74 vjeçe hapi gjellëtoren e saj, Nasibe Bukleta nga Peja një shembull inspirimi

29 Gusht '24

74 vjeçe hapi gjellëtoren e saj, Nasibe Bukleta nga Peja një shembull inspirimi
	 	 

Në qytetin e Pejës shumica e thërrasin “Nena”, për shkak të afërsisë me të gjithë. Kjo i ka ndihmuar edhe ta gëzojë përkrahjen në hapjen e gjellëtores së saj “Nena”, të cilën e hapi në moshën 74-vjeçare në shtatorin e vitit të kaluar. “Krejt nene më thërrasin. Si nënë e mirë”, tregon Nasibe Bukleta kur pyetet për inspirimin e emrit të lokalit të saj. Kjo gjellëtore shpejt është bërë adresë e shumë njerëzve për tu ushqyer.  Menyja e saj e ushqimit është e pasur me mbi 40 lloje të gjellërave. Ajo i kushton një rëndësi të madhe gatimit të cilin e bën me pasion dhe kujdeset që gjithçka të jetë e pastër. Në pjesën tjetër të lokalit të cilin e ka me qira, ajo ka të vendosura makinat e qepjes për të cilat po ashtu ka një vizion.

“Pse e kam marr zanatin është meraku”, tregon në fillim ajo. Që kur ishte e re ajo me një interesim të madh kishte qenë e kyçur në ushqimet e përgatitura nga nëna e saj.

“Gjithmonë kam ndërhyrë se a ka kryp apo vaj të mjaftueshëm”, shprehet 75-vjeçarja nga Peja. Ajo kishte punuar gjatë si artizane, qysh si 18-vjecare kishte punuar në qëndisje.

“Babai na ka dhuruar nga një dyqan dhe 40 mijë marka mua dhe motrave. Kam pasur vullnet të madh dhe kam punuar që kur isha 18-vjeçare në makina të qepjes. Akoma e kam vullnetin madh”, shprehet ajo.

Ushqimet e saj ishin të dalluara në sofrat që i përgatiste për ceremoni të ndryshme familjare.

“Kemi ceremoni të vdekjes dhe dasmave dhe kryesorja te ne është që kur të vdes dikush duhet ta çojmë sofrën, e cila i ka 7 gjellëra dhe ajo dy-tri ditë t’i merr. Diku rreth 50 sofra i kam përgatitur, në një sofër hanë 50 persona. Gjithmonë e kam pasur shtëpinë e mbushur dhe kam qenë e përgatitur”, ka treguar ajo në një intervistë për AkademiPune.

Ideja për ta hapur gjellëtoren: Fillimisht nuk i tregova askujt

Nasibe Bukleta shpjegon se si i erdhi ideja për të hapur gjellëtoren e saj pasi që e kishte parë se jepej me qira një lokal afër çajtores që e kishte hapur ajo në lokalin e trashëguar nga babai.

“Një ditë duke kaluar këtu e pash njoftimin “Dugoja me qira”, kur e pash u ngjita lart dhe i pyeta pronaret dhe më pyeten se çfarë po të duhet pasi që e ke dyqanin dhe çajtoren, thash “Le të rri qaty””, ka treguar mes të qeshurave ajo për AkademiPune.

Pas suksesit që kishte me çajtoren, ajo nuk u ndal. Donte të shkonte më tej, andaj dhe ia doli.

“Pastaj mendova se si ta hap një restorant. Para tri vjetëve e kam hapur një çajtore vetëm për gratë dhe murr jehonë edhe ajo. Fëmijët më kritikonin se si po punon në këtë moshë. Kam punuar gjithmonë, kam pasur para shumë, por që nga lufta u dasht gjithçka ta fillojmë nga fillimi”

Për këtë vendim nuk e kishte pyetur as nuk ishte këshilluar me dikë. Thotë se për të ky është çelësi i suksesit.

“Çfarë kam treguar, kam dështuar dhe çfarë nuk kam treguar kam përparuar”, shprehet ajo.

Interesimi është veçmas është rritur gjatë verës kur Nasibe Bukleta priti shumë mysafirë dhe nga diaspora. Ajo tregon për gjellërat që kërkohen më së shumti në lokalin e saj.

“Mbreti i gjellërave është “qebapi”, më së shumti më kërkojnë gullash dhe unë e bëra edhe një paqë me qofte, që është kërkuar, speca dollma, musakë dhe sarma”, shprehet ajo.

Meraku që ka për përgatitjen e ushqimit është arsyeja kryesore që ushqimet e saj pëlqehen aq shumë nga frekuentuesit e gjellëtores dhe që ishin pëlqyer po ashtu aq shumë gjithmonë dhe nga familjarët.

“Sekreti janë këto duar. Vetëm pak ta ketë kripën, sheqerin ose mëlmesa mangi, unë e dalloj. Unë sekret nuk kam, i punoj me pasion, me merak. Të freskëta, mishi çdo ditë më vjen i freskët, mazën e bëj vetë kur nuk kam, nuk kursej, nëse duhet gjysmë kg, unë një ia vendosi. I kushtoj rëndësi edhe pastërtisë së mjeteve që i përdori”, ka shpjeguar tutje ajo.

Ajo shpesh zhvendoset tërësisht në lokalin e saj, ku edhe ka një dhomë të ndarë e shtrat për të fjetur. Në këtë mënyrë ajo mund ta realizojë kurdo çdo ide që i vije në mendje.

“Ndihem shumë rehat këtu. Dua të fle këtu, nëse më bie në mend diçka zgjohem dhe filloj ta përgatis brumin. Në televizion s’po ka asgjë, vetëm politikë” , ka thënë ajo.

Sipas saj puna i mposhtë të gjitha të këqijat. Si një 75-vjeçare që zgjohet në ora 4 dhe ka një ditë dinamike të punës ajo ka këtë mesazh.

“Kur e ke guximin dhe besimin në veti, përkushtohu në punën. Mesazhi im: pa punë nuk ka asgjë, pa punë vijnë të gjitha të këqijat. Unë i bëra 75 vjet, por kurrë nuk kam nejtur. Çdo ditë zgjohem në ora 4”, përfundoi ajo./ AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2026 - KosovaJob LLC