Mbështetja e palëkundur e familjes ka qenë një gurthemeli i rrugëtimit të Vatër Hysenit, e cila zgjodhi të merret me një profesion më të rrallë: me saldimin. E filloi si hobi, por pasioni i madh për tu marr me të rritej gjatë gjithë kohës dhe kjo e bën Vatren – një të diplomuar në Mekatronikë t’i përveshet fort punës në punishte për saldim. Ka në plan së shpejti ta hap një të sajën. Nuk i munguan as komentet paragjykuese, por Vatra qëllimshëm vendosi të qëndrojë mospërfillëse kundrejt tyre.
Vatër Hyseni ka zgjedhur një profesion jo fort të zakonshëm për vajzat në Kosovë. Depërtimi i saj në botën e saldimit ishte mjaft spontan dhe nisi mjaft vonë. Ajo tërhiqej gjithmonë prej aktiviteteve ku mund të krijonte gjëra, të studionte materiale dhe eksploruar mënyra për ndërtimin e materialeve. Më vonë saldimi ju bë punë e përditshme e vendosi në të të gërshetoi edhe krijimtari artistike.
“Puna me metale pati një ndikim më të thellë tek unë e, procesi i saldimit më tërhoqi vëmendjen dhe ngjalli interesin dhe kureshtjen time. Aftësia për të punuar dhe formuar metalin në forma të ndryshme më magjepsi dhe gjeta një tërheqje unike në mundësitë krijuese që ofronte saldimi. Ajo që më tërhoqi edhe më tej ishte aftësia për të modifikuar dhe korrigjuar gabimet gjatë procesit të saldimit”, ka treguar ajo për AkademiPune. Vatër Hyseni vjen nga qyteti i Ferizajt. Ajo ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin e Mekatronikës (një degë multidisiplinare që përbëhet kryesisht nga inxhinieria e mekanikës, elektronikës dhe shkencave kompjuterike) dhe në mes të shumë lëndëve që ka studiuar, përfshiheshin edhe disa lëndë të shkencave të materialeve ku studiohej struktura dhe vetitë e tyre.
“Kjo më prezantoi me anën teorike të strukturës së metaleve dhe disa materialeve e kështu filloi të kristalizohej dëshira për të mësuar më shumë rreth punës, analizës dhe përpunimit të tyre”, tregon fillet e saj ajo.
Tavolina e punës – projekti i parë në saldim
Projekti i parë që Vatra ndërmori në saldim ishte krijimi i një tavoline pune që e bëri për veten dhe këtë e vlerëson si një përpjekje në dukje e thjeshtë por thellësisht zbavitëse.
“Gëzimi dhe përmbushja që përftova nga krijimi i diçkaje funksionale dhe estetikisht të këndshme nxitën vendosmërinë time për të gërmuar më thellë në artin e saldimit dhe vendosa që të hulumtoj më shumë se si dhe ku mund të ushtroj këtë profesion pasi që nuk kisha asnjë njohuri meqenëse jam e para në familje që merrem me këtë aktivitet”, rrëfen ajo. Nga fundi i studimeve, gjatë rrugës për në universitet, Vatra hasi në një shenjë që thuhej se kërkohen saldues dhe i kontaktoi menjëherë për të mësuar se cilat janë kërkesat për të aplikuar. Pasi kishte marr informatat e nevojshme, ajo vazhdoi me një trajnim për saldim e pas mbarimit të trajnimit filloi punë në një fabrikë metalpunuese në Ferizaj ku prodhohen vegla dhe produkte tjera metalike.
Vatra thotë se të qenit nga qyteti i Ferizajt ku është mjaftueshëm e zhvilluar zejtaria dhe thuajse punohen të gjitha materialet bazike, metal, dru, qelq, po ashtu edhe plastika – ndikoi pavetëdijshëm që kjo traditë e punës së dorës të përcillet edhe te ajo.
“Ajo që filloi si një hobi i thjeshtë u shndërrua shpejt në një aspekt të rëndësishëm të jetës sime. Zbulova natyrën terapeutike të saldimit, pasi procesi kërkonte fokusin dhe përqendrimin tim të plotë, duke ofruar një përvojë qetësuese dhe zhytëse që forcoi pasionin tim për këtë zanat”, ka rrëfyer ajo.
Si një profesioniste që vjen nga fusha e Makatronikës, fusha e studimit i lidhet fort me atë të profesionit që ka zgjedhur. Ekspertiza mekatronike është e vlefshme në projektimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve të saldimit. Ajo është në këtë fushë edhe me aftësi shtesë për të kontribuar në avancimin e teknologjive të saldimit, duke nxitur inovacionin dhe efikasitetin në këtë fushë në të ardhmen. Sipas saj në kontekstin e saldimit, mekatronika luan një rol vendimtar në zhvillimin dhe zbatimin e sistemeve të automatizuara të saldimit. “Këto sisteme shpesh përfshijnë krahë robotikë, sensorë dhe algoritme të sofistikuara të kontrollit për të rritur saktësinë, efikasitetin dhe sigurinë në proceset e saldimit. Mekatronika kontribuon në optimizimin e parametrave të saldimit, duke siguruar saldime me cilësi të lartë dhe të qëndrueshme”, ka rrëfyer ajo.
Puna e parë si salduese dhe kalimi në fushën e artit
Pas trajnimin për saldim, ajo aplikoi në një kompani me reputacion, të prodhimit dhe të përpunimit të metaleve. Aty gjeti mbështetje dhe një mundësi për të praktikuar saldimin gjerësisht. Kjo përvojë jo vetëm që ia mësoi aftësitë e saldimit, por gjithashtu i dha mundësinë të futeu më thellë në fazat e proceseve të përpunimit të metaleve. “Duke punuar ngushtë me ekipin e prodhimit, fitova njohuri të vlefshme për të gjithë ciklin jetësor të një projekti - nga të kuptuarit e kërkesave të klientit deri te transformimi i lëndëve të para në produktin përfundimtar”, ka rrëfyer ajo.
Duke bashkëpunaur me një artist, ajo u njoh për së afërmit edhe me hapat e prodhimit të një vepre artistike.Pas kësaj eksperience të pasur pune, mori një ftesë nga një OJQ me seli në Prizren. “Ata kërkuan përfshirjen time në ekipin e tyre të prodhimit, një përvojë që më bëri të zgjeroj më shumë anën artistike të inxhinierisë gjithashtu edhe realizueshmërinë dhe prodhimin e veprave artistike. Detyra jonë ishte të prodhonim vepra arti me burim nga artistë të talentuar nga mbarë bota për edicionin e katërt të bienales së artit të OJQ-së. Kjo mundësi më lejoi të lidh sferat e artit dhe inxhinierisë, duke përzier krijimtarinë me aftësitë teknike”, ka treguar ajo.
Këto bashkëpunime jo vetëm që nënvizuan shkathtësinë e saldimit, por gjithashtu theksuan aftësinë e saj për të integruar vizionin artistik me ekzekutimin teknik.
“Të qenit pjesë e procesit nga konceptimi deri në realizimin fizik të këtyre veprave artistike ishte jashtëzakonisht përmbushëse, duke e shtyrë më tej pasionin tim për saldimin”, ka treguar ajo.
“Në rrethin e ngushtë të familjes, bashkëmoshatarëve dhe kolegëve të mi, kam pasur fatin të mos hasja paragjykime të mëdha”- tregon Vatër Hyseni. Shton se kjo është shumë domethënëse për të dhe inkurajuase. Madje edhe në qytetin prej nga vjen shprehet se puna e saj përcillet me një ndjenjë krenarie. Kishte dhe skeptikë, por që Vatrën nuk e dekurajuan.
“Ndërkohë që mbizotëron kjo atmosferë mbështetëse, herë pas here ka edhe skeptikë. Disa dyshuan në aftësitë e mia të saldimit derisa panë drejtpërdrejt punën time. Kam mësuar të devijoj energjinë time nga adresimi i çdo skepticizmi për ta kanalizuar atë në zhvillimin e vazhdueshëm të karrierës sime dhe rritjen personale”, ka thënë ajo.
Komentet në lidhje me vështirësinë e perceptuar, papërshtatshmërinë ose rrezikun e saldimit për të si grua nuk janë të rralla. Ajo shton se mendimi i gabuar se saldimi është në thelb i rrezikshëm për një gjini specifike është veçanërisht i bezdisshëm. “Saldimi, si çdo profesion, i përmbahet protokolleve të sigurisë, duke garantuar mirëqenien e të gjithë praktikuesve, pavarësisht gjinisë. Është thelbësore të largohen këto keqkuptime dhe të theksohet se saldimi në vetvete është fokusi, jo detyrat si transporti i pjesëve të rënda, i cili është një aspekt i veçantë i trajtuar në mënyrë efikase nga mjete si vinçat dhe automjetet e transportit”, shprehet ajo.
Vatra synon hapësirën e saj për tu dhënë jetë ëndrrave të të rinjve
Aspirata e Vatrës është të krijojë hapësirën e saj të punës ku mund të vazhdojë të praktikojë saldimin dhe mekatronikën duke eksperimentuar edhe me materiale tjera. “Unë kam ndërmarrë hapat fillestarë drejt kësaj ëndrre duke iniciuar ngritjen e punëtorisë sime”, thekson ajo.
Salduesja e re thotë se me këtë ka për qëllim që t’u jap hapësirë, sidomos të rinjve, pavarësisht gjinisë, që të kenë mundësinë të fillojnë t’i realizojnë idetë e tyre e gjithashtu edhe ata të bëjnë këtë lidhjen mes artit dhe shkencës.
“Do t’doja që një vend i tille t’i rrëzojë këto izolime dhe definime që janë krijuar në bazë të gjinisë. Një vend ku punët bëhen së bashku dhe e shtyjmë njëri-tjetrin përpara, ku vlerësohet dhe theksohet komuniteti mbi individualizmin. E gjithashtu të kemi mundësinë të zhvillohemi dhe të kemi hapësirën të gabojmë dhe të përmirësohemi, një vend ku mund të krijojmë diçka së bashku”, shton tutje ajo.
Ajo këmbngulë në atë se kjo ndërmarrje, kjo iniciative, është një dëshmi e besimit se përpjekjet kolektive mund t'i kthejnë ëndrrat në realitet. Nëse ndajmë të njëjtin pasion për mjeshtërinë, artin dhe inovacionin dhe dëshirojnë me qenë pjesë e këtij rrugëtimi, unë mirëpres çdo formë bashkëpunimi, qoftë përmes ideve, mentorimit apo formave të tjera të mbështetjes.
“Unë jam e përkushtuar për të krijuar një hapësirë që jo vetëm nxitë kreativitetin, por gjithashtu kontribuon pozitivisht për komunitetin. Interesimi dhe përfshirja e personave që kanë të njëjtin pasion në çfarëdolloj cilësie do të thotë shume për mua”, shprehet tutje Vatra.
Duke reflektuar mbi udhëtimin e saj, ajo inkurajonë të gjithë, jo vetëm vajzat, të përqafojnë eksperimentimin dhe krijimin. “T’i ndjekin aspiratat e tyre, të rrethojnë veten me një komunitet mbështetës dhe t’i shpërfillin komentet negative. Rrjetëzimi është thelbësor, sepse ne nuk mund të udhëtojmë larg vetëm. Mbi të gjitha, vazhdoni të përpiqeni dhe mos ndaloni së krijuari pavarësisht gjithçkaje, edhe nëse nuk është perfekte. Çdo përpjekje shton një aftësi të re në repertorin tuaj dhe ju shtyn drejt asaj që ju pëlqen vërtet”, ka thënë Vatra,
“Për ata që dyshojnë, u them, provoni. Mos lejoni që vetëdyshimi të pengojë krijimtarinë tuaj. Gjeni zërin tuaj dhe bëjeni të dëgjohet” – ky është mesazhi i saj përmbyllës!/ AkademiPune