Si është një ditë pune e një guide turistike në Kosovë – rrëfimi i Muamer Hasani

11 Qershor '24

Si është një ditë pune e një guide turistike në Kosovë – rrëfimi i Muamer Hasani
	 	 

Udha e karrierës së Muamer Hasani filloi para 16 vjetësh krejt rastësisht me një trajnim profesional. I diplomuar në Sociologji, një drejtim që përputhej me natyrën e profesionit që do ta ndiqte më vonë, Muameri e mori profesionin me shumë përgjegjësi. Me ushtrimin e tij filloi ta njohë më për afër natyrën e profesionit dhe ta zotërojë atë duke u kushtuar shumë rëndësi shumë elementeve që duhet rrëfyer saktë dhe në mënyrë atraktive për vendin tonë. Një ditë e punës për të dihet kur fillon, por kurrë nuk dihet kur mbaron dhe çfarë hasë rrugës. Por, një gjë e ka të sigurt përditë fiton miq e eksperienca të reja. Kuptoni më shumë për të në këtë intervistë për AkademiPune.

AkademiPune: A na tregoni më shumë për profesionin tuaj – si nisi pasioni juaj për turizmin?

Muamer Hasani: Kam filluar të merrem me turizëm më saktësisht si guidë tursitke krejt rastësisht që prej vitit 2008. Aso kohe është mbajtur një kurs për guide të organizuar nga  Elizabeth Gowing një angleze dhe mike e Kosovës, e cila jetonte dhe vepronte në Kosovë.  Trajnimi u pat mbajt nga një guidë me prejardhje nga Walesi, Phil Coates të cilit ende ja mbaj emrin në mend.

AkademiPune: A mund të na përshkruani një ditë punë për ju, si fillon dhe mbaron ajo?

MuamerHasani: Thënë të drejtën, e di kur fillon por nuk e di kur mbaron. Zakonisht dita për  guidim fillon rreth orës nëntë pasi që ka përfunduar ngrënia e mëngjesit. Nganjëherë vizitat munden më qenë të shkurtra dhe jo aq të ngarkuara e nganjëherë edhe janë të ngjeshura e kështu që bëhet stresuese dhe të tejzgjatura.

AkademiPune: Cila është fusha juaj e studimit dhe sa ju ka hyrë në punë ajo në profesionin e juaj?

Muamer Hasani: Unë kam përfunduar Sociologjinë si dhe kam magjistruar në Sociologji. Profili i Sociologjisë kisha me thanë që është njëra prej degëve që është më kompakti për profesionin e një cicëroni/guide.

AkademiPune: Si i kujtoni eksperiencat e para dhe si e keni zhvilluar këtë profesion përgjatë vjetëve?

Muamer Hasani: Eksperiencat e para nuk me kujtohen shkaku i stresit, mund të ju flas prej vitit të dytë apo të tretë, kur fillova të kuptoja e njihja më mirë profesionin sepse në fillim fokusohesha më shumë tek vitet e datat e duke i anashkaluar edhe shumë elemente tjera të rëndësishme për guidim.

AkademiPune: Ju keni një profesion sa sfidues aq dhe atraktiv, a mund të na e përshkruani bukurinë e këtij profesioni dhe sfidat që vijnë me të?

Muamer Hasani: Profesioni i ciceronit është shumë atraktiv, por ka edhe përgjegjësi. E bukura është sepse takohesh me njerëz të rinj, tregime të reja, përvoja të reja e që përfundojnë edhe në shoqëri të reja. Në anën tjetër turistët që vijnë mund të kenë edhe paragjykime, informata të gabuara kështu që kjo pjesë e dekonstruimit të këtyre informatave duhet bërë nga guidat lokale, apo thënë ndryshe ne jemi ambasadorët e vendit.

AkademiPune: Cilat janë cilësitë që e bëjnë një guide profesionale dhe të përshtatshëm për grupet që i udhëhiqni?

Muamer Hasani: Menyja është goxha e gjerë, duke filluar që nga aftësitë komunikuese e deri tek finesat e njohuritë për vendet e turistëve të cilët vijnë nga vende të ndryshme.

AkademiPune: Ju keni udhëhequr grupe të turistëve të huaj, a na tregoni se ku fokusohet interesimi i tyre dhe ku mundoheni të fokusoheni ju si guidë?

Muamer Hasani: Turistët e huaj që vizitojnë Kosovën janë të interesuar po thuajse në të gjitha aspektet por kryesisht në fushën e periudhës të pasluftës, sigurisë, raporteve diplomatike të  Kosovës me vendet e rajonit, ekonomia, periudha gjatë luftës. Fokusimi i jonë si guida do të duhej të jetë në ofrimin e informateve objektive.

AkademiPune: Cili mendoni se është interesimi i të huajve për Kosovën? Cilat janë disa nga paragjykimet me të cilat ata vijnë në Kosovë dhe të cilat ju duhet vazhdimisht t’i luftoni?

Muamer Hasani: Interesimi siç e ceka edhe me lartë është tek lufta si dhe gjendja socio-ekonomike pas luftës. Paragjykimet e zakonshme janë siguria.

AkademiPune: Sa mendoni që kemi nevojë edhe ne si kosovarë të bëjmë hulumtime dhe vizita nëpër lokalitete?

Muamer Hasani: Jo pak po shumë kemi nevojë të bëjmë hulumtime e vizita në lokalitet arkeologjike e monumente e muze. Në shumicën e rasteve gjatë vizitave nëpër lokalitete të ndryshme rrallë ndonjëherë që mund ta shohësh ndonjë qytetarë të Kosovës. 

AkademiPune: Ju udhëhiqni Asociacionin e guidave turistike të Kosovës. Na tregoni më shumë për misionin e saj dhe arritjet.

Muamer Hasani: GUIDEKS  është themeluar në vitin 2018 dhe është Shoqata e Guidave Turistike të Kosovës që përfaqëson organizatën ombrellë e të të gjithë guidave turistike në vendin tonë, atë të profilit kulturor dhe natyror. Përndryshe GUIDEKS është organizata e parë e këtij lloji në Kosovë dhe ka një gamë të gjerë anëtarësimi në shumë komuna me më shumë se 120 anëtarë. GUIDEKS është gjithashtu përfaqësuesi i vetëm kombëtar nga Kosova në FEG (Federata Evropiane e Shoqatave të Guidave Turistike) dhe WFTGA (Federata Botërore e Shoqatave të Guidave Turistike).

Misioni ynë është promovimi i Kosovës si destinacion turistik përmes guidave të kualifikuara turistike, duke përfshirë promovimin e trashëgimisë sonë kulturore dhe natyrore si burime të pandashme për zhvillimin e turizmit.

Tashmë GUIDEKS pas një trajnim intensiv nga FEG, është certifikuar për trajnimin e gjeneratave të reja për guida turistike sipas standardeve evropiane.

AkademiPune: Cili është mesazhi juaj për të gjithë lexuesit tanë dhe ata që aspirojnë profesionin e guidës?

Muamer Hasani: Faktori kyç për këtë profesion është ta duash vendin, ta dish një gjuhë të huaj,  prezantimi faktik i informatave për Kosovën si dhe normalisht me i viju trajnimet për profesionin e guidimit dhe për teknikat e nevojshme.

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2026 - KosovaJob LLC