Cilat vende prijnë me kursime në Evropë dhe cilat shpenzojmë më shumë se sa fitojnë?

31 Maj '24

Cilat vende prijnë me kursime në Evropë dhe cilat shpenzojmë më shumë se sa fitojnë?
	 	 

Të kursesh apo të mos kursesh, kjo është çështja. Në të dhënat e publikuara nga Eurostat dëshmohet se evropianët në vitin 2022 zgjodhën të kursejnë 1/8 e të ardhurave të tyre. Familjet në BE kursyen mesatarisht 12.7% të të ardhurave të tyre të disponueshme, derisa shkalla për zonën e euros ishte më e lartë, në 13.7%.

Të ardhurat e disponueshme të familjeve janë ato që familjet kanë në dispozicion për shpenzim dhe kursim pas tatimeve dhe transferimeve, siç përcaktohet nga Eurostat.

"Nëse familjet fitojnë €100, ata shpenzojnë €87.30 dhe mbeten me €12.70 për të kursyer," shpjegoi ekonomisti kryesor në Astères, Sylvain Bersinger. "Është një shifër normale. Shumica e vendeve në BE kanë një normë kursimi familjar midis 10% dhe 15%," shtoi ai.

Një shifër shumë më e lartë sesa në Shtetet e Bashkuara, ku banorët kursyen vetëm 3.4% të të ardhurave të tyre kjo e bazuar në të dhënat e nxjerrura nga Statista.

Gjermania është kampioni evropian Në BE, Gjermania arriti vendin e parë me normën më të lartë të kursimeve bruto (19.91), Holanda fitoi medaljen e argjendtë (19.44) dhe Luksemburgu medaljen e bronztë (18.14).

Dy vende janë në të kuqe, me norma negative kursimi: ato shpenzojnë më shumë se sa fitojnë. Ajo që po fitojnë nuk është e mjaftueshme për të financuar konsumimin e tyre, kështu që ata marrin borxh ose përdorin kursimet që kanë grumbulluar në të kaluarën. Këto dy vende janë Polonia dhe Greqia.

Megjithatë, familjet evropiane nuk mund të përmblidhen në një profil të vetëm. Ekzistojnë dallime të mëdha në sjelljet e kursimit në Evropë, "po aq sa midis familjeve," shpjegoi Luigi Guiso, studiues në Qendrën për Kërkime Ekonomike dhe Politike (CEPR). "Ka disa që i shpenzojnë të gjitha dhe të tjerë që kursejnë një pjesë të madhe të të ardhurave të tyre, por është e vështirë të kuptohet pse”.

Sipas ekonomistit kryesor në Astères, Bersinger vendet me nivele më të ulëta të të ardhurave kanë vështirësi për të përmbushur nevojat e tyre dhe prandaj janë në gjendje të kursejnë shumë pak. Kjo është gjithashtu e vërtetë në Greqi, e cila ka përjetuar vështirësi të mëdha ekonomike dhe ka vendosur një sërë masash kursimi, duke ulur të ardhurat e disponueshme të familjeve.

"Norma negative e kursimeve tregon se grekët ende nuk janë jashtë krizës. Nga ana tjetër, vendet me më shumë kursime priren të jenë më të pasura," vuri në dukje Bersinger.

Disa ekspertë theksojnë dallimet kulturore në zakonet e kursimit. Gjermanët kursyen vazhdimisht më shumë se 8% të të ardhurave të tyre të disponueshme gjatë dy dekadave të fundit, sipas të dhënave të OECD.

Megjithatë, Luigi Guiso gjen kufizime në këtë shpjegim. "Dallimet midis Gjermanisë dhe Greqisë nuk ekzistojnë sepse grekët pëlqejnë të shpenzojnë gjithçka dhe gjermanët jo. Normat e kursimeve të gjermanëve ishin të ulëta 20 vjet më parë”.

Shkalla e kursimit të një vendi ndikohet nga shumë variabla ekonomike, siç është struktura demografike e vendit. "Të rinjtë priren të kursejnë më shumë se pensionistët që kanë një fluks më të ulët të ardhurash," shpjegoi Guiso.

Një rikthim në nivelet para pandemisë

Eurostat konfirmoi se evropianët kursyen më pak në 2022 sesa në 2021 (16.4%), duke mundësuar që konsumi familjar të zgjerohet më tej me kthimin e normës së familjeve në nivelet e saj para pandemisë.

"Kjo pasqyron një dëshirë për t'u rikthyer në jetën normale, para-COVID," komentoi Helene Baudchon, ekonomiste në BNP Paribas.

Shkalla e kursimeve të familjeve në BE po kthehet në nivelet para pandemisë. "Gjatë pandemisë, konsumi familjar i evropianëve u pezullua ndërsa të ardhurat e tyre ruheshin. Kjo shkaktoi një kapërcim anormal në normën e kursimit në të gjithë BE," analizoi Baudchon.

Ndërkohë, viti 2022 shënoi një fazë rimëkëmbjeje ekonomike, gjë që shpjegon normën më të ulët të kursimit krahasuar me një vit më parë.

Megjithatë, goditjet e njëpasnjëshme pas pandemisë, duke përfshirë pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe rritjen e kostove të jetesës, kanë ndërprerë gjithashtu sjelljen e kursimeve të familjeve. "Pasiguria ekonomike ka të ngjarë të peshojë mbi konsumin e familjes dhe mbështet kursimet paraprake," vuri në dukje ajo.

Një tjetër faktor që motivon evropianët të kursejnë në vend që të shpenzojnë është rritja e normave të interesit. "Sot, kredia është më e shtrenjtë dhe kursimet janë më të shpërblyera: ekziston një nxitje e vërtetë financiare për të mbajtur paratë tuaja në bankë."/ AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2024 - KosovaJob LLC