Egzon Gashi ishte gjashtë muajsh kur bashkë me familjen në fillim të 90-ve u zhvendosën në Amerikë. Gjatë kësaj dekade patën mundësi ta vizitojnë vetëm një herë Kosovën. Babai i tij, gazetari i njohur Sulejman Gashi u bë zë i Kosovës në SHBA dhe përtej kësaj kontribuoi edhe në forcimin e lidhjes mes SHBA dhe Kosovës, dhe në anën tjetër edhe në forcimin lidhjes së fëmijëve të tij me vendlindjen.
Pas luftës, vizitat e tyre në Kosovë si familje ishin të gjata. Egzoni me një pasion të madh për fushën e arsimit, student i universiteteve prestigjioze, Oxford dhe Johns Hopkins u kthye pas 26-vjetësh për të kontribuar në Kosovë me themelimin e organizatës “Teach for Kosovo”. Ka shumë histori suksesi në mes për Egzonin dhe akoma shumë punë për ta vendosur arsimin në binarët e duhur në Kosovë. Por, mbi të gjitha thotë se kontributi nuk duhet parë si një sakrificë, por si një shërbim ku edhe përfiton ndjeshëm.
AkademiPune: Keni emigruar në SHBA kur keni qenë vetëm gjashtë muaj. A na tregoni për rrethanat e largimit, integrimin e familjes atje dhe si ishte fëmijëria?
Egzon Gashi: Babai im, Sulejman Gashi, aplikoi dhe fitoi lotarinë për “Green Card” në vitin 1992. Në atë kohë, ai parashikoi luftërat në Ballkan dhe kishte frikë se e njëjta gjë do të ndodhte në Kosovë. Fillimisht, jetuam në Bronx, Neë York dhe më pas u zhvendosëm në Neë Jersey. Pas luftës në Kosovë, familja ime vizitonte çdo verë për 2-3 muaj ku unë zhvillova një lidhje të thellë personale me Kosovën.
AkademiPune: Përgjatë fëmijërisë dhe zhvillimit të mëtutjeshëm atje, si ka qenë lidhja juaj me Kosovën në anën tjetër?
Egzon Gashi: Ndërmjet viteve 1992 dhe luftës së Kosovës në 1999, e kemi vizituar Kosovën vetëm një herë për dasmën e Dajës tim. Babai nuk mund të bashkohej me ne sepse në atë kohë, puna e tij si gazetar që raportonte për Kosovën e bënte të pasigurt vizitën e tij. Pas luftës, familja ime kalonte çdo verë nga viti 2000 deri në 2010 duke vizituar Kosovën për të paktën dy muaj. Ndërsa kurrë nuk e planifikova që të jetoja dhe të punoja në Kosovë, besoj se ishte kjo periudhë që më bëri të zhvilloja një dëshirë për të kontribuar në zhvillimin e Kosovës.
AkademiPune: A mund të na shpjegoni më shumë për shkollimin tuaj atje? Ju më pas studimet i keni fokusuar në edukim në Johns Hopkins University. Pse e zgjodhët këtë rrugë të studimeve dhe cilat ishin shtyllat profesionale që i ndërtuat në të?
Egzon Gashi: Si fëmijë, prindërit e mi më thonin gjithmonë se një nga arsyet që erdhëm në Shtetet e Bashkuara ishte të kishim arsimim cilësor për mua, vëllaun e motrat. Gjithmonë e kam vlerësuar shumë arsimin dhe ndieja përgjegjësi për të përfituar nga mundësitë që kisha. Pas fakultetit, u bëra mësimdhënës përmes programit Teach For America në Shtetet e Bashkuara, ku kam ligjeruar lëndën e matematikës. Nuk ishte deri sa fillova mësimdhënien për herë të parë që zhvillova një pasion për edukimin. Kjo më çoi drejt përfundimit të një Masteri dhe tani një Doktoraturë në Johns Hopkins, të dyja në edukim. Në Johns Hopkins, jam përfshirë thellësisht në teori dhe politika të arsimit, dhe qëllimi im kryesor është të sjell atë që mësoj në Kosovë dhe të kontribuoj në zhvillimin e sistemit tonë arsimor.
AkademiPune: Në vitin 2018 vendoset të ktheheni në Kosovë ku themeluat organizatën “Teach for Kosovo”, me të cilën synoni të ndikoni në një sistem më të mirë dhe gjithëpërfshirës të edukimit në Kosovë. Si erdhi ky vendim pas 26 vjetësh qëndrimi atje dhe çfarë iu bindi që duhet të qëndroni në Kosovë?
Egzon Gashi: Pasi përfundova programin Teach For America, mësova për Teach For All – një organizatë globale që zgjeronte programin Teach For America në gjithë botën. Menjëherë mendova se do të ishte e shkëlqyer të zhvillohej kjo organizatë edhe në Kosovë. Ajo që më bindi të kthehesha ishte fakti se sistemi arsimor i Kosovës kishte nevojë për modernizim dhe se kisha një mundësi për të kontribuar në vendin që duhej ta lija 26 vjet më parë. Për më tepër, si fëmijë, babai gjithmonë na mësonte se shërbimi ndaj Kosovës ishte nderi dhe përgjegjësia më e madhe që mund të kishim.
AkademiPune: Cilat janë praktikat kryesore që ju me punën tuaj keni për qëllim t’i ngulitni në sistemin e arsimimit në Kosovë?
Egzon Gashi: Teach For Kosova është një organizatë dyvjeçare për zhvillimin e mësimdhënies dhe lidershipit. Organizata synon të gjejë liderët më të mirë të rinj të Kosovës dhe t'i përgatisë ata fillimisht të jenë mësimdhënës për dy vjet, dhe më vonë të jenë avokues të përhershëm për një sistem më të mirë arsimor në Kosovë. Programi ynë i trajnimit i njofton mësimdhënësit tanë me problemet sistematike në arsim, dhe i fuqizon ata fillimisht të kuptojnë dhe më vonë të zhvillojnë zgjidhje për të adresuar në mënyrë kolektive problemet tona arsimore. Koncepti kryesor i Teach For Kosova dhe Teach For All është lidershipi kolektiv. Përmes programit tonë, ne duam të zhvillojmë lidershipin kolektiv që nevojitet për të përmirësuar arsimin në Kosovë.
AkademiPune: Si mendoni që është gjendja e edukimit në vend, cilat janë pikat kyçe që ta përmirësojmë këtë segment të rëndësishëm të shoqërisë?
Egzon Gashi: Fatkeqësisht, besoj se situata aktuale e arsimit në Kosovë është alarmante. Rezultatet e provimit ndërkombëtar PISA na tregojnë se jemi një nga sistemet arsimore më të dobëta në botë – dhe që nga kur kemi filluar të marrim pjesë në provim, rezultatet tona janë përkeqësuar. Indikatorë të brendshëm si dëshira e të rinjve për të emigruar gjithashtu na tregojnë se sistemi ynë arsimor nuk ofron mundësitë që fëmijët tanë kanë nevojë dhe meritojnë.
Besoj se dy problemet më të mëdha janë politizimi i arsimit si dhe metodologjitë e vjetra të mësimdhënies. Në lidhje me politizimin, vendet e punës në sektorin publik në arsim shpesh nuk jepen bazuar në meritë, por për arsye të tjera. Për metodologjitë e mësimdhënies, nxënësit tanë kryesisht mësojnë përmes memorizimit, që do të thotë se mendimi kritik dhe zgjidhja e problemeve nuk zhvillohen aq sa duhet. Derisa bota ka ndryshuar, sistemi ynë arsimor nuk ka ndryshuar bashkë me të.
AkademiPune: Ju keni qenë edhe pjesë e Fondacionit Obama në programin Liderët e Evropës, si ka qenë kjo përvojë për ju?
Egzon Gashi: Kam aplikuar në Fellowship të Fondacionit Obama për të sfiduar udhëheqjen time dhe për t'u zhvilluar më tej. Në program, isha me 35 liderë të rinj nga e gjithë Evropa dhe mësova shumë për stile të ndryshme të lidershipit dhe se lidershipi është shërbim, jo pozitë.
AkademiPune: Cilat janë planet tuaja të mëtutjeshme në Kosovë apo përtej?
Egzon Gashi: Qëllimi im është të vendos Kosovën në një rrugë ku sistemi arsimor është duke u përmirësuar, dhe ku Teach For Kosova ka qëndrueshmëri si OJQ në Kosovë. Planifikoj gjithmonë të kontribuoj në arsim dhe gjithmonë të mbetem i lidhur me Kosovën dhe zhvillimin e saj.
AkademiPune: Cili është mesazhi juaj për të gjithë lexuesit tanë dhe ata që duan ta bëjnë hapin e madh: të kthehen për të kontribuar në vendlindje?
Egzon Gashi: Besoj se të kesh një mentalitet të duhur është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ndërsa u ktheva në Kosovë për të kontribuar, gjithashtu jam zhvilluar si person dhe si profesionist gjatë gjashtë viteve të fundit. Mendoj se kontributi nuk duhet parë si një sakrificë, por si një shërbim ku edhe përfiton ndjeshëm./ AkademiPune