Shkollat profesionale apo fakultetet, cilat përgatisin më shumë për treg të punës?

4 Mars '20

Shkollat profesionale apo fakultetet, cilat përgatisin më shumë për treg të punës?
	 	 

Edukimi dhe aftësitë që përfitojmë gjatë shkollimit tonë kanë rëndësi të madhe, e sidomos kur aftësitë e përfituara duhet të aplikohen në treg të punës. Kësisoj, duhet të mendojmë mirë para se të zgjedhim profesionin dhe rrugën e zhvillimit të karrierës, që të kemi qasje të lehtë dhe të shpejtë në tregun e punës.

Sipas një raporti të Bankës Botërore, të rinjve në Kosovë u duhen rreth 10 vjet për të kaluar nga shkolla në punë, përderisa në Maqedoni kjo periudhë shkon prej 4 deri në 5 vjet, ndërsa në vendet e zhvilluara rreth 1.4 vjet.

Për të kuptuar më shumë pse është kjo situatë në Kosovë, Akademi Pune ka realizuar një intervistë me Valbona Rracin, zyrtare e lartë dhe eksperte për tregun e punës dhe orientimin për karrierë në projektin “Rritja e Punësimit për të Rinj (EYE) i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Ajo ka folur më shumë rreth përgatitjes së të rinjve për treg të punës dhe nëse shkollat profesionale apo fakultetet kontribuojnë më shumë për të kapërcyer hendekun në mes arsimit dhe tregut konkurrues të punës që aktualisht është sfida kryesore e ditës në Kosovë.

Gjatë intervistës, ajo theksoi se përderisa në të kaluarën, termi profesion ose punë janë përdorur kryesisht në orientimin profesional, sot, për arsye të ndryshimeve të shpejta në tregun e punës, kjo nuk është më e mundur.

Termi profesion tashmë është zëvendësuar me termin karrierë për shkak se dinamika e punës është e shpejtë dhe kërkon përshtatje të shpejtë në tregun e punës me shkathtësitë që i posedon. Prandaj është shumë e rëndësishme që përcaktimet për karrierë të jenë të qarta. Të ndihmuarit e të rinjve që të bëjnë zgjedhje të mira për profesionin dhe jetën e tyre ka bërë që orientimi për karrierë të jetë thelbësor në shoqëritë e dijes, e posaqerisht në ekonomitë në zhvillim sikurse është rasti në Kosovë”. 

Valbona Raci

Znj. Rraci theksoi se të rinjtë duhet të jenë të vendosur mbi zgjedhjen e profesionit, që gjithashtu eshte e lidhur me planet e tyre të karrierës nëse dëshirojnë të punësohen pas përfundimit të arsimit të mesëm apo të studiojnë.

Zgjedhja e arsimit të mesëm profesional krahasuar me arsimin e mesëm të përgjithshëm (gjimnazet) lehtëson shumë më tepër përcaktimin për rrugën e ardhshme të karrierës. Ajo tregoi për kohën kur kishte përfunduar shkollën e mesme të elektroteknikës në vitet 78-79, si dhe vazhdimin e studimeve inxhinierike në fakultetin e elektroteknikës. Në atë kohë, ajo tha se nuk kishte paragjykime, nuk bëheshin dallime në mes të gjimnazit dhe shkollës së mesme profesionale, që do të thotë se imazhi i tyre ishte i njëjtë.

Sa i përket dallimeve ndërmjet shkollave profesionale dhe universiteteve/kolegjeve, znj. Rraci potencoi se programet e arsimit universitar zhvillojnë arsimim akademik dhe fusha të tjera të veprimtarive akademike (kërkime shkencore, krijimtari artistike, këshillime profesionale, etj.). Ndërsa programet shkollore profesionale kryesisht zhvillojnë kompetenca, njohuri dhe shkathtësi të transferueshme që janë të nevojshme në tregun e punës. Sot profesionet konkurruese janë në rritje dhe individët zgjedhin arsimin e tyre në bazë të kthimit në investime. Shkalla e kthimit (e pritur) që zakonisht përcaktohet në formën e pagës, orienton investimet e individëve në shkathtësitë e tyre.

Qendra Evropiane për Zhvillimin e Aftësimit Profesional (CEDEFOP) ka gjeneruar prova të reja empirike për të nxjerrë në pah rolin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional në prodhimin e përfitimeve më të gjera: rritjen ekonomike, përfshirjen sociale të grupeve të pafavorizuara dhe një shoqëri më kohezive dhe të përgjegjshme, si dhe sigurimin e punësimit dhe stabilitetin e të ardhurave.

Më tutje, znj. Rraci na dha një rast konkret nga përvoja e saj personale që kishte në moshën 25 vjeçare, ku kishte shkuar në specializim në Zvicër për programim të makinave CNC. Ajo tregoi se gjatë vizitës që kishte bërë në fabrikën “George Fischer” të gjithë të punësuarit ishin me shkollë profesionale në një fabrikë që kishte mbi 1000 punëtorë. Vetëm një person i cili merrej me zhvillimin e produkteve të reja, ishte me fakultet inxhinierie.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), numri i nxënësve që mësojnë në shkolla profesionale është zvogëluar. Znj. Rraci na tregoi disa nga arsyet e rënies së këtij numri.

“Ne kemi themeluar qendra të karrierës në 9 shkolla profesionale dhe përmes këtyre qendrave po i përcjellim trendet se si po shkon numri i nxënësve, a po rritet ose zvogëlohet regjistrimi në shkollat profesionale. Mendoj se ka shumë arsye sa i përket rënies së numrit të nxënësve, posaçërisht në dy vitet e fundit arsyeja primare është migrimi i familjeve, që ka ndikuar shumë në këtë drejtim. Sipas statistikave këtë vit numri i nxënësve të klasëve të 9-ta ka rënë përafërsisht për 10.000 në vendin tonë. Kjo automatikisht reflekton në numrin e të regjistruarve në shkolla të mesme. Nëse marrim parasysh gjithashtu që politikat në nivelin lokal më tepër synojnë ta mbajnë kuotën e njëjtë nëpër gjimnaze (me përjashtime të vogla), atëherë ky minus i nxënësve të klasëve të 9-ta drejtëpërdrejtë shkon në disfavor të shkollave profesionale".

3Ajo po ashtu theksoi edhe rolin e prindërve, të cilët sipas saj duhet të komunikojnë më shumë me fëmijët e tyre dhe t’i njohin interesat që ata kanë. Sipas saj, prindërit nuk duhet të vendosin për profesionin e fëmijëve të tyre, por vetëm t’ia lehtësojnë vendimmarrjen për zgjedhjen e profesionit.

Si arsye tjetër mjaft me rëndësi, znj. Rraci përmendi se duhet të ketë bashkëpunim më të mirëfilltë në mes sektorit privat dhe shkollave profesionale. Ajo tha se domosdoshmërisht nevojitet një dialog më i afërt i sektorit privat me shkollat profesionale, ashtu që këto shkolla të krijojnë dhe të kualifikojnë të rinjtë për profile që i kërkon tregu i punës.

Çka nënkupton sistemi dual (i dyfishtë) dhe cila është rëndësia e tij në shkollat profesionale?

Arsimi dhe aftësimi profesional i dyfishtë u ofron të rinjve një mundësi për të hyrë në punë të aftësuar dhe për të marrë përgjegjësinë për jetën e tyre, dhe ky sistem është sekreti i sukseseve në shumë vende të zhvilluara. Ky sistem dallon për shkak se të mësuarit zhvillohet në dy vende, në kompani dhe në shkollë. Një sistem i tillë lehtëson gjithashtu kalimin nga mësimi në punësim dhe i përgjigjet nevojave të aftësive të tregut të punës. 

Sa i përket këtij sistemi, znj. Rraci tha se tashmë ky është edhe prioritet i Ministrisë së Arsimit që të integrohet brenda sistemit të arsimit profesional.

“Sistemi dual apo të mësuarit në vendin e punës që po pilotohet kohëve të fundit në Kosovë, dukshëm ka  përafruar ofertën nga shkollat profesionale dhe kërkesën nga tregu i punës. Prandaj, sistemi dual është edhe prioritet i Ministrisë së Arsimit që të futet brenda sistemit të arsimit profesional”

Kush ofron më shumë mundësi punësimi, kolegjet private apo universitetet publike?

Numri i studentëve që studiojnë nëpër universitete publike ndër vite ka qenë i lartë. Mirëpo, ka edhe një numër të konsiderueshëm të studentëve që viteve të fundit kanë zgjedhur kolegjet private për studim.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2018-2019 numri i studentëve që janë pranuar në nivelin bachelor në kolegje private është 12.883, ndërkaq në universitete publike është numër më i vogël 11.718.

Lidhur me këtë temë, znj. Rraci tha se nuk do bënte ndarje në mes të kolegjeve private apo universiteteve publike, pasi që Ligji mbi Arsimin e Larte dhe standardet për akreditim të programeve universitare janë të njëjta si per institucionet publike, ashtu edhe ato private. Të gjitha kanë mandat t’i përgatisin shkathtësitë akademike të një individi. Mund të ketë dallime individuale në cilësi dhe performancë, në aktivitete jashtë-kurrikulare, si dhe mbështetjen e studentëve me shërbimet për zhvillim të karrierës siç është p.sh. ndërlidhja me tregun e punës.

universitete

Por nëse bëhet një krahasim mes universiteteve/kolegjeve apo shkollave profesionale dhe cilat ofrojnë më shumë mundësi punësimi, ajo nënvizoi se shkollat profesionale zhvillojnë kompetencat e kërkuara nga tregu i punës, kështu që edhe qasja në punësim është më e lehtë.

“Ta marrim si shembull fakultetin e ekonomisë. Të rinjtë në profilin e ekonomisë a i përgatitë më mirë fakulteti apo shkolla profesionale? Të jeni të bindur se shkolla profesinale i përgatitë më mirë për shkak se brenda kurrikulës i kanë orët e praktikës profesionale që ua mundësojnë atyre të familjarizohen me botën e punës, me ambientin e punës, me punën ekipore, si dhe me punën me njerëz. Ndërsa në Kosovë nuk është obligative me ligj që arsimi i lartë ta ketë praktikën profesionale brenda programit universitar (me perjashtime të vogla siç është p.sh. mjekësia)".

Përcaktimi i profesionit dhe roli i prindërve

Të rinjtë sot kanë më shumë zgjedhje për të ardhmen e tyre se kurrë më parë, por ka një numër faktorësh që afektojnë ata. Një treg i punës gjithnjë e më konkurrues, papunësia e lartë e të rinjve dhe rritja e investimeve të familjes për arsimimin e tyre ndikojnë në planet e një të riu, duke e bërë më të rëndësishme që ata të bëjnë zgjedhjet e duhura për arsimimin, trajnimin dhe punësimin e tyre.

Prindërit kanë një ndikim të madh në zhvillimin e karrierës së fëmijëve të tyre dhe kjo njihet si "orientim informal i karrierës". Disa prej tyre e mbështesin fëmijën e tyre përmes procesit të vendimmarrjes bazuar në përvojat e veta, ose në bazë të rekomandimeve të miqve dhe familjes, ose disa prej tyre përpiqen përmes fëmijëve të tyre t’i realizojnë aspiratat e tyre të karrierës që ata vetë nuk kanë arritur t’i arrijnë.

Shqetësimi kryesor është se prindërit nuk janë të informuar sa duhet rreth trendeve dhe kërkesave të tregut të punës, shtigjeve të mundshme për arsimim dhe karrierë, profilet e profesioneve të ndryshme, etj, ashtu që ata të jenë të vetëdijshëm për një zgjedhje të informuar të karrierës për fëmijët e tyre.

“Nuk është turp nëse një prind që e ka fëmijën në klasën e 9’të, të shkojë tek një shoqatë e bizneseve ose në odën ekonomike dhe të pyes se cilat prej profesioneve sot kërkohen më shumë në tregun e punës. Kjo nuk ndodhë askund në Kosovë” .

Në anën tjetër, përveç prindërve edhe mësimdhënësit luajnë një rol vendimtar në ndikimin e fëmijëve dhe të rinjve në zgjedhjen e një profesioni dhe edukimi të caktuar. Prandaj komunikimi dy-palësh shkollë-prindër është thelbësor për këtë proces të vendimmarrjes së nxënësve për karrierën e tyre.

Ministria e Arsimit ka zhvilluar Strategjinë e Komunikimit Shkollë-Prindër për Orientimin në Karrierë të Nxënësve të Arsimit te Mesëm të Ulët, që do të mundësojë kontaktin e rregullt të mësimdhënësve me prindërit përmes mekanizmave të qëndrueshëm të komunikimit dhe do të ngrisë ndërgjegjësimin e prindërve për zgjedhje të informuara të karrierës për fëmijët e tyre.

Znj. Rraci këshillon të rinjtë që të mendojnë mirë para se të vendosin për të ardhmen e tyre, si dhe të informohen saktë për shkollat apo fakultetet ku dëshirojnë të vazhdojnë arsimimin.

“Sot, fatkeqësisht ka shumë raste kur të rinjtë edhe pas përfundimit të shkollës së mesme nuk e dinë se në çfarë fakultete të shkojnë. Për shkak se ju mungon informacioni dhe nuk përcjellin informatat e duhura, ata shpesh regjistrohen në fakultete të cilat nuk i kanë të akredituara programet universitare”.

Si përfundim, ajo theksoi rëndësinë e shkathtësive të buta të cilat shkollat në Kosovë nuk i trajtojnë sa duhet. Tani ato nuk po quhen shkathtësi të buta por shkathtesi esenciale.

Ndër këto shkathtësi ajo përmendi shkathtësitë e hulumtimit, komunikimit, si dhe shkathtësitë analitike. Sipas saj, duke shfrytëzuar shkathtësitë e lartcekura, të rinjtë mund të bëjnë hulumtime të ndryshme, qoftë edhe përmes internetit, i cili sot është një burim i pashterrshëm informacionesh. /AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2022 - KosovaJob LLC