Rrugëtimi i aktivistes dhe regjisores së njohur Zana Hoxha

7 Mars '20

Rrugëtimi i aktivistes dhe regjisores së njohur Zana Hoxha
	 	 

Jeta është një rrugëtim i bukur drejt një ëndrre që synon ta kapësh. Ky rrugëtim ndonëse ka sfida që duket sikur nuk do të mbarojnë kurrë, në vete ngërthen ambicie, punë dhe rezultate në fund.

E lidhur ngushtë me artin dhe kulturën, e rritur në një familje ku filmi, letërsia dhe kultura në përgjithësi kanë luajtur rol në formësimin e saj intelektual, ajo është përballur edhe me sfida qysh në moshën e adoleshencës. Pikërisht atë kohë, lufta kishte pezulluar pothuajse gjithë jetën në Kosovë.

Është kjo Zana Hoxha, regjisore profesionale e teatrit dhe drejtuese e OJQ-së së quajtur Artpolis, organizatë e cila promovon artin dhe diversitetin nëpërmjet dialogut shoqëror dhe ndërtimit të komunitetit. Është Zana, storja dhe suksesi i së cilës do t’ua mundësojnë ta shikoni jetën dhe punën nga kënde të ndryshme.

Zana Hoxha

Qysh në klasën e 4-të ose të 5-të, e mendoja se si do të mund t’i realizoja filmat më ndryshe, më pëlqente një stil i caktuar, një film i caktuar, në përgjithësi kinematografia evropiane. Ishte vëllai im ai që më tha se unë do të bëhesha regjisore dhe qysh atëherë më pëlqeu përcaktimi që ai ma dha”, rrëfen fillimisht Zana Hoxha.

Ndonëse shkollën po e përfundonte në një kohë të pakohë, gjatë luftës në Kosovë, atëherë kur bombardimet e NATOS dëgjoheshin gjithandej Kosovës, Zana ishte ende nxënësja e dalluar e shkollës. Ajo filloi të punonte me organizata ndërkombëtare qysh në moshën e adoleshencës. Duke marrë leje nga arsimtarët, asaj iu mundësua të punonte por edhe të vazhdonte vitin e fundit të shkollës së mesme.

Gjatë asaj periudhe, Zana punonte si përkthyese në organizata të huaja, kryesisht me ato që merreshin me shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë luftës në Kosovë. Duke përkthyer historitë e të mbijetuarve, ajo qysh në moshën 17 vjeçare u njoh nga afër me mizoritë dhe format e ndryshme të dhunës që ushtrohej gjatë luftës në Kosovë.

Edhe pse isha vetëm 17 vjeç, fillova të jem shumë më e vetëdijshme rreth asaj që kishte ndodhur, isha vetë dëshmitare e ndodhive. Familja ime nuk lëvizi nga Gjakova, mirëpo puna që bëja atëherë ma impontonte të shkoja nëpër fshatra e vende të ndryshme të Kosovës dhe unë kështu u njoftova me rrëfimet e tmerrshme të dhunës në Kosovë

Ndonëse thellë brenda vetes, ëndërr kishte të bëhej regjisore dhe t’i realizonte një ditë të gjitha ato storje që kishte në kokën e saj, Zanën e shoqëruan edhe mëdyshje se cili do të ishte profesioni i duhur për të. Ajo tregon se nëna e saj ishte një shtysë e madhe në jetë dhe atëbotë edhe ajo po e këshillonte të studionte për regji, dhe se ndjeu një gëzim kur edhe vëllai i saj e kontaktoi në telefon dhe iu drejtua me fjalët “Ku je regjisorja e ardhshme e Kosovës? Aty thashë, po po i kthehem ëndrrës sime"

Zana Viti që punoi me organizata ndërkombëtare, Zanës i ndikoi po ashtu shumë pozitivisht në profesionalizmin e saj në fushën e regjisë. Gjithsesi, gjatë intervistës me AkademiPune, ajo tha se nuk e konsideron veten vetëm si artiste apo aktiviste.

Unë nuk mund të them kurrë që jam vetëm artiste ose vetëm aktiviste. Prej vitit 2000 e deri sot, unë e kam krijuar identitetin e një gruaje e cila është pikërisht një artiste që i adreson të drejtat e njeriut përmes artit, në të njejten kohë në art gjithmonë jam e vetëdijshme që të kem parasysh edhe të drejtat e artistëve, të punëtorëve, për të krijuar një ambient më të mirë dhe profesional”

Përparësitë si grua në shoqëri

Një dëshirë tjetër e Zana Hoxhës, gjithmonë ka qenë edhe ngritja e çështjeve që ndërlidhen me gratë. E grave në Kosovë shpeshherë iu duhet të kalojnë sfida të shumta për t’i arritur ëndrrat.  Mirëpo, për vete ajo tregon se kur nisi punën me organizatën Artpolis, si grua pati më shumë përparësi sesa vështirësi. 

Kam pasur një bashkëpunim dhe një përkrahje të madhe të Rrjetit të Grave të Kosovës, në veçanti zonjës Igballe Rugova dhe një përkrahje të aktivisteve vendore dhe të huaja, një përkrahje gjithashtu edhe prej artisteve tona, të cilat kishin nevojë për një ambient, për mundësi të krijimit të përbashkët si artiste në një hapësirë të sigurtë, ku jo domosdoshmërisht si artiste duhet të jesh objekt i seksit ose në shërbim të shfaqjeve, filmave, veprave ku burrat do të udhëheqin dhe e kanë një mënyrë se si menaxhojnë gjërat në skenë dhe në art

Themelimin e organizatës Artpolis, Zana thotë se e pa si nevojë por ishte edhe diçka që lidhej me identitetin e saj feminist. Sot, ajo thekson se është e lumtur që organizata nuk identifikohet vetëm me të, por identifikohet me punën që bëhet aty dhe me aktivizmin. “Në fillim kanë thënë: organizata e Zanës, e tash nuk thonë kështu dhe unë jam e lumtur për këtë”, thotë gjatë intervistës Zana.

Sfidat gjatë rrugëtimit në karrierë

Në rrugëtimin e saj nuk munguan edhe shumë sfida, e të cilat ajo thotë se ishin më shumë në rrafshin personal. Duke qenë person shumë familjar, sfidat më të mëdha për të ishin atëherë kur dikush i afërm kishte probleme shëndetësore, e që asaj i është dashur të punonte edhe kur ishte gati e pamundur.

Balanca mes jetës private dhe profesionale ka qenë po ashtu një sfidë e vështirë, mirëpo Zana thotë se gjithmonë e kishte ditur se në cilat vlera bazohet kur punon dhe kurrë nuk e ka përdorur punën si justifikim për të qenë person negativ. Sfidë për të sot, është të shohesh se si dominon një sistem ku shumë njerëz shkelin vlerat e personave të tjerë për të ndërtuar karrierën e tyre.

zhNdonëse u bë nënë në moshë të re dhe obligimet e përgjegjësitë veç sa iu shtuan, ajo për vite me radhë kishte qenë edhe mbështetësja kryesore e familjes. 

 “Kur je nanë, prioriteti kryesor janë fëmijët dhe koha që e kalon me ta. Jeta që unë ua jap fëmijëve të mi nuk është vetëm në shtëpi, është e tillë që unë i marr me vete në trajnime, festivale, në shfaqje. Vajzat e mija kanë qenë vullnetare në FemArt kur skanë pasur mësim ose pasdite, pra unë jam munduar të krijoj një lloj identiteti timin si nanë, jashtë pritjeve që i ka shoqëria ose jashtë asaj se si shoqëria pret që të sillem si nanë

Kësisoj, Artpolisin tregon se e krijoi me shumë mund, duke u munduar të jetë aty edhe për familjen por edhe ta jetësojë ëndrrën e saj. “Në momentin që i kam vënë fëmijët në gjumë, kam punuar gjatë natës, që të vazhdoj ta ndjekë ëndrrën që e kam pasur për ta krijuar Artpolisin në nivelin që është tani dhe sot kemi arritur në një pikë që Artpolisin e bëjnë shumë kolege të mijat të cilat janë shumë të zonjat, shumë të përgjegjshme, i bëjnë punët me dashuri dhe pasion dhe mbi të gjitha e dinë se çka bëjnë”

Sot, Zana thotë se organizata Artpolis është në një nivel shumë të mirë dhe ka kapacitete të mjaftueshme, si dhe shpreson që kur të largohet nga organizata, ta lë atë në një pozitë shumë të mirë, që personat që vijnë ta udhëheqin dhe ngrisin edhe më tej.

Çka e bën Zana Hoxhën të suksesshme në punën e saj?

Rezistenca, inspirimi dhe krijimi janë disa veti që Zana thotë se e kanë bërë të suksesshme ndër vite, e të cilat i ka pasur edhe si moto në jetë.

Kur flet për rezistencën, ajo thotë se gjithçka që ndodhë në jetë, të mirat, të këqijat, duhet të shfrytëzohen për të na bërë njerëz më të qëndrueshëm. Duhet të shfrytëzohet gjithçka që të rritet një rezistencë brenda njeriut, që ai të jetë më i fortë për sfidat që mund të vijnë.

Edhe kur kam pasur momente të vështira, edhe kur ka qenë jo e lehtë, gjithmonë kam menduar se çkado që bëj në jetë duhet ta bëj me dinjitet dhe të mos e humbas dinjitetin, pra çfarëdo zgjedhje që më është ofruar, e kam pyetur veten çka nëse e bëj këtë zgjedhje? A e humbas dinjitetin tim? Ose a do të ndikojë kjo që unë të jem më dinjitoze ne jetë? Të gjitha këto pyetje më kanë ndihmuar të marrë vendime të mira në jetë”

Zana HoxhaNjë prej arsyeve pse Zana preferon të udhëtojë shumë është inspirimi. Ajo thotë se kërkon inspirim kudo, qoftë në vendet e suksesshme, qoftë në ato që kanë vuajtur shumë, tek njerëzit që nuk i ka njohur më herët por edhe tek ata që i njeh me vite të tëra. Mirëpo, edhe ajo vetë mundohet të jetë inspirim për të tjerët, me mënyrën se si jeton, se si punon, por gjithmonë duke qenë autentike. “Edhe pse mund të ketë keqkuptime, paragjykime, kjo jam unë dhe kështu kam vendosur ta jetoj jetën time, pavarësisht se si më shohin të tjerët

Si veti të fundit, ajo përmend krijimin, thotë se ka një nevojë të vazhdueshme për të krijuar diçka dhe se krijon me shumë dëshirë e pasion. “Krijimi më ka mundësuar që ta zhvilloj veten, identitetin tim dhe të ndërtoj lidhje të tilla me njerëz që vetëm proceset krijuese t’i mundësojnë, pra jo domosdoshmërisht vetëm arti, por proceset krijuese edhe të ndonjë trajnimi, punëtorie, ligjerate ku ti thjeshtë ofron hapësirë, mundësi për mendim të përbashkët, një atmosferë më të mirë, një dëshirë për ta bërë këtë vend më të mirë dhe natyrisht krejt dëshira dhe pasioni im ka qenë që të gjitha këto vlera që i përmenda t’i zbatoj këtu, jo jashtë Kosovës”

Kush janë njerëzit model për Zanën?

Shumë njerëz, kanë persona të tjerë të cilët u shërbejnë si udhërrëfyes të jetës, për t’i arritur caqet që i vënë vetes. Si shembull i parë në jetë për Zana Hoxhën ka qenë gjyshja e saj, një grua humaniste dhe e cila siç e përshkruan Zana ka pasur një identitet shumë të veçantë sepse në një periudhë kur jetesa është shoqëruar me shumë paragjykime, ajo ju ka dalë në ndihmë nevojtarëve e mbi të gjitha u ka dhënë zemër grave të asaj kohe. “Unë jam rritur me njëfarë iluzioni, njëfarë dëshire që të bëhem si gjyshja, e cila iu ka dalë kundër te gjithëve vetëm për t’i mbrojtur të pafuqishmit

Një model tjetër për Zanën ka qenë edhe nëna e saj, një grua ambicioze e shumë punëtore dhe e cila i ka dhënë vazhdimisht mbështetje në jetë.

ZHE në adoleshencë ajo tregon se model e ka pasur Hilary Clinton, fjalët e të cilës kanë pasur ndikimin e vet tek Zana. Ndërkaq, karrierën e saj gjithmonë ka pasur dëshirë ta ndërtojë duke ecur në hapat e aktorit të njohur Istref Begollit,

Se kush më ka inspiruar prej burrave, kanë qenë gjyshi im, babai im dhe aktori i ndjerë Istref Begolli i cili ka pasur një sharm gati të një aristokrati në art dhe kam dashur ta ndërtoj karrierën time sikur ai. Ai e ka ndërtuar karrierën në Kosovë, ka pasur një reputacion, mënyra se si i ka zgjedhur veprat, ka qenë e ndërlidhur me vlerat dhe parimet e tij

Ajo nënvizon se model ka edhe gjithçka tjetër të mirë, gjithçka që asaj i ndihmon të jetë çdo ditë një person akoma më i mirë. 

Sa ka perspektivë për artistët e rinj në Kosovë?

Profesioni i artistit në Kosovë, nganjëherë ndeshet edhe në paragjykime të ndryshme. Zana si profesioniste në fushën e artit, thotë se artistët nuk duhet të ndalojnë së gjeturi zërin e tyre dhe t’i kërkojnë mundësitë për të punuar me artistë nga vende të ndryshme të botës.

Ajo shton se perspektiva varet se si shikohet, ndërsa në Kosovë për dallim nga disa vende të tjera të botës, nëse je artist dhe e kërkon një mundësi për ta provuar veten, shumica e njerëzve do të ta japin atë shancë.

E si artist, Zana thotë se ekziston mundësia edhe për të krijuar gjëra të reja të cilat janë falas dhe për të dëshmuar se je person që të tjerët mund të besojnë edhe financiarisht tek ty.

Ajo shton se përmes Artpolis, organizatës të cilën ajo drejton, kanë krijuar mundësi te shumta për artistët e rinj, në mënyrë që ata të krijojnë identitet, të mësojnë, të zhvillohen dhe të bëhen të dukshëm, e të cilët me kalimin e kohës janë bërë individë që e kanë ditur se çka duan në jete.

Jam shumë krenare që në karrierën time kam qenë pjesë e zhvillimit të potencialit të artistëve të rinj dhe krijimit të hapësirave e mundësive

Një këshillë për të rinjtë

Për ta gjetur veten më së miri në karrierë, Zana thotë se njeriu duhet të kërkojë punën dhe kjo nuk do të thotë se duhet të ndodhë vetëm me dërgimin e CV-së apo materialeve të ndryshme për aplikim. Ajo ka një sugjerim më ndryshe për të rinjtë në Kosovë.

Është shumë e rëndësishme të trokisni në derën e dikujt edhe t’ju tregoni se dëshironi të bëheni pjesë e stafit. Shkoni, kërkoni mundësitë, dikush mund t’ua mbyllë derën por gjithmonë do të jetë dikush tjetër që e hapë atë për ju. Bëhuni fleksibilë, punëtorë, shfrytëzoni gjitha talentët që keni për me e mbajtë punën, është shumë e rëndësishme me ra në sy të mirë, bëjëni një punë që e keni pasion ose ndjeheni mirë, një punë që përputhet me vlerat e juaja, nëse vlerat tuaja janë ndryshe nga ajo që bëni, lëjeni atë punë”

regjisore zanaGjersa këshillon të rinjtë, ajo tregon edhe se si 70 përqind e stafit në organizatën Artpolis, janë bërë pjesë e organizatës pa ndonjë konkurs, pra kanë kërkuar të jenë vetë pjesë sepse pritshmëritë e organizatës nuk kanë qenë që të kenë staf 100 përqind të gatshëm.

Ajo thotë se puna e ndërton njeriun shumë, se gjatë viteve të kaluara ka mësuar shumë në punën e saj, ka arritur t’i zhvillojë kapacitetet e brendshme të saja duke mësuar fusha të ndryshme, qoftë në shkrim, përkthim, etj.

Hoxha Zana

"Kam mësuar edhe në momentet kur më është dashur vetëm të ulëm në një tavolinë dhe të dëgjoj të tjerët, dhe të gjitha këto me kanë dhënë mundësinë të jem kjo që jam sot, pra karriera e ëndrrave nuk arrihet shpejt, ajo ndërtohet dhe duhet kohë që të mësosh, të zhvillohesh dhe të jesh aty ku dëshiron të jesh

Një këshillë tjetër që Zana ua jep të rinjve, është të jenë mirënjohës për të gjithë njerëzit e mirë që ua kanë dhënë mundësitë të zhvillojnë kapacitetet e tyre , si dhe të mos i abuzojnë ato mundësi.

Të rinjtë vetëm të mos heqin dorë, të kërkojnë mundësi dhe nëse dikush e lexon këtë intervistë dhe mendon që unë mund t’i ndihmoj diçka, të më shkruajë dhe unë do t’i përgjigjem”, përfundon regjisorja e njohur Zana Hoxha.

Zana ka drejtuar rreth 20 performanca teatrale të cilat kanë qenë të prodhuara dhe prezentuara në teatret më të mëdha në Kosovë. /AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2022 - KosovaJob LLC