Pse duhet t’ju kushtojmë rëndësi përshkrimeve të punës?

26 Shkurt '20

Pse duhet t’ju kushtojmë rëndësi përshkrimeve të punës?
	 	 

Përshkrimet e punës përdoren për një sërë arsyesh. Janë mjet për rekrutim, po ashtu kanë rol informues për pozita të reja pune që hapen nga kompani të ndryshme.

Përshkrimet e punës janë mjete ndihmëse si praktike ashtu edhe ligjore. Ato mund të jenë mjete të dobishme komunikuese për t’i treguar punëkërkuesve se çka saktësisht pritet nga ta në vendin e punës.

Përshkrimet e punës gjithashtu mund të adresojnë cilësinë dhe sasinë e standardeve të performancës, apo edhe rregullat e punës që vlejnë për një punë përkatëse.

Përpilimi i duhur i përshkrimeve të punës

Në rast se përshkrimet e punës nuk përpilohen mirë, punonjësit mund të mos i përmbushin pritjet e punëdhënësve. Përshkrimet e punës duhet të paraqesin përmbajtjen e vendit përkatës të punës, ambientin si dhe kushtet e punësimit.
Një format i zakonshëm i përshkrimit të punës përfshin:

  • Titullin e pozitës
  • Detyrat që duhet t’i kryej kandidati/ja
  • Kualifikimet që kërkohen për atë pozitë
  • Çka ofron kompania

Duhet ta keni parasysh se ambienti i punës pëson ndryshime si rezultat i kërkesave të tregut, përparimit të teknologjisë së prodhimit, interesave të klientëve dhe strategjive të konkurrentëve.

Prandaj, përshkrimet e punës duhet të rishqyrtohen dhe përditësohen. Drejtuesit e burimeve njerëzore duhet t’i parashikojnë dhe vlerësojnë ndryshimet që mund të ndodhin me kalimin e kohës.

Rëndësia e përshkrimeve të punës

Përshkrimet e punës janë zakonisht thelbësore për menaxhimin e njerëzve në organizata. Ato përdorën për rekrutim në mënyrë që menaxherët dhe aplikantët të mund të kuptojnë rolin e punës. Një përshkrim pune përcakton rolin dhe përgjegjësinë e një personi.

Përshkrimet e punës përmirësojnë aftësinë e një organizate për të menaxhuar njerëzit pasi ofrojnë detaje të rëndësishme si në vijim:

  • Sqarojnë pritjet e punëdhënësit për punonjësin
  • Sigurojnë bazën e matjes së performancës së punës
  • Ofrojnë një përshkrim të qartë të rolit të kandidatit për punë
  • Sigurojnë mjete referimi për çështjet e mosmarrëveshjes së punonjësve/punëdhënësve

Sa i kushtojnë rëndësi aplikantët përshkrimeve të punës?

Kur duam të aplikojmë për një vend pune, është shumë e rëndësishme t’i kushtojmë rëndësi leximit të përshkrimit të punës. Varësisht se për cilën pozitë aplikoni ju duhet ta lexoni me kujdes shpalljen që një kompani e caktuar e ka publikuar, në mënyrë që të informoheni mirë nëse plotësoni të gjitha kriteret e kërkuara.

Nuk duhet të nxitoni që ta përfundoni aplikimin sa më parë dhe dërgoni CV-në tuaj sa më shpejt, pasiqë rrezikoni të mos ftoheni fare për fazën e intervistës. Në fazën e intervistës nuk ftohet kandidati i parë që ka aplikuar, por kandidati që i ka kushtuar vëmendje shpalljes, kritereve të kërkuara, si dhe ka dërguar CV-në në formatin e duhur.

Disa gabime që aplikantët bëjnë gjatë aplikimit për vend pune:

  • Nuk e lexojnë me kujdes shpalljen
  • Bëjnë gabime gramatikore kur dërgojnë email
  • Nuk e kanë CV-në e përditësuar

Në mënyrë që aplikimi juaj të jetë i suksesshëm dhe të vlerësohet nga punëdhënësi, ju duhet t'i evitoni gabimet e lartcekura. /AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC