Një vajzë që i do ngjyrat dhe artin, që po aq shumë e do dhe Inxhierinë Meaktronike të cilën edhe vendosi ta studiojë. Është kjo Nia Loku. Filloi përvojën e saj në laboratin e kimisë në Korporatën Energjetike të Kosovës e punoi edhe si servisere e ashensorëve dhe shkallëve lëvizëse. E përshkruan më shumë si mundësi për tu zhvilluar se sa si sfidë. Jo të gjithë do të besonin në punën e saj pasi që ajo kishte punuar në një ashensor – por Nia ia doli ta dëshmojë veten. Ajo nuk do të kufizohet në një profesion a fushë, andaj pasionet e saj duken shpesh kontraverse. Në art e gjen plotësisht lirinë e veprimit. Mesazhi i saj është që asnjë të mos ndalet së eksploruari veten.
AkademiPune: A na tregoni fillimisht për shkollimin tënd. Pasioni e studimet tua lidhen me disa fusha. Si e keni gjetur veten në këto fusha të ndara?
Nia Loku: Fillimisht shkollën fillore dhe gjimnazin i kam përfunduar në Kaçanik, ku kureshtja dhe interesi për shkencën dhe teknologjinë më drejtoi drejt studimeve për Kimi dhe Inxhinieri mekatronike. Lidhja ime me këto fusha ka nisur qysh në fëmijëri. Gjatë gjithë kohës u përfshiva në trajnime, organizata joqeveritare, punë vullnetare, trajnime të ndryshme, astronomi, arte marciale e aktivitete artistike që shtuan ngjyrat në rrugën time të zhvillimit. Pas këtyre përvojave, vendosa të fokusohem kryesisht në kimi dhe mekatronikë për të zhvilluar aftësitë e mia.
AkademiPune: Sa ju kanë ndihmuar këto të zhvilloheni dhe ku e keni gjetur veten më shumë?
Nia Loku: Studimet në kimi dhe inxhinieri mekatronike kanë qenë një rrugë shumë frytdhënëse për mua. Kjo fushë më ka ofruar mundësinë të thellohem në njohuritë shkencore dhe teknologjike, duke më lejuar të zhvilloj aftësitë e mia analitike për sfida komplekse. Përvoja ime në laboratorin e kimisë në Korporatën Energjetike të Kosovës dhe më pas në punën si servisere e ashensorëve dhe shkallëve lëvizëse ka qenë një sfidë e madhe, por edhe një mundësi e shkëlqyer për t'u zhvilluar.
Me këto eksperienca, kam mësuar të jem e përgatitur për situata të ndryshme dhe të përballoj sfida teknike. Për mua, gjetja e vetes në këto fusha ka sjellë një ndjeshmëri të re ndaj mënyrës së shikimit ndaj shkencës, teknologjisë dhe ndaj botës në përgjithësi. Është një rrugë e vazhdueshme e zhvillimit dhe një udhëtim që më ka frymëzuar për të eksploruar më tej dhe për të shfaqur potencialin tim në këto fusha.
AkademiPune: Ju njiheni edhe si një zë i aktivizimit duke thyer barriera në fusha që shpesh listohen për gjininë e kundërt. Si nisi rruga e aktivizimit për ju?
Rruga ime e aktivizimit nisi që në kohën e shkollës fillore, pastaj nisa te merrem me bletari, diçka që është pjesë e pandashme e imja. Ne Prishtinë u bëra pjesë e Klubit te Astronomisë së Kosovës duke nisur punën vullnetare në Observatorin e Prishtinës. Ky ishte fillimi i një udhëtimi të ri që më pas më përfshiu në shumë sfida dhe projekte. Angazhimi im si aktiviste për rritje të cilësisë në arsim, të drejtat e njeriut respektivisht te grave, si dhe për çështje mjedisore, përfshirja në aktivitete për paqe të qëndrueshme për të gjitha komunitetet që jetojnë ne Kosove, ka qenë një rrugë e vazhdueshme e përkushtimit ndaj vlerave qytetare dhe shoqërore.
Kur fillova punën si servisere e ashensorëve dhe shkallëve lëvizëse, e njohur si një fushë që shpesh konsiderohet tradicionalisht për meshkuj, në një forme kishte sfida dhe paragjykime. Megjithatë, ky rrugëtim më ka dhënë mundësinë për të thyer disa barriera dhe të ndërtoj vetëbesimin në fusha që shpesh janë të përcaktuara nga stereotipet gjinore. I radhës
Në çdo këndvështrim, kjo rrugë e aktivizimit ka qenë një mundësi për të ndikuar pozitivisht në shoqëri dhe për të shpërblyer ndryshimet që kërkoj. Ky angazhim ka rritur ndjeshmërinë time ndaj rëndësisë së shpërbërjes së paragjykimeve dhe krijimit të një mjedisi më të barabartë dhe inkluziv.
AkademiPune: Ju jeni serviserja e parë e liftëve në Kosovë. A mund të më tregoni se si u përcaktua kjo rrugë e punës suaj për juve?
Nia Loku: Puna si servisere e ashensorëve në Kosovë nuk ka qenë një rrugë e lehtë, por është një aventurë që filloi me një mundësi e cila në fillim, mund të duket jo aq e zakonshme për një femër. Njëherësh, kjo ka qenë një sfidë dhe një mundësi për të thyer disa paragjykime dhe për të provuar se mund te jetosh e punosh pa dallime.
Njohja me këtë fushë ka filluar si një mundësi pune, dhe përkundër dyshimeve fillestare dhe sfidave që shoqërohen me një fushë ku shumica e punonjësve janë meshkuj, kam vendosur të pranoj sfidën. Kjo ka qenë një mundësi për të mësuar dhe zhvilluar aftësitë teknike dhe për të ndërtuar një bazë solide për dijen time në fushën e ashensorëve dhe shkallëve lëvizëse. Kjo rruge e punës ka sjellë jo vetëm një perspektivë të re në jetën time profesionale, por më ka dhënë edhe mundësinë të kontribuoj në ndryshimin e perceptimeve rreth rolit të femrave në fushat teknike. Do të thoja se ky rrugëtim ka qenë një sfidë dhe një mundësi për të ndryshuar dinamikën e zakonshme të një fushë të caktuar pune.
AkademiPune: Si vlerësohej puna juaj, cilat ishin paragjykimet në të cilat hase gjatë punës suaj?
Nia Loku: Kjo punë është vlerësuar pozitivisht, duke përfshirë kontributin tim në ekip dhe zgjidhjen e sfidave teknike. Megjithatë, ndonjëherë kam hasur në paragjykime, veçanërisht në fillimet e mia në këtë fushë. Disa nga sfidat dhe paragjykimet që kam hasur përfshijnë: përballje me stereotipet, ndërgjegjësimi i klientëve ,ku disa ishin të pasigurt nëse ai ashensor është i rregulluar siç duhet.
Me kalimin e kohës, ata filluan të binden për aftësitë dhe njohuritë e mia, së bashku me kontributin tim në ekipin e punës, ka ndihmuar në shpërbërjen graduale të paragjykimeve dhe në vlerësimin e punës sime sipas meritave.
AkademiPune: Si mendon që ka ndikuar kjo edhe për vajzat e tjera që duan ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre si servisere në teren? Si i ka ndikuar përvoja juaj për kompaninë ku keni punuar?
Nia Loku: Përvoja ime si servisere e ashensorëve dhe shkallëve lëvizëse ka shërbyer besoj si një shembull dhe një burim frymëzimi për vajzat e tjera që dëshirojnë të hyjnë në këtë fushë. Kjo mundësi është një dëshmi se vajzat mund të kenë një rol të rëndësishëm edhe në profesione që tradicionalisht janë përcaktuar nga stereotipet gjinore.
Ndikimi ka qenë dyfish: nga njëra anë, ka rritur vetëbesimin dhe ndjeshmërinë e vajzave të tjera që mund të kenë interes të ngjashëm dhe nga ana tjetër ka ndikuar në një ndryshim gradual të perceptimeve shoqërore lidhur me rolin e femrave në fushat teknike.
Përvoja në kompaninë ku kam punuar, ka qenë shumë e mire dhe rëndësishme për mua. Ajo ka ndikuar në krijimin e një mjedisi ku vlerat e barabarta dhe mundësitë për të gjithë janë thelbësore. Kjo ka ndihmuar në ndërtimin e një atmosfere të përkrahjes dhe mundësimit të zhvillimit të aftësive për të gjithë pjesëmarrësit, pavarësisht nga gjinia. Kjo përvojë ka ndikuar në bindjen time se një ambient i hapur dhe inkurajues është kyç për përfshirjen e suksesshme të femrave në profesione teknike.
AkademiPune: Rruga juaj profesionale kryqëzohet edhe te arti. U bëtë pjesë me kontributin e juaj edhe në bienalen e madhe “Manifesta”. Si ishte ky rrugëtim për juve?
Nia Loku: Pjesëmarrja në Bienalen "Manifesta" ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe frymëzuese për mua. Rruga për të qenë pjesë e kësaj ngjarje të madhe artistike nisi si një mundësi për të shfaqur dhe eksploruar aftësitë dhe pasionin tim për artin. Në këtë kontekst, ky rrugëtim ka qenë një arritje me e madhe drejt botës së artit.
Përfshirja në "Manifesta" ka sjellë një shpërblim të thellë kreativiteti dhe ka forcuar aftësitë e mia në komunikim dhe ndarjen e idesë sime artistike. Nëpërmjet kësaj, kam arritur të shoh se si shkenca, teknologjia dhe arti mund të përplasen dhe të krijojnë diçka të jashtëzakonshme. Kjo ka pasuar me njohjen e njerëzve nga fusha e artit dhe një mundësi për të ndikuar në një publik më të gjerë, duke përcjellë mesazhe dhe ndjesi nëpërmjet artit.
Ky rrugëtim ka qenë një sfidë e re dhe një mënyrë për të diversifikuar përvojën time profesionale, duke e bërë atë më të pasur dhe më frytdhënëse. Pjesëmarrja në "Manifesta" është bërë një hap i rëndësishëm në zhvillimin tim personal dhe profesional, ku me ka ngjallur idenë për të punuar drejt një ekspozite.
AkademiPune: Cila është rëndësia e artit në jetën tënde?
Nia Loku: Arti ka një rëndësi të madhe në jetën time, pasi përfaqëson një mënyrë për të shprehur veten, për të kuptuar botën dhe për të krijuar lidhje me të tjerët. Përmes artit, kam gjetur një mjet për të shprehur emocionet, për të shfaqur kreativitetin tim dhe për të shprehur ide dhe mesazhe në një mënyrë unike. Arti ka ndikuar në mënyrë të thellë në perceptimin tim të realitetit dhe në aftësinë time për të shikuar gjërat nga këndvështrime të ndryshme. Ai ka shërbyer si një burim frymëzimi dhe një rrugë për të zgjeruar horizontet e mia në mënyrë kreative. Gjatë punës në Manifesta ,fotografja Febe Meinjen zgjodhi qe fotografia ime te jete pjese e top 9 fotove që do të ekspozohen në Holandë.
Pas kësaj mu dha mundësia ta përfaqësoj Kaçanikun ne Eventin “Miss Kosova 2023”,ku vazhdova me projekte artistike. Isha pjesë e ekspozitës "Përmes thjerrëzës së leximit “bashkëpunim që ka sjelle diçka te re tek unë. Arti shpërblen kuriozitetin tim dhe më ofron një hapësirë për liri shprehjeje. Është një sferë ku mund të eksploroj, të mësoj dhe të ndaj me të tjerët pjesën më thelbësore të vetes sime.
AkademiPune: Çfarë mendoni se duhet bërë më tutje për t’i shmangur paragjykimet me të cilat ju jeni përballur? Cilat janë planet e juaja dhe mesazhi për të gjithë të rinjtë?
Nia Loku: Për të shmangur paragjykimet, vazhdoni të ndiqni pasionet dhe të zhvilloni aftësitë tuaja. Përhapni ndërgjegjen e diversitetit dhe përqendrohuni në cilësitë tuaja unike. Planet e mia janë të avancohen nq kimi, mekatronikq, astronomi, estetikq ,bletari dhe të vazhdojë të jem aktive nëpër trajnime të ndryshme, të hulumtojë e mesojë më shumë për kematronikën, të punojë fort drejt një ekspozite me piktura të cilën kam nisur dhe të japë ende kontributin tim në Observatorin e Prishtinës, të vazhdojë të mirrem me taekëando, aktrim e te zgjojë disa pasione tjera të mia që i kam lënë në heshtje. Mesazhi për të rinjtë është të përkushtoheni në zhvillimin personal dhe profesional, të përfitojnë nga eksperiencat e ndryshme, dhe të krijojnë një mjedis të hapur për inovacion dhe bashkëpunim. Kujdesuni për veten, investoni ne vete duke u avancuar në profesionet tuaja, ndjehuni krenarë por mos u ndalni se zhvilluari aftësitë tuaja sepse gjithmonë do të zbuloni pasione e shkathtësi të reja dhe kurrë mos u ndalni para sfidave./AkademiPune