cekin autorin e as burimin ku e kanë marrë atë fotografi.  Këtu është krijuar një agjension për mbrojtje të autorit por i cili funksionon vetëm për brenda Kosovës. Jo vetëm unë por shumica e fotografëve jemi të dëmtuar për shkak të keqpërdorimeve dhe nuk është se kemi ku drejtohemi për ankesa. Por shpresoj që do të rregullohet edhe kjo.“ Arben Llapashtica, promovues i gjërave të rralla në Kosovë Arbenin nuk e gjen kudo. Është ky mbase një element që e bën të veçantë dhe të suksesshme krijimtarinë e tij. Janë disa vende të cilat ai i frekuenton zakonisht. Në ato vende ka shkrepur edhe fotografi nga më magjepsesët në Kosovë. “Unë nuk pëlqej të shkoj aty ku shkojnë të gjithë. Më lënë përshtypje vendet ku dominojnë malet, andej nga Rugova por edhe Sharri. Janë një mrekulli e vërtetë“ Blinaja është një vend afër Prishtinës, ku bota shtazore është shumë e pasur. Aty mund të hasën rreth 1 mijë kafshë të egra. Të pakët janë njerëzit që kanë mundësi ta shohin këtë vend, ndërsa Arbeni e sjellë shumë shpesh përmes fotografisë së tij.  “Kur i kam publikuar fotografitë për herë të parë, askush nuk mund ta besonte së ky vend është vetëm 20 km larg Prishtinës dhe se ekziston një mrekulli e tillë“ Vendi i origjinës, Artana, është një vend tjetër që Arbeni thotë se ka dëshirë ta promovojë shumë, një vend i pasur me trashëgimi kulturore, një vend multi kulturor. Aty e gjen pothuajse çdo javë. Përveç natyrës, Arben Llapashtica përmes fotografisë së tij mundohet t’i mbajë në jetë edhe zanatet e vjetra, të harruara nga koha. Një gjë e tillë, i bën fotografitë e Llapashticës edhe më unike dhe konkurruese në gara botërore. “E kam pasur edhe një ekspozitë me zanatlinjt, këpucëtarë, nallban, e shumë zanate tjera. Të tilla zanate më shumë hasen në Gjakovë. Punimet janë unike por diçka që dita e ditës mund të shuhet dhe nuk duhet të lejojmë që të shuhen sepse kjo mund të jetë diçka atraktive edhe për turistët, të shohin se si bëhet nje zbukurim ose mbathje për kuaj“ Fotografia arrin të përçojë mesazhe të ndryshme, që nga ato më të bukurat e deri tek ato më të ndjeshmet.  Një ekspozitë tjetër shumë interesante që i shton vlerën ende më shumë karrierës së Arben Llapashticës është edhe promovimi i gjidhënies. “Promovimi i gjidhënies, një temë që më pati lënë përshtypje shumë. Nënat tona gjithmonë i kanë ushqyer fëmijet me gji por zakonisht janë mbuluar, janë fshehur nga turpi. Prandaj pata vendosur t‘i fotografoj disa nana, kryesisht në publik duke ushqyer fëmijët me gji, temë e cila ka qenë vërtetë shumë tabu“ Arben Llapashtica ndër tjera njihet edhe si promovues i tolerancës fetare. Në shumë prej fotografive të tij vërehet mesazhi për tolerancë fetare. Ai thekson se mundohet të kapë nga një kënd Kishën e Xhaminë, çka njerëzit nuk arrijnë ta shohin ashtu, mirëpo ai arrin të gjejë perspektiven, në një vijë ku Kisha dhe Xhamija duken në një oborr.  Të tilla shkathtësi e kanë bërë atë edhe fitues të shumë çmimeve për fotografi. Krejt në fund të bashkëbisedimit, Arbeni ka edhe një këshillë për të rinjtë që presin të kyçen në tregun e punës. Ai i këshillon ata të mos tentojnë të arrijnë karrierën e ëndrrave përmes një rruge të shkurtë.  E për fotografët e rinj, sipas tij mundësitë sot janë shumë, mirëpo i sugjeron ata që në fotografi të bëjnë sa më pak ndërhyrje dhe të mos ia humbin origjinalitetin fotografisë.  “Pas luftës në Kosovë, kanë qenë gjithsej vetëm tre televizione nacionale dhe burimi kryesor i informacioneve kanë qenë vetëm ato, edhe kameramanë e fotografë ka pasur pak. Sot, teknologjia e ka bërë të veten, tash është më e lehtë në këtë aspekt. Mirëpo, tek fotografitë sot ka më pak shpirt, sepse po bëhen intervenime brenda fotografisë, çka sugjeroj të preken sa më pak. Fotografitë e kanë vlerën e vet, mesazhin e vet, sa më pak intervenime“, përfundon Arben Llapashtica. Arben Llapashtica, tash e 20 vite punon në televizionin nacional KTV.  Ka qenë udhëheqes i grupit të kameramanëve ndërsa momentalisht ushtron detyrën e drejtorit të fotografisë dhe kameramanit në këtë televizion.
Lexo më shumë
Rrugëtimi i aktivistes dhe regjisores së njohur Zana Hoxha
Jeta është një rrugëtim i bukur drejt një ëndrre që synon ta kapësh. Ky rrugëtim ndonëse ka sfida që duket sikur nuk do të mbarojnë kurrë, në vete ngërthen ambicie, punë dhe rezultate në fund. E lidhur ngushtë me artin dhe kulturën, e rritur në një familje ku filmi, letërsia dhe kultura në përgjithësi kanë luajtur rol në formësimin e saj intelektual, ajo është përballur edhe me sfida qysh në moshën e adoleshencës. Pikërisht atë kohë, lufta kishte pezulluar pothuajse gjithë jetën në Kosovë. Është kjo Zana Hoxha, regjisore profesionale e teatrit dhe drejtuese e OJQ-së së quajtur Artpolis, organizatë e cila promovon artin dhe diversitetin nëpërmjet dialogut shoqëror dhe ndërtimit të komunitetit. Është Zana, storja dhe suksesi i së cilës do t’ua mundësojnë ta shikoni jetën dhe punën nga kënde të ndryshme. “Qysh në klasën e 4-të ose të 5-të, e mendoja se si do të mund t’i realizoja filmat më ndryshe, më pëlqente një stil i caktuar, një film i caktuar, në përgjithësi kinematografia evropiane. Ishte vëllai im ai që më tha se unë do të bëhesha regjisore dhe qysh atëherë më pëlqeu përcaktimi që ai ma dha”, rrëfen fillimisht Zana Hoxha. Ndonëse shkollën po e përfundonte në një kohë të pakohë, gjatë luftës në Kosovë, atëherë kur bombardimet e NATOS dëgjoheshin gjithandej Kosovës, Zana ishte ende nxënësja e dalluar e shkollës. Ajo filloi të punonte me organizata ndërkombëtare qysh në moshën e adoleshencës. Duke marrë leje nga arsimtarët, asaj iu mundësua të punonte por edhe të vazhdonte vitin e fundit të shkollës së mesme. Gjatë asaj periudhe, Zana punonte si përkthyese në organizata të huaja, kryesisht me ato që merreshin me shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë luftës në Kosovë. Duke përkthyer historitë e të mbijetuarve, ajo qysh në moshën 17 vjeçare u njoh nga afër me mizoritë dhe format e ndryshme të dhunës që ushtrohej gjatë luftës në Kosovë. “Edhe pse isha vetëm 17 vjeç, fillova të jem shumë më e vetëdijshme rreth asaj që kishte ndodhur, isha vetë dëshmitare e ndodhive. Familja ime nuk lëvizi nga Gjakova, mirëpo puna që bëja atëherë ma impontonte të shkoja nëpër fshatra e vende të ndryshme të Kosovës dhe unë kështu u njoftova me rrëfimet e tmerrshme të dhunës në Kosovë” Ndonëse thellë brenda vetes, ëndërr kishte të bëhej regjisore dhe t’i realizonte një ditë të gjitha ato storje që kishte në kokën e saj, Zanën e shoqëruan edhe mëdyshje se cili do të ishte profesioni i duhur për të. Ajo tregon se nëna e saj ishte një shtysë e madhe në jetë dhe atëbotë edhe ajo po e këshillonte të studionte për regji, dhe se ndjeu një gëzim kur edhe vëllai i saj e kontaktoi në telefon dhe iu drejtua me fjalët “Ku je regjisorja e ardhshme e Kosovës? Aty thashë, po po i kthehem ëndrrës sime" Viti që punoi me organizata ndërkombëtare, Zanës i ndikoi po ashtu shumë pozitivisht në profesionalizmin e saj në fushën e regjisë. Gjithsesi, gjatë intervistës me AkademiPune, ajo tha se nuk e konsideron veten vetëm si artiste apo aktiviste. “Unë nuk mund të them kurrë që jam vetëm artiste ose vetëm aktiviste. Prej vitit 2000 e deri sot, unë e kam krijuar identitetin e një gruaje e cila është pikërisht një artiste që i adreson të drejtat e njeriut përmes artit, në të njejten kohë në art gjithmonë jam e vetëdijshme që të kem parasysh edhe të drejtat e artistëve, të punëtorëve, për të krijuar një ambient më të mirë dhe profesional” Përparësitë si grua në shoqëri Një dëshirë tjetër e Zana Hoxhës, gjithmonë ka qenë edhe ngritja e çështjeve që ndërlidhen me gratë. E grave në Kosovë shpeshherë iu duhet të kalojnë sfida të shumta për t’i arritur ëndrrat.  Mirëpo, për vete ajo tregon se kur nisi punën me organizatën Artpolis, si grua pati më shumë përparësi sesa vështirësi.  “Kam pasur një bashkëpunim dhe një përkrahje të madhe të Rrjetit të Grave të Kosovës, në veçanti zonjës Igballe Rugova dhe një përkrahje të aktivisteve vendore dhe të huaja, një përkrahje gjithashtu edhe prej artisteve tona, të cilat kishin nevojë për një ambient, për mundësi të krijimit të përbashkët si artiste në një hapësirë të sigurtë, ku jo domosdoshmërisht si artiste duhet të jesh objekt i seksit ose në shërbim të shfaqjeve, filmave, veprave ku burrat do të udhëheqin dhe e kanë një mënyrë se si menaxhojnë gjërat në skenë dhe në art” Themelimin e organizatës Artpolis, Zana thotë se e pa si nevojë por ishte edhe diçka që lidhej me identitetin e saj feminist. Sot, ajo thekson se është e lumtur që organizata nuk identifikohet vetëm me të, por identifikohet me punën që bëhet aty dhe me aktivizmin. “Në fillim kanë thënë: organizata e Zanës, e tash nuk thonë kështu dhe unë jam e lumtur për këtë”, thotë gjatë intervistës Zana. Sfidat gjatë rrugëtimit në karrierë Në rrugëtimin e saj nuk munguan edhe shumë sfida, e të cilat ajo thotë se ishin më shumë në rrafshin personal. Duke qenë person shumë familjar, sfidat më të mëdha për të ishin atëherë kur dikush i afërm kishte probleme shëndetësore, e që asaj i është dashur të punonte edhe kur ishte gati e pamundur. Balanca mes jetës private dhe profesionale ka qenë po ashtu një sfidë e vështirë, mirëpo Zana thotë se gjithmonë e kishte ditur se në cilat vlera bazohet kur punon dhe kurrë nuk e ka përdorur punën si justifikim për të qenë person negativ. Sfidë për të sot, është të shohesh se si dominon një sistem ku shumë njerëz shkelin vlerat e personave të tjerë për të ndërtuar karrierën e tyre. Ndonëse u bë nënë në moshë të re dhe obligimet e përgjegjësitë veç sa iu shtuan, ajo për vite me radhë kishte qenë edhe mbështetësja kryesore e familjes.   “Kur je nanë, prioriteti kryesor janë fëmijët dhe koha që e kalon me ta. Jeta që unë ua jap fëmijëve të mi nuk është vetëm në shtëpi, është e tillë që unë i marr me vete në trajnime, festivale, në shfaqje. Vajzat e mija kanë qenë vullnetare në FemArt kur skanë pasur mësim ose pasdite, pra unë jam munduar të krijoj një lloj identiteti timin si nanë, jashtë pritjeve që i ka shoqëria ose jashtë asaj se si shoqëria pret që të sillem si nanë” Kësisoj, Artpolisin tregon se e krijoi me shumë mund, duke u munduar të jetë aty edhe për familjen por edhe ta jetësojë ëndrrën e saj. “Në momentin që i kam vënë fëmijët në gjumë, kam punuar gjatë natës, që të vazhdoj ta ndjekë ëndrrën që e kam pasur për ta krijuar Artpolisin në nivelin që është tani dhe sot kemi arritur në një pikë që Artpolisin e bëjnë shumë kolege të mijat të cilat janë shumë të zonjat, shumë të përgjegjshme, i bëjnë punët me dashuri dhe pasion dhe mbi të gjitha e dinë se çka bëjnë” Sot, Zana thotë se organizata Artpolis është në një nivel shumë të mirë dhe ka kapacitete të mjaftueshme, si dhe shpreson që kur të largohet nga organizata, ta lë atë në një pozitë shumë të mirë, që personat që vijnë ta udhëheqin dhe ngrisin edhe më tej. Çka e bën Zana Hoxhën të suksesshme në punën e saj? Rezistenca, inspirimi dhe krijimi janë disa veti që Zana thotë se e kanë bërë të suksesshme ndër vite, e të cilat i ka pasur edhe si moto në jetë. Kur flet për rezistencën, ajo thotë se gjithçka që ndodhë në jetë, të mirat, të këqijat, duhet të shfrytëzohen për të na bërë njerëz më të qëndrueshëm. Duhet të shfrytëzohet gjithçka që të rritet një rezistencë brenda njeriut, që ai të jetë më i fortë për sfidat që mund të vijnë. “Edhe kur kam pasur momente të vështira, edhe kur ka qenë jo e lehtë, gjithmonë kam menduar se çkado që bëj në jetë duhet ta bëj me dinjitet dhe të mos e humbas dinjitetin, pra çfarëdo zgjedhje që më është ofruar, e kam pyetur veten çka nëse e bëj këtë zgjedhje? A e humbas dinjitetin tim? Ose a do të ndikojë kjo që unë të jem më dinjitoze ne jetë? Të gjitha këto pyetje më kanë ndihmuar të marrë vendime të mira në jetë” Një prej arsyeve pse Zana preferon të udhëtojë shumë është inspirimi. Ajo thotë se kërkon inspirim kudo, qoftë në vendet e suksesshme, qoftë në ato që kanë vuajtur shumë, tek njerëzit që nuk i ka njohur më herët por edhe tek ata që i njeh me vite të tëra. Mirëpo, edhe ajo vetë mundohet të jetë inspirim për të tjerët, me mënyrën se si jeton, se si punon, por gjithmonë duke qenë autentike. “Edhe pse mund të ketë keqkuptime, paragjykime, kjo jam unë dhe kështu kam vendosur ta jetoj jetën time, pavarësisht se si më shohin të tjerët” Si veti të fundit, ajo përmend krijimin, thotë se ka një nevojë të vazhdueshme për të krijuar diçka dhe se krijon me shumë dëshirë e pasion. “Krijimi më ka mundësuar që ta zhvilloj veten, identitetin tim dhe të ndërtoj lidhje të tilla me njerëz që vetëm proceset krijuese t’i mundësojnë, pra jo domosdoshmërisht vetëm arti, por proceset krijuese edhe të ndonjë trajnimi, punëtorie, ligjerate ku ti thjeshtë ofron hapësirë, mundësi për mendim të përbashkët, një atmosferë më të mirë, një dëshirë për ta bërë këtë vend më të mirë dhe natyrisht krejt dëshira dhe pasioni im ka qenë që të gjitha këto vlera që i përmenda t’i zbatoj këtu, jo jashtë Kosovës” Kush janë njerëzit model për Zanën? Shumë njerëz, kanë persona të tjerë të cilët u shërbejnë si udhërrëfyes të jetës, për t’i arritur caqet që i vënë vetes. Si shembull i parë në jetë për Zana Hoxhën ka qenë gjyshja e saj, një grua humaniste dhe e cila siç e përshkruan Zana ka pasur një identitet shumë të veçantë sepse në një periudhë kur jetesa është shoqëruar me shumë paragjykime, ajo ju ka dalë në ndihmë nevojtarëve e mbi të gjitha u ka dhënë zemër grave të asaj kohe. “Unë jam rritur me njëfarë iluzioni, njëfarë dëshire që të bëhem si gjyshja, e cila iu ka dalë kundër te gjithëve vetëm për t’i mbrojtur të pafuqishmit” Një model tjetër për Zanën ka qenë edhe nëna e saj, një grua ambicioze e shumë punëtore dhe e cila i ka dhënë vazhdimisht mbështetje në jetë. E në adoleshencë ajo tregon se model e ka pasur Hilary Clinton, fjalët e të cilës kanë pasur ndikimin e vet tek Zana. Ndërkaq, karrierën e saj gjithmonë ka pasur dëshirë ta ndërtojë duke ecur në hapat e aktorit të njohur Istref Begollit, “Se kush më ka inspiruar prej burrave, kanë qenë gjyshi im, babai im dhe aktori i ndjerë Istref Begolli i cili ka pasur një sharm gati të një aristokrati në art dhe kam dashur ta ndërtoj karrierën time sikur ai. Ai e ka ndërtuar karrierën në Kosovë, ka pasur një reputacion, mënyra se si i ka zgjedhur veprat, ka qenë e ndërlidhur me vlerat dhe parimet e tij” Ajo nënvizon se model ka edhe gjithçka tjetër të mirë, gjithçka që asaj i ndihmon të jetë çdo ditë një person akoma më i mirë.  Sa ka perspektivë për artistët e rinj në Kosovë? Profesioni i artistit në Kosovë, nganjëherë ndeshet edhe në paragjykime të ndryshme. Zana si profesioniste në fushën e artit, thotë se artistët nuk duhet të ndalojnë së gjeturi zërin e tyre dhe t’i kërkojnë mundësitë për të punuar me artistë nga vende të ndryshme të botës. Ajo shton se perspektiva varet se si shikohet, ndërsa në Kosovë për dallim nga disa vende të tjera të botës, nëse je artist dhe e kërkon një mundësi për ta provuar veten, shumica e njerëzve do të ta japin atë shancë. E si artist, Zana thotë se ekziston mundësia edhe për të krijuar gjëra të reja të cilat janë falas dhe për të dëshmuar se je person që të tjerët mund të besojnë edhe financiarisht tek ty. Ajo shton se përmes Artpolis, organizatës të cilën ajo drejton, kanë krijuar mundësi te shumta për artistët e rinj, në mënyrë që ata të krijojnë identitet, të mësojnë, të zhvillohen dhe të bëhen të dukshëm, e të cilët me kalimin e kohës janë bërë individë që e kanë ditur se çka duan në jete. “Jam shumë krenare që në karrierën time kam qenë pjesë e zhvillimit të potencialit të artistëve të rinj dhe krijimit të hapësirave e mundësive” Një këshillë për të rinjtë Për ta gjetur veten më së miri në karrierë, Zana thotë se njeriu duhet të kërkojë punën dhe kjo nuk do të thotë se duhet të ndodhë vetëm me dërgimin e CV-së apo materialeve të ndryshme për aplikim. Ajo ka një sugjerim më ndryshe për të rinjtë në Kosovë. “Është shumë e rëndësishme të trokisni në derën e dikujt edhe t’ju tregoni se dëshironi të bëheni pjesë e stafit. Shkoni, kërkoni mundësitë, dikush mund t’ua mbyllë derën por gjithmonë do të jetë dikush tjetër që e hapë atë për ju. Bëhuni fleksibilë, punëtorë, shfrytëzoni gjitha talentët që keni për me e mbajtë punën, është shumë e rëndësishme me ra në sy të mirë, bëjëni një punë që e keni pasion ose ndjeheni mirë, një punë që përputhet me vlerat e juaja, nëse vlerat tuaja janë ndryshe nga ajo që bëni, lëjeni atë punë” Gjersa këshillon të rinjtë, ajo tregon edhe se si 70 përqind e stafit në organizatën Artpolis, janë bërë pjesë e organizatës pa ndonjë konkurs, pra kanë kërkuar të jenë vetë pjesë sepse pritshmëritë e organizatës nuk kanë qenë që të kenë staf 100 përqind të gatshëm. Ajo thotë se puna e ndërton njeriun shumë, se gjatë viteve të kaluara ka mësuar shumë në punën e saj, ka arritur t’i zhvillojë kapacitetet e brendshme të saja duke mësuar fusha të ndryshme, qoftë në shkrim, përkthim, etj. "Kam mësuar edhe në momentet kur më është dashur vetëm të ulëm në një tavolinë dhe të dëgjoj të tjerët, dhe të gjitha këto me kanë dhënë mundësinë të jem kjo që jam sot, pra karriera e ëndrrave nuk arrihet shpejt, ajo ndërtohet dhe duhet kohë që të mësosh, të zhvillohesh dhe të jesh aty ku dëshiron të jesh” Një këshillë tjetër që Zana ua jep të rinjve, është të jenë mirënjohës për të gjithë njerëzit e mirë që ua kanë dhënë mundësitë të zhvillojnë kapacitetet e tyre , si dhe të mos i abuzojnë ato mundësi. “Të rinjtë vetëm të mos heqin dorë, të kërkojnë mundësi dhe nëse dikush e lexon këtë intervistë dhe mendon që unë mund t’i ndihmoj diçka, të më shkruajë dhe unë do t’i përgjigjem”, përfundon regjisorja e njohur Zana Hoxha. Zana ka drejtuar rreth 20 performanca teatrale të cilat kanë qenë të prodhuara dhe prezentuara në teatret më të mëdha në Kosovë. /AkademiPune
Lexo më shumë
Rrugëtimi i mërgimtarit nga Kosova, sot arkitekt i njohur në botë
PERPARIM RAMA, ARKITEKT NË ANGLI “Kurrë mos mendo që je shumë ekspert në diçka dhe nuk ke nevojë për përvojë. Shihe jetën si përvojë e të mësuarit të vazhdueshëm" - Denis Waitley Shpërngulja nga atdheu mund të duket një rrugë pa kthim. Bredhja me valixhe drejt stacioneve të shteteve të tjera ku askund nuk dëgjohet e flitet gjuha jote, ngjallë në zemrën e secilit një ndjenjë sikur je i humbur, pa fat dhe pa asnjë shpresë për të ardhmen. Mirëpo, dëshira për të qenë i suksesshëm nuk shuhet asnjëherë pavarësisht humbjes së shpresës apo rrethanave të cilat shpesh suksesin e bëjnë te paimagjinueshëm e aq më larg të arritshëm. Storja në vazhdim po aq sa përmban një dëshmi suksesi, përfshinë edhe rrugën plot me sfida drejt një ëndrre, e cila në nisje mund të duket e parealizueshme. Ishte vetëm 16 vjeçar kur vendosi të largohej nga Kosova. Nën thundrën serbe, pa lirinë e shprehjes e të lëvizjes, e vetmja shpresë për të qe largimi. Perparim Rama, një djalë me shumë aspirata për të ardhmen, në një moshë të njomë rrugëtoi për në Britani të Madhe, që sot të jetë një ndër arkitektët më të njohur në mbarë botën. Muaj më herët, para se të nisej për në Britani, ai kishte provuar të merrte një vizë për në Paris, në mënyrë që të merrte pjesë në hapjen e ekspozitës personale të babait të tij por ishte e pamundur ta realizonte atë udhëtim. Kësisoj, me ftesë të vajzës së axhës së tij, Ilirjanës, mori rrugën për në Londër, meqë atëbotë nuk nevojitej vizë për në Britani të Madhe. Gjatë intervistës për KosovaJob, Rama rrëfen sfidat e largimit nga atdheu i tij si dhe peripecitë e integrimit në një vend të huaj. 16 vjeçar, plot vullnet e entuziazëm, Perparimi filloi të kërkonte për një punë në Londër. “Në vitin 1991 kur shkova në Londër nuk e kuptova që edhe Britania asokohe po kalonte nëpër sfidë ekonomike. Ishte shumë e vështirë të gjindej punë e posaçërisht për një djalë 16 vjeçar - pa përvojë pune siç isha unë mirëpo e dija se duhej patjetër të gjeja punë dhe së paku t’i shlyeja borxhin familjes, që kishin marrë për ta mundësuar udhëtimin tim”. Në Londër, ai rrëfen se si puna e tij e parë ishte enëlarës, pastaj gatuante sanduiçe, punonte nëpër klube vallëzimi, si barman e si kamarier. Gjatë kësaj kohe ai vazhdonte edhe studimet. Ndonëse nuk e kishe shumë të lehtë t’i realizonte ëndrrat e tij, Perparimi thotë se kishte punuar me shumë zell. “Inspirimi im është njeriu dhe natyra” Gjatë karrierës së tij, Rama realizoi një mori projektesh, me të cilat përfaqësoi Kosovën gjithandej botës. Në vitin 2012, në Bienalen e Arkitekturës ne Venecia, Rama përfaqësoi Kosovën për herë të parë në histori me Pavilionin ‘Filigree Maker’’ ose ‘’Punuesi i filigranit’’, i cili u mirëprit pozitivisht nga mediet ndërkombëtare e posaçërisht nga Presidenti i Bienales Paulo Barata, i cili e quajti këtë projekt "Architecture Democracy". Ai si projekt madhor të tij e përmend edhe Hamam Jazz Bar, projekti që fitoi vendin e parë në botë në vitin 2013 si dhe H House apo Shtëpia H në Prishtinë, projekt i cili poashtu është fitues i disa çmimeve dhe që u publikua edhe nëpër mediet botërore si shumë unik dhe madhor. “Me këtë pavilion kam shtjelluar efektin/ndërlidhshmërinë emocionale të urbanizmit dhe arkitekturës së Kosovës në njeriun. Pavilioni ka qenë interaktiv dhe u ka mundësuar vizitorëve nga e gjithë bota të njoftohen për së afërmi me arkitekturën e Kosovës. Edhe Hamam Jazz Bar, ka qenë i punuar terësisht me produkte vendore, të Kosovës. Ky projekt ka qenë shumë eksperimental dhe ka pasur një ndikim pozitiv në të gjithë komunitetin tonë. Inspirimi im është njeriu dhe natyra. Gjithmonë ndërlidhem me projektet të cilat ia rrisin namin për të mirë Kosovës”. “Hamam Jazz Bar”, sipas Ramës ka përçuar mesazhin se edhe shqiptarët mund të mbërrijnë majat e botës nëse besojnë në vete dhe nuk i frikësohen sfidave por përfaqësohen në mënyrë unike. Cilësitë që duhet të ketë një arkitekt i mirë dhe perspektiva per arkitektët kosovarë Rama jep disa këshilla për të rinjtë që duan të ndërtojnë karrierën e tyre në arkitekturë, të cilët i këshillon të nisin punën vetëm në rast se e bëjnë këtë profesion me shumë pasion. Profesioni i arkitekturës është shumë i vështirë, por sipas tij në qoftë se kryhet me dëshirë, nuk krijon ndjesinë e lodhjes apo monotonisë. Ai si cilësinë kryesore të një arkitekti të mirë nënvizon të qenurit njeri i mirë, pra të mendojë për të mirën e njerëzimit. “Një arkitekt i mirë duhet të jetë njeri i mirë. Të jetë empatik dhe ta kuptojë sa më thelbësisht njeriun si qenie dhe lidhshmërinë e tij me natyrën, ta kuptojë efektin e hapësirës, masës, natyrës, në dijen dhe mendjen e njeriut. Duhet ta kuptojë se nuk ka asnjë zhvillim urban e arkitektonik i cili është neutral. Çdo zhvillim është ose pozitiv ose negativ, pra ose jetështues ose jetëmarrës. Arkitekti i mirë duhet të ketë interes për çdo lëmi dhe të thellohet në lëmi të ndryshme varësisht nga projektet, klientët me të cilët merret. Të jetë i uritur gjithmonë për më shumë dije. Të kuptoj jetën sa më thellësisht. Të ketë mundësi t’i abstraktojë dhe t’i rikonstruktojë elementet për të mirën e njerëzimit, të mos jetë egoist. Duhet të jetë i hapur, komunikativ, të bëj pyetje me rëndësi. Duhet të jetë njeri i mirë” Si një ndër momentet kulminante në karrierën e tij krahas projekteve të suksesshme, ai përmend edhe përfundimin e studimeve Master dhe rrëfen një moment me babain e tij, tashmë të ndjerë. “Përfundimi i studimeve Master me bën  të ndjehem shumë krenar sepse e di se sa është gëzuar babi, i cili ishte i sëmurë asokohe, ishte në fakt vera e fundit së bashku dhe une mora librat me vete në vitin 2003 dhe kalova 2 muaj në Shtoj me babin, ku edhe vazhdova të shkruaj tezën. Babi e ndjente veten keq sepse mendonte që po më pengon ne studime. Prandaj, kur e lajmërova se kam marrë notën më të lartë të dhënë ndonjëherë në atë institut, ai filloi të qante nga gëzimi, e kështu u përlotëm së bashku”. Sa i përket përspektivës për arkitektët e rinjë në Kosovë, Rama tha se ka mundësi ani pse nevojitet më shumë investim në qendrat e edukimit. Kjo, sepse sipas tij problemi kryesor qëndron tek mënyra e edukimit, ku përdoren metodat e vjetra të mësimit. Ai nënvizoi se Kosova është akoma në hapat e parë të zhvillimit dhe kur të nxjerren arkitektë të mirë, edhe mundësitë do të jenë akoma më të mëdha. Dëshira për të arritur sukses aq sa duket e bukur, në vete ngërthen sfida dhe përpjekje të cilat na duken të paarritshme. Në rrugëtimin drejt suksesit, si ky i Përparimit, është e rëndësishme të mos ndalosh, të mos ndalosh por të punosh drejt tij deri sa të arrihen objektivat për të cilat ja vlenë që të fillojmë nga pika zero.
Lexo më shumë
Nga ekonomia në gastronomi, rrugëtimi i sipërmarrëses Rudina Qosja
Rudina Qosja, punën e saj në gastronomi e nisi fillimisht në restaurantin e bashkëshortit të saj, ku për shumë vite me radhë u mor me përgatitjen e ëmbëlsirave. Duke e parë suksesin në restaurant, ajo vendosi të themelonte mikrobiznesin e saj. Sot, Rudi’s Cake Factory njihet për një koncept shumë të veçantë të ëmbëltorës në Kosovë. “Unë, nga studente e fakultetit ekonomik kalova në gastronomi, në krejt tjetër lëmi. Mirëpo, kjo ka qenë një punë të cilën e kam dashur shumë sepse gjithmonë e kam pasur pasion kuzhinën. Së pari, e fillova në Morena Bar, aty e kam menaxhuar restaurantin, i cili ka qenë i bashkëshortit. Kur e pashë se ëmbëlsirat po pëlqeheshin shumë dhe njerëzit filluan me porosi individuale aty në lokal, atëherë vendosa të investoj, t’i kryej fillimisht disa trajnime jashtë shtetit dhe pastaj mora forcën e guximin ta hapë biznesin tim”, rrëfen Rudina. Këtë biznes, ajo fillimisht e hapi vetëm si punëtori, kjo zgjati rreth tre - katër muaj dhe duke i parë kapacitet  e objektit, vendosen ta shfrytëzojnë edhe si restaurant, që njerëzit të ndalen për një kafe dhe të provojnë copën e ëmbëlsirës. Kësisoj,  Rudi’s Cake Factory, siç quhet biznesi që udhëheq Rudina, u vendos të hapej edhe si pikë e shitjes. Në një intervistë për AkademiPune, Rudina thotë se puna në fushën e gastronomisë, i jep shumë kënaqësi ngase është vazhdimisht në kontakt me njerëz të ndryshëm dhe mundohet që gjithmonë bashkë me stafin e saj t’ua plotësojnë kërkesat e tyre. “Unë veç kënaqësi ndjej me këtë punë”, thotë Rudina. Pjesa më e mirë e ditës për të është përgatitja e recetave të reja. Vanesa është ëmbëlsira më e kërkuar në dyqanin e saj, pëmban çokollatën me mjedër dhe është zbulim i vet Rudinës. Ajo thekson se qëllimi i hapjes së Rudi’s Cake Factory, ka qenë pikërisht prurja e një shije të re në Kosovë, që njerëzit të provojnë gjithmonë diçka më ndryshe. “Pjesa më e mirë e ditës për mua është përgatitja e recetave të reja.  Zakonisht, në fillim i përgatis unë dhe pastaj i realizojmë bashkë me vajzat e tjera që punojnë me mua, kështu vazhdojmë gjithnjë me të njejtat procedura. Dëshira ime është që gjithmonë të sjellim diçka të re, të provojmë diçka të re, shije të ndryshme, kjo pjesë më jep shumë kënaqësi në punën time. Ndërkaq, punën edhe më të mire e bën kolektivi -  ne jemi një staf i harsheshëm, diskutojmë bashkë, qeshim, kënaqemi në përgjithësi. Kjo është një punë me përgjegjësi por shumë frytdhënëse kur bëhet me qejf dhe pasion”, Shumë prej grave në Kosovë sot, kanë arritur ta zbehin fjalën sfidë. Edhe Rudina Qosja, si grua në biznes, thotë se nuk i ka lënë sfidat ta ndalin në rrugëtimin e saj. Ajo thekson se të gjithë biznesin e ka themeluar me ndihmën e kredive dhe përkrahjes së familjes. “Si grua në biznes nuk kam pasur vështirësi. E kam pasur përkrahjen e familjes gjithmonë, as nuk kam marrë grante, gjithçka e kam realizuar me kredi. Vetëm EBRD me ka ndihmuar në brendimin e firmës dhe më ka ndihmuar edhe financiarisht, një pjesë e kam pasuru në, një pjesë ata. Pastaj kam vazhduar me kredi, kredi pas kredie që të jem këtu ku jam sot. Vështirë nuk është, duhet me e dashtë punën, me pasë vullnet dhe patjetër me punu gati 24 orë” Në dyqan, Rudina thotë se ka më shumë punë në mesditë, ndërkaq në mëngjes furnizojnë lokalet. Kur flet për punën që e bën çdo ditë, Rudina flet më shumë pasion dhe për të pengesat duken të jenë gjithmonë të vogla dhe lehtë të tejkalueshme.  “Ka edhe pengesa, janë nganjëherë disa vogëlsira që neve na duken që zgjidhen lehtë mirëpo aty mbesim pastaj dhe shohim se janë pikërisht ato që duan më shumë vëmendje. Në punë psh, kemi pasur edhe raste kur nuk i kemi tejkaluar mirëpo parimi jonë është që  të gjejmë një zgjidhje dhe të dalim sa më mirë. Po e ndaj me ju një rast, psh e kemi përgatitur tortën në mënyrën më të mirë dhe në një moment të caktuar ajo veç ka rënë, pastaj kur e kemi analizuar kemi parë që problemet i kemi pasur tek temperatura, zhelatina nuk është përzier mirë etj, pra gjithmonë e gjejmë shkaktarin e problemit në mënyrë që të mos përsëritet e njejta gjë. Mirëpo, kryesisht janë vështirësi që tejkalohen”, Si sipërmarrëse e suksesshme, Rudina ndjehet krenare që ka arritur të punësojë edhe njerëz të tjerë në biznesin e saj. Krenaria i shtohet akoma më shumë kur e kujton se e ka nisur vetëm me një kolege, ndërkaq sot janë gjithsej shtatë punëtorë. “Për momentin jemi shtatë punëtorë. E nisëm si punëtori, punoja vetëm me një kolege, pastaj u bëmë tre, katër, e sot jemi shtatë dhe jam shumë e lumtur për këtë. Në të ardhmen, patjetër që do të rritemi edhe më shumë. Ne kemi shumë pika të shitjes të cilat i furnizojmë, kemi shumë restaurante, kemi porosi individuale, etj. Në Prishtinë, mendojmë ta hapim edhe një pikë tjetër, mirëpo gjithmonë duke pasur prioritet cilësinë e produkteve tona” Rudina Qosja, ka përfunduar disa trajnime në gastronomi, trajnime me pastiçerë francez në Greqi , dhe së fundmi në New York, trajnime me italianin e njohur Gianluca Fusto. Një karrierë është e suksesshme atëherë kur puna bëhet me shumë qejf sepse vetëm atëherë jemi vetvetja. Edhe sipas Rudinës, suksesi në karrierë arrihet edhe nëse kemi veti të mira si njerëz por edhe nëse investojmë në punën që duam. Ajo thotë se personalisht ka qenë gjithmonë optimiste, e zellshme dhe këtë punë e ka bërë gjithnjë më shumë pasion. Të rinjtë që presin të kyçen në tregun e punës sot, ajo i këshillon të punojnë shumë, të mos ndalen dhe të investojnë në punën që duan sepse nëse nuk e duan një punë nuk do të arrijnë sukses. “Punoni dhe mos u ndalni, investoni në punën që e doni sepse po nuk e deshet punën, pas 1 ose 2 vjetesh, do të lodheni sepse nuk ju jep kurrefarë kënaqësie një punë e tillë. Prandaj, gjeni punën të cilën e doni dhe kur e doni një punë, suksesi nuk mungon, tjerat vijnë pastaj. Veç me e dashtë punën, gjithçka tjetër bëhet”, përfundoi Rudina.
Lexo më shumë
KosovaJob është rrjeti më i madh i punësimit në Kosovë, i çertifikuar nga Bureao Veritas me ISO 9001: 2015 për Menaxhimin e Cilësisë.