Jo të gjithë njerëzit që udhëheqin biznese, institucione, organizata, janë liderë të mirë, dhe jo të gjithë punonjësit kanë mundësinë të bashkëpunojnë me punëdhënës korrektë. Ka shumë prej punëdhënësve të cilët pavarësisht që janë udhëheqës, kanë edhe shumë veti të këqija.
Në këtë artikull, do të fokusohemi në sjelljet e udhëheqësve të këqinj, të cilat mund të jenë zhgënjyese për punëtorët dhe mund të çojnë drejt mungesës së besimit, mos produktivitetit të tyre, rrjedhimisht në krijimin e një mjedisi të keq të punës.
Në vazhdim, AkademiPune ju njofton me disa karakteristika që shefat apo punëdhënësit e këqinj kryesisht mund të kenë.
1. Mendojnë se dinë gjithçka
Liderë të këqinj konsiderohen të gjithë ata të cilët mendojnë se janë të pagabueshëm, pra janë ata të cilët dinë gjithçka dhe nuk pranojnë mendime të kundërta. Ndonëse mund të jetë duke gabuar, ky lloj i liderit mendon se gjithmonë po e bën gjënë e duhur për kompaninë.
2. Nuk merren me konfliktet mes punëtorëve
Ky lloj i shefit nuk merret me problemet që punëtorët kanë me njëri tjetrin, mirëpo pret që konfliktet të rregullohen vetëvetiu. Pra, nuk ndërmerr rolin e ndërmjetësuesit.
Konfliktet brenda një ekipi dhe punëdhënësit që nuk merren me ato konflikte, mund të sjellin situata aq të pakëndshme sa të shkaktojnë një mori problemesh brenda një kompanie. Shmangia e konflikteve sikur asgjë nuk ka ndodhur mund të çojë në komunikim të dobët, frustrime e edhe deri tek dorëheqjet e punëtorëve.
3. Nuk i fuqizojnë të tjerët
Ka shumë punëdhënës të cilët abuzojnë me pushtetin që kanë. Këta punëdhënës kanë më shumë dëshirë të jenë vetë në qendër të vëmendjes se sa t’i fuqizojnë të tjerët.
Një shef i mirë nuk duhet të ketë dëshirë t’i kontrollojë të tjerët por t’i orientojë ata drejt zhvillimit dhe fuqizimit të tyre.
4. Nuk i vërejnë anët e forta të ekipit
Punëdhënës të këqinj konsiderohen edhe ata të cilët nuk arrijnë t’i shohin të mirat apo anët e forta që pjesëtarët e ekipit zotërojnë. Një punëdhënës që nuk di ose nuk ndërmerr hapa për të njohur fuqinë punëtore të tij, mund të jetë duke udhëhequr keq.
Një punëdhënës i mirë i përdorë të gjitha mundësitë për të zbuluar potencial tek secili punëtor i tij. Ai jo vetëm që ju jep përgjegjësi atyre por di edhe të komunikojë në mënyrë efektive dhe t’i motivojë punonjësit.
5. Nuk i dëgjojnë punëtorët
Ka shumë mënyra se si një punëdhënës mund të tregojë se është duke e dëgjuar me vëmendje punëtorin. Kjo nuk do të thotë që punëdhënësi duhet vetëm të rri i qetë dhe të dëgjojë. Se një punëdhënës po i kushton vëmendje asaj se çka punëtori po flet, dallohet edhe me gjuhën e trupit, përgjigjen apo konfirmimin se e ka marrë mesazhin dhe i ka kuptuar ato që punëtori i ka thënë.
6. Kanë mungesë transparence
Nëse punëdhënësit / shefat nuk e thonë të vërtetën, punonjësit herët apo vonë do ta kuptojnë. Një gjë e tillë shkatërron besimin mes dy palëve. Kur punëtorët nuk kanë besim tek punëdhënësi i tyre, ata do të demotivohen shpejt, do të ndjehen të zhgënjyer dhe do fillojnë të kenë më pak respekt.
7. Kanë mungesë besimi tek punëtorët
Një punëdhënës i cili nuk beson në mendimin apo përvojat e punëtorëve të tij, mund të shkaktojë demoralizim dhe mungesë vetëbesimi tek ata persona. Këta të fundit do ta kenë shumë problem të zhvillohen brenda vendit të punës.
Liderët e mirë duhet të jenë të ndershëm, të zotërojnë aftësi të mira komunikimi dhe të jenë sa më lehtë të qasshëm për punonjësit e tyre. /AkademiPune.