Fiona Xhema Tropusha është zëri pozitiv që i jep shumë dinamikë emisionit të mëngjesit “Captain Fm” në Glam Radio dhe në KTV. Me lajme të mira, mysafirë, muzikë, telefonata e argëtim shumë dëgjues e nisin ditën me të. Ajo që 7-vjet që nga themelimi i Glam Radio rrugëton me të dhe bashkë me dëgjuesit – lidhjen me të cilët e vlerëson si shumë të veçantë. Nëpërmjet kësaj interviste mund të kuptoni më shumë për sfidat, motivin dhe përvojën e saj me radio!
AkademiPune: Si është një ditë pune me radion? Si është për ju të komunikoni çdo mëngjes me dëgjuesit e radios?
Fiona Xhema Troshupa: Puna në radio të ofron çdo ditë diçka të re, dhe kjo është e bukura e radios. Që nuk të lë të bëhesh monoton. Njëri nga faktorët që radio e ka këtë dinamikë, patjetër është edhe marrëdhënia që krijon me dëgjuesit e radios. Çdo ditë mëson diçka të re rreth nevojave, dëshirave, preferencave apo pakënaqësive që kemi si popull, dhe kjo e bën punën edhe më interesante ndërsa ne, si autor të emisionit, na jep mundësi me eksploru edhe më shumë, me sjellë informacionet e duhura për secilin prej tyre. Mbi të gjitha, marrim shumë dashni!
AkademiPune: Cila është freskia që e keni sjell në “Captain Fm” për t’i mbushur dëgjuesit me sa më shumë pozitivitet?
Fiona Xhema Troshupa: Emisionet e mëngjesit e kërkojnë një dinamikë, një energji pozitive, sepse është emisioni me të cilin dëgjuesit e nisin ditën, dhe në rast se ne ofrojmë lajme negative apo një energji jo edhe aq të mirë, nuk do të ishim më ndryshe se të tjerët. Patjetër se e diskutojmë lajmin e ditës, por gjithmonë duke i dhënë kahje pozitive se çfarë kemi mësuar apo çfarë mësimi duhet të nxjerrim nga X ngjarja e caktuar.
AkademiPune: Si ka qenë rrugëtimi juaj me radion në përgjithësi dhe me Glam Radio?
Fiona Xhema Troshupa: Rrugëtimi im në Glam Radio ka nisur në vitin 2017. Pra, këtë vit kemi festuar 7-vjetorin me disa prej kolegëve që jemi këtu që nga dita e parë, dhe kjo na bën që tashmë të jemi familje, dhe jo vetëm kolegë. Glam Radio më ka ndryshuar shumë, jo vetëm si karakter, por më ka zhvilluar profesionalisht duke më bërë të gatshme të përballoj çdo sfidë që mund të dalë nga ky profesion. E tillë ka qenë edhe marrja përsipër e programit të mëngjesit, ku nuk e kisha imagjinuar veten ndonjëherë, si person i mëngjesit. Por siç duket qenkam!
AkademiPune: Si ka qenë për ju lidhja e radios bashkë me TV?
Fiona Xhema Troshupa: Të jesh në transmetim edhe përmes TV, nuk është se luan rol të madh apo ndikon negativisht tek prezantuesi, të paktën kështu ka qenë për mua, sepse nuk jam person i kompleksuar dhe tentoj të jem sa më e thjeshtë në paraqitjet e mia. Por tek marrëdhënia me dëgjuesit, patjetër se ka ndikuar për të mirë. Sepse energjia pozitive që ne kemi, përveç që dëgjohet dhe ndjehet, tashmë edhe mund të shikohet 😊 Plus, na jep një arsye më shumë për t’u dukur e bukur dhe e rregulluar që në ora 6:00 të mëngjesit.
AkademiPune: Çfarë e veçon punën në këtë radio? Cili është mesazhi juaj për të gjithë ata që ju dëgjojnë dhe për ata që duan të punojnë në radio?
Fiona Xhema Troshupa: Glam Radio gjithmonë është veçuar për energjinë e mirë që e ka transmetuar përmes muzikës së përzgjedhur dhe programave që gjithmonë synim e kanë pasur informimin, argëtimin dhe marrëdhënien me dëgjuesin, por gjithmonë larg ngjarjeve politike. Sepse e kemi parë të udhës që shqiptarët në përgjithësi janë të ‘helmuar’ mjaftueshëm nga politika në çdo radio, televizion apo portal. Ne kemi qenë stacioni i muzikës së mirë dhe relaksimit.
Mesazhi im…jo vetëm në radio, por në cilindo profesion që ju flen në zemër, guxoni!
Guxoni të provoni diçka të re, dhe mos ndaloni së rrotulluari deri sa të gjeni stacionin tuaj. Por edhe atëherë, mos ndaloni. Radio është dashuri, dhe dashuri duhet të jetë çdo punë që ju e bëni./ AkademiPune