Qysh si fëmijë kishte pasion për të qëndruar pranë mikrofonit dhe me zërin e saj të përcillte mesazhe të shumta. Për të, radio ishte dashuri në interaksionin e parë me të, dhe pse ndanë mbi dy dekada pune me të, çdo ditë i sjell adrenalinë të re. Është kjo Emina Hyseni-Shala - Menaxhere ne RADIO KFOR Shqip dhe RADIO KFOR Srpski . Në një intervistë për AkademiPune, sot, në Ditën e Radios, ajo e përshkruan radion si magjinë që lidh botë të ndryshme përmes valëve të zërit. Të kuptojmë më shumë për të në këtë intervistë.
AkademiPune: Si nisi rrugëtimi juaj me radion, si e kujtoni përvojën e parë pranë mikrofonit. A ishte radio për ty ‘dashuri në shikim të parë’ meqë i keni qëndruar besnike tash e sa vjet?
Emina Hyseni Shala: Rrugëtimi im me radion filloi si një histori e cila kishte zënë fill që në fëmijëri. Që e vogël ëndërroja të bëhesha këngëtare, të qëndroja pranë mikrofonit dhe të ndaja me të tjerët emocionet që vetëm muzika mund t'i përcjellë. Por, ndërsa koha kalonte, rruga ime u drejtua nga një tjetër mikrofon - ai i radios. Përvoja ime e parë pranë mikrofonit ishte një përzierje emocionesh, qysh në momentin e parë ndjeva një lidhje të fortë dhe të menjëhershme me atë botë. Në një farë mënyre, ishte ‘dashuri në shikim të parë’. Duke i qëndruar besnike këtij profesioni tash e sa vjet, e kuptoj se gjithçka ndodhi për një arsye. Radioja është vendi ku zëri im merr kuptim dhe ku ndjej se po jap diçka me vlerë për dëgjuesit. Ky profesion më përmbush jashtëzakonisht shumë.
AkademiPune: Si është një ditë pune në radio për juve, sa ka ndryshuar rutina juaj përgjatë gjithë vjetëve në radio?
Emina Hyseni Shala: Një ditë pune në radio për mua është gjithmonë dinamike dhe e mbushur me energji. Çdo sekondë sjell diçka të re, duke bërë që asnjë moment të mos jetë i mërzitshëm. Rutinat në radio mund të kenë ndryshuar përgjatë viteve, por një gjë ka mbetur e njëjtë: emocionet dhe adrenalina që vijnë me këtë punë. Çdo ditë, njoftohem me njerëz të rinj, qofshin ata dëgjues besnikë që ndajnë histori të tyre apo mysafirë të shumtë që vijnë në radio për të diskutuar tema të ndryshme. Ky interaksion me njerëz të rinj dhe ngjarje të ndryshme më mban të motivuar dhe të përmbushur. Puna në radio është një aventurë që ndryshon çdo ditë, dhe kjo është ajo që e bën kaq të veçantë për mua.
AkademiPune: Sot në Ditën e Radios, si do ta përshkruani radion në pak fjalë dhe rrugëtimin tuaj?
Emina Hyseni Shala: Sot, në Ditën e Radios, do ta përshkruaja radion si magjinë që lidh botë të ndryshme përmes valëve të zërit. Për mua, ky rrugëtim është një aventurë e jashtëzakonshme, plot pasion dhe emocion. Radioja është vendi ku zëri im ka gjetur shtëpinë e tij dhe ku çdo ditë më sjell kënaqësi të reja. Ajo është dashuria ime e përjetshme dhe platforma ku ndjej se mund të bëj një ndryshim të vogël në jetën e njerëzve, një fjalë e bukur pas mikrofoni. Radioja është urë lidhëse mes zemrave tona, një vend ku ndahen histori, emocione dhe momente që na bashkojnë të gjithëve.
AkademiPune: Ju tashmë keni pozitën e menaxheres në këtë radio, jeni pak më larg mikrofonit, por përseri në mision për t’iu servuar përmbajtjen e duhur dëgjuesve. A ju mungon komunikimi i përditshëm me dëgjuesit?
Emina Hyseni Shala: Kam shumë nostalgji për komunikimin e përditshëm me dëgjuesit, pasi ata janë zemra e asaj që bëjmë dhe ata që vlerësojnë jashtëzakonisht shumë punën tonë si moderatorë. Është një ndjenjë që më mungon shumë. Por, nga ana tjetër, jam jashtëzakonisht krenare që tash e disa vite menaxhoj dy radio stacione të KFOR-it. Edhe pas 25 vitesh pune, mbetemi zëri i fuqishëm i paqes dhe tolerancës në Kosovë dhe kjo më jep një ndjenjë të thellë përmbushjeje dhe përgjegjësie.
AkademiPune: Cila ka qenë përvoja juaj më e mirë me dëgjuesit që e keni pasur deri më tani a keni pasur edhe ndonjë të hidhur që ju ka ngelur në kujtesë?
Emina Hyseni Shala: Të gjitha përvojat që kam pasur me dëgjuesit janë të veçanta dhe kanë një vend të rëndësishëm në zemrën time. Përmes radios, ne lidhemi ngushtë me njëri-tjetrin, zgjohemi së bashku në mëngjes dhe e përfundojmë ditën bashkë. Megjithatë, do të veçoja momentet kur përmes radios, kemi arritur të ndihmojmë dikë në mënyra të ndryshme – qoftë duke ndihmuar për të gjetur punë apo për të adresuar nevoja të tjera jetësore. Këto janë momentet që më kujtojnë fuqinë dhe rëndësinë e vërtetë të radios në komunitet.
AkademiPune: Ju jeni pjesë e një misioni paqeruajtës, po ashtu misioni është të krijoni edhe marrëdhënie të mira ndëretnike, ku edhe punoni në një mjedis me nacionalitete të ndryshme. Sa e ka përmbushur kjo punën tuaj në radio?
Emina Hyseni Shala: Radio KFOR-i tashmë për 25 vite transmeton porosi për paqe, bashkëjetesë ndëretnike, dhe tolerancë. Kjo është gjëja më e bukur e punës sonë dhe arsyeja pse e bëj këtë punë me kaq shumë pasion. Për mua, që tash e 25 vite punoj në këtë radio, e konsideroj veten si kontribuese e paqes në këtë mision. Ky angazhim më përmbush jashtëzakonisht shumë, sepse di që puna jonë ka një ndikim të madh në krijimin e marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe promovimin e paqes në Kosovë. Stafi ynë përbëhet nga shqiptarë dhe serbë, të cilët bashkëpunojnë jashtëzakonisht mirë. Ne të gjithë në staf jemi shembuj të paqes, tolerancës dhe bashkëjetesës dhe kjo harmoni ndëretnike brenda ekipit tonë reflekton vlerat që promovojmë çdo ditë përmes valëve tona – paqe, tolerancë dhe bashkëjetesë. Kjo është ajo që e bën radion tonë kaq të veçantë dhe me një ndikim të vërtetë në komunitetin ku shërbejmë.
AkademiPune: Cila është këshilla juaj për ata që duan të punojnë në radio, cilat kritere duhet t’i përmbushin?
Këshilla ime për ata që duan të punojnë në radio është që, mbi të gjitha, të kenë pasion dhe dashuri për këtë profesion. Radioja kërkon përkushtim dhe energji, dhe vetëm ata që e duan me të vërtetë këtë punë mund të përballojnë sfidat dhe të shijojnë çdo moment të saj. Përveç kësaj, është e domosdoshme që të respektojnë etikën e gazetarisë, duke qenë të ndershëm, të drejtë dhe profesionalë në çdo situatë. Qëllimi kryesor duhet të jetë informimi dhe argëtimi i dëgjuesve në mënyrën më të saktë dhe më të mirë të mundshme. Kur këto kritere përmbushen, puna në radio bëhet një përvojë e mrekullueshme dhe me ndikim të madh.
AkademiPune: Dhe për fund, jo vetëm për ju që punoni në radio, por për të gjithë si e shihni rëndësinë e radios në jetën e secilit?
Emina Hyseni Shala: Radioja ka një rëndësi të jashtëzakonshme në jetën e secilit prej nesh. Radio është një burim i pandërprerë informacioni, argëtimi, dhe edukimi që na shoqëron në çdo hap të ditës. Për dëgjuesit, radioja është një shoqërues i përhershëm, një dritare në botën përreth dhe një mënyrë për t'u ndier të lidhur me komunitetin. Në kohë sfidash dhe gëzimesh, radioja mbetet një urë që lidh njerëzit dhe një zë që flet për të gjithë ne.
AkademiPune: Nëse keni dhe një mesazh për të gjithë lexuesit tanë!
Emina Hyseni Shala: Kemi kaluar 25 vite të bukura duke ndarë historitë dhe përvojat tona me ju, dhe çdo transmetim është një mundësi për të ndarë emocionet dhe për të krijuar lidhje të veçanta. Faleminderit që na keni mbështetur dhe se jeni pjesë e këtij udhëtimi të mrekullueshëm. Le të vazhdojmë të krijojmë kujtime të paharrueshme dhe të ndihmojmë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë së bashku. Vazhdoni me dëgju radion e paqes - Radio K4! / AkademiPune