Nadira Kika, disejnatorja që gërsheton stilin e saj me guximin

16 Maj '24

Nadira Kika, disejnatorja që gërsheton stilin e saj me guximin
	 	 

Nadira Kika me vizionin e saj gjithmonë shihte përtej. Si e re, ishte e pasionuar pas botës së modës nga ajo që shihte në ekran dhe kjo ishte shenja e qartë se një ditë dizajni dhe moda do të bëheshin përditshmëria e saj. Sot, emri i saj është ndër më të njohurit në fushën e modës dhe dizajnit ku me fustanet e saj elegantë e me stilin që e veçon ka arritur të derpërtojë edhe jashtë vendit ku ka mjaft kërkesa. Ditët e saj të punës nisin herët, janë të gjata dhe me shumë përkushtim. Brenda ditës përfundohen pesë deri në gjashtë fustane. Në një intervistë për AkademiPune, ajo ka shpalosur rrugëtimin e saj dhe punën.

“Që nga klasa e tetë edhe e nëntë kam shiku shumë Fashion TV dhe ka qenë koha kur kemi pasur më shumë kabllovikë dhe ia kanë filluar të më pëlqejnë. I kam edhe disa vizatime të vogla. Mandej gjatë shkollimit të mesëm vetëm ka filluar të më pëlqejë më shumë.  Në përfundim të shkollimit të mesëm vetëm e vendosa përfundimisht kur edhe fillova të shkojë në një kurs të vizatimit para se të regjistrohem në fakultet dhe pastaj pas regjistrimit në fakultet nga ajo kohë nuk jam ndarë kurrë”, ka treguar Nadira për fillimet e saj.

Nadiren gjithmonë e kanë tërhequr revistat e modës, emisionet televizive dhe mbi të gjitha mënyra se janë veshur njerëzit. Kjo dëshmon pasionin e saj qysh herët për këtë fushë.

“Gjithmonë kam shikuar emisione jashtë vendit, kam qenë e lidhur me Amerikë, me MTV-në. Gjithmonë edhe revistat që kanë qenë më herët si “Bravo” i kam shfletuar. I kam përcjellë të gjitha “mbrëmjet e modës” në vende të ndryshme, gjithmonë më kanë tërhequr dhe më kanë pëlqyer mënyra se si janë veshur njerëzit”, ka shpjeguar tutje ajo.

“Ready to wear” – si identifikim i Nadira Kikës

Përgjatë studimeve në fushën e modës dhe dizajnit, ajo u përcaktua se çfarë i pëlqen më shumë, por në rrugëtimin e saj me klientët Nadira e gjeti dhe më shumë veten. “Ready to wear” ishin specialiteti i saj që nga fillimi”

“Kur fillon të punosh me klientë e sheh se ku je më e fortë, çfarë të pëlqen dhe me çfarë dëshiron të punosh. Pasi të diplomosh e ke më të qartë se ku dëshiron të orientohesh, për të gjithë ata që më njohin e dinë që fillimisht jam identifikuar me “Ready to wear”- ajo është 100%-i jem, por me kalimin e kohës kam dal edhe në stile të tjera që t’i përshtatem klienteles”, ka treguar ajo.

Me 24 vjet, Nadira hapi biznesin e saj: Dekada e guximshme

Në kohën kur Nadira hapi biznisin e saj, tregu dominohej nga rrobaqepëset dhe koncepti i disejnatores ishte akoma i paqartë për një pjesë të madhe. Por, Nadira me guxim i hyri kësaj rruge dhe fitoi shumë klientë që akoma i besojnë po njejtë punës së saj.

“Gjatë kohës së studimeve të masterit kam pasur klientë në shtëpi dhe këtu filloi gjithçka, ku kam filluar të dizajnojë veshje të përditshme për veten dhe shoqërinë. Në fund të vitit të masterit kam filluar biznesin tim. Kur e kam hapur biznesin, i kam pasur 24 vjet, akoma çuditëm qysh njerëzit më kanë besuar aq shumë në këtë moshë. Tash edhe unë i kisha besu dikujt në këtë moshë, por kjo para 10 vjetëve ka qenë më ndryshe sepse disajnatorët janë numëruar në gishta dhe ka pasur më shumë rrobaqepëse. “Frikë nuk kam pasur sepse kam qenë shumë e re, më shumë frikësohem tani se atëherë. Fakti që kam qenë gjatë gjithë kohës në rrjedha më ka ndihmuar më shumë”, ka shpjeguar ajo.

Punën e saj e identifikon guximi për të mos i ikur asnjëherë asnjë pune ose qasje të re. Kur Nadira prano një punë, ajo me këmbëngulje e çon deri në fund atë duke shmangur çdo gabim final.

“Këtë dekadë e kisha përshkruar si “e guximshme” sepse nganjëherë kyçem në gjëra që nuk i kam bërë më parë ose janë jashtë vetes time, por nuk them asnjëherë “jo”, dua ta sfidojë vazhdimisht veten. Jam shumë e guximshme. Gjithmonë i dërgojë gjërat deri në fund. Ka pasur raste kur kemi punuar deri në tri ditë në bazë para se të fillohet të prehet fustani, vetëm që ta realizojmë se si e ka kërkuar klienti ose se si duhet të realizohet pa asnjë gabim”, u shpreh tutje Nadira.

Sipas Nadirës sinqeriteti në profesionin e saj është shumë i rëndësishëm. Ajo mundohet që komunikimin me klientët ta zhvillojë mbi përmasa reale që të arrihen pritshmëritë.

“Duhet të jesh shumë e drejtpërdrejt me klientin, të mos i shtyesh datat edhe të jesh shumë e sinqertë që të flasësh në pika reale. Në fillim i tregoj se “çfarë bën ose jo”. I caktojmë me fillim pikat me të cilat do të realizohet komplet veshja dhe ua tregoj pritshmëritë”, shpjegoi tutje ajo.

Depërtimi i fustaneve në butikë jashtë vendit

Depërtimi i saj edhe jashtë vendit filloi tërësisht spontanisht për Nadira Kika, e cila është mjaft aktive edhe në rrjete sociale. Tani kjo është pjesë e përditshme e punës së saj dhe fustanet e saj janë të pranishme edhe në shumë vende të tjera të botës.

“Kjo ka filluar spontanisht. Porosinë e parë e kam pasur nga Holanda dhe kjo është meritë e rrjeteve sociale që nuk e di asnjëherë ku dhe sa do të depërtosh. Fillimisht ka nisur me porosi personale pastaj nga butikët që porosisin nga Franca, Holanda, Gjermania, Italia, Australia, Kanada që blejnë nga ne fustana me shumicë. “Fustanet ne i prodhojmë me kualitet shumë të lartë, pasi që fustani kalon në disa procese si dogana, mbikëqyrja kështu që si eksperiencë është shumë e mirë dhe lëvdatat më të mëdha i kemi nga klientët atje ”, ka rrëfyer ajo.

Te qepjet Nadira nuk bën kompromis pasi që është një teknikë që e ka studiuar dhe e njeh shumë mirë.

“Te qepjet nuk bëj kompromis sepse teknikën e punës e njoh shumë mirë, e kam studiuar për 5 vjet dhe duke ia shtuar edhe eksperiencën e punës. Pa dashur të shprehem si jomodeste, por teknikat i njoh shumë mirë dhe nga klientët kërkojë vetëm të më tregojnë për stilin”, ka treguar ajo.

Mesazhi i Nadirës është që me punë arrihet gjithçka, çdo gjë tjetër me mungesë të punës ju pengon drejt suksesit.

“Duhet të punosh shumë. Sepse guximin e kam pasur, por guximi pa punë do të ishte zbehur. Unë kam punuar shumë. Ky profesion don shumë punë, prej 24 orëve unë punoj diku 12 deri në 15 orë”, ka përfunduar intervistën ajo./ AkademiPune

 

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2024 - KosovaJob LLC